Tifozët malazezë të Sutjeskës sulmojnë basketbollistët prishtinas.
Ndeshja në mes të Sutjeskës së Nikshqit dhe Sigal Prishtinës, e zhvilluar sonte në Nikshiq, u ndërpre në minutën e gjashtë pasi tifozët vendas kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të basketbollistëve të Prishtinës, me ç’rast katër pjesëtarë të ekipit prishtinas kanë pësuar lëndime.
Ishin tifozët e Sutjeskës ata që sulmuan lojtarët e Sigal Prishtinës dhe fyen me kore raciste ndaj shqiptarëve, gjë që ka pasuar me ndërprerje të ndeshjes në momentet kur Prishtina ishte në epërsi, me rezultatin 14-18.
Kjo ndeshje ishte e paraparë në kuadër të Ligës Ballkanike të Basketbollit.
“Komunikata zyrtare e Ligës Ballkanike për këtë ndeshje me dënimet dhe pasojat e aktit të dhunshëm do të lëshohet të premtën. Tani për tani është e qartë se ndeshja ka përfunduar me rezultat 20-0 për Sigal Prishtinën dhe asnjë pikë për Sutjeskan në tabelën e Grupit D”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ligës Ballkanike.
Ngjashëm me ndeshjen e sotme, gjegjësisht sjelljeve të tifozëve, ishte edhe ndeshja e tetorit të kaluar, kur basketbollistët e Pejës ishin mysafirë në Nikshiq. Edhe pse ndeshja nuk ishte ndërprerë, tifozët vendas gjatë krejt ndeshjes kënduan në korë kundër shqiptarëve. /MALESIA.ORG/
Sutjeska – Peja, koret raciste të malazezëve:”Vrite, vrite shqiptarin” 21/10/2014