Lidhur statistikave të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave të cilat tregojnë se në mesin e të punësuarve në organet shtetërore në Mal të Zi janë vetëm 1,2 për qind shqiptarë, deputeti i DPS-së Nikollë Gegaj për TV Boin ka thënë se e ndjehet i shqetësuar dhe e brengos fakti duke e marrë para sysh se në Mal të Zi jetojnë rreth 5 për qind shqiptarë. Megjithatë sipas tij, krahasuar me situatën para 15-16 vjet pozita e shqiptarëve sot është dukshëm e përmirësuar. Ai ripërsëriti se Mali i Zi është shtet multi-etnik ku komunitetet e ndryshme jetojnë në harmoni dhe ku respektimi i shqiptarëve është shembull në rajon.
Kurse sipas deputetit të Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj, këto statistika krahas shqiptarëve janë endë më të ulëta sesa numri i publikuar prej 1.2 për qind. Ai sqaroi se krahasuar me statistikat e vitit 2010 niveli i shqiptarëve të punësuar në këto organe ka pësuar ramje. Gjeloshaj ka thënë se kjo mund të jetë faktor i asaj që subjektet politike shqiptare nuk janë unike në drejtimin se a do të jenë pjesë e shumicës parlamentare apo jo, dhe se përmirësime mund të kishte vetëm me kyçjen e partive shqiptare në Qeveri. Për situatën e krijuar Gjeloshaj sqaron se përgjegjësia rrinë tek sistemi i pandryshuar 25 vjeçar.
Nikollë Camaj nga Lidhja Demokratike sqaron së është mirë që ka dalë kjo statistikë, por kjo është e papranueshme, sidomos duke pasur para sysh se në Mal të zi jetojnë rreth 6 për qind shqiptarë. Lidhur deklaratës së deputetit Gegaj, Camaj ka thënë se kohën e fundit po derdhin lot krokodili ata që janë shkaktarë dhe pjesëtarë të kësaj situatë.
“Lidhur më këtë është prononcuar edhe Nikollë Gegaj me nënshkrimin e të cilit dhe kryetarin që vjen pastaj, përjashtohen 3 shqiptarë nga puna në Komunën urbane të Tuzit. Situata është alarmante në përgjithësi në lidhje me statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Për situatën përgjegjës kryesorë është pushteti por dhe servilet shqiptarë” ka thënë Camaj.
Edhe përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj shprehi pakënaqësi lidhur statistikave të fundit. Ai sqaroi se në statistikat e fundit përfaqësimi i shqiptarëve ishte rreth 1,8 për qind, kurse në këto të rejat 1,2 për qind dhe shtron pyetjen “çka kanë përfituar partitë politike shqiptare të cilat vrapojnë në Qeveri pa kurrfarë kushtesh”. Sinishtaj ka thënë se në shkollat në Malësi kemi rreth 50 për qind te kuadrove të punësuar që vijnë nga mjediset tjera, kurse të rinjtë shqiptar janë të papunësuar. Ai gjithashtu sqaron se në Gjykatën Themelore, të Apelit dhe Kushtetuesen nuk ka asnjë Paditës shqiptarë dhe asnjë pozitë të lartë në sektorin e policisë. Kjo, sipas tij, dëshmon mosbesimin e pushtetit tek shqiptarët.
Deputeti i pavarur në parlamentin malazez, Dritan Abazoviq poashtu për TV Boin u shprehë se rezultatet janë katastrofale dhe se tregojnë sjelljen e qeverisë ndaj shqiptarëve por dhe mesazh ndaj partive nacionale shqiptare të cilat që 15 vite marrin pjesë në këtë qeveri. Abazoviq u shprehë se nuk mendon 100 për qind se është fajtore qeveria “por kemi edhe ne pjesë të fajit”. Ai ka thënë se është tragjike fakti se trevat ku jetojnë shqiptarët nuk kanë zhvillim ekonomik, çka implikon emigrimin. Abazoviq pyetet nëse dikush ka dëgjuar cilindo nga politikanët të flasin për Komunën e Malësisë që nga dita kur përfunduan zgjedhjet lokale. Ai deklaratën e Gegajt e quajti papjekuri dhe se Gegaj është pjesë e partisë e cila është fajtore për situatën e krijuar.