Gjuetarët e Malësisë do të protestojnë

gjuetia-9Shoqata e Gjuetarëve të Malësisë ka paralajmëruar protestë kundër diskriminimit me të cilin ata po përballen.

Nga kjo shoqatë kanë njoftuar se protesta do të zhvillohet të premten, më 20 shkurt, përpara Komunës urbane të Tuzit. Protesta me moton “Malësia është jona, ne e duam territorin e Malësisë të pandarë”, fillon në ora 13:00.

Siç mësojmë, shkaku i protestës është pakënaqësia e tyre ndaj autoriteteve përkatëse të cilat ua ndalojnë gjuetinë në pjesën më të madhe të Malësisë.

Ata më herët kanë tentuar përmes autoriteve përkatëse që ta zgjedhin këtë problem , por nuk kanë hasë në mirëkuptim e tyre.

Anëtarë të kësaj shoqate herë pas here kanë akuzuar udhëheqësinë e Komunës urbane dhe politikanët lokal të cilën nuk kanë dal në mbrojtje të tyre.

Ata kanë sqaruar se nuk do të lejojnë padrejtësinë e cila po përdorët kundër tyre dhe se do të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre. /MALESIA.ORG/

 

Deklarata e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi – Në përkrahje të Shoqatës së Gjuetarëve

lidhja-demokratike-ne-mal-te-ziLidhja Demokratike si subjekt politik e ka më së të njohur statusin e vërtet të komunave urbane prandaj asgjë diskriminuese nuk e befason. Megjithatë, me vëmendje e ndoqëm aktivitetin e Shoqatës së Gjahtarëve të Malësisë që aktualizuan një element tejet diskriminues në raport me këtë Shoqatë, të cilës nuk po i shkon për dore që të realizojë të drejtën për të shfrytëzuar lirshëm e pa pengesa tërë territorin e Malësisë.

Edhe pse Shoqata në fjalë nuk na ka kontaktuar më parë, ndoshta me plotë arsye sepse ka shpresuar se çështjen do ta zgjidhin përmes atyre që premtojnë çdo gjë, e pastaj nuk lodhen pse nuk del ashtu, ne i përkrahëm në të gjitha raste, publikisht e privatisht, sepse ata mbrojnë një të drejtë të pakontestueshme, por e drejtë që mund të realizohet vetëm në rrethanat e një pushteti të plotë lokal, pushteti që administron territorin e vet. Pra, deri sa të arrihet komuna e plotë të gjitha premtimet që edhe mund të vijnë, do të përfundojnë si të deritashmet. Nëse dikush mendon se ende duhet t’u besojmë premtimeve, le të vazhdojë, por siç po shihet, ato janë të kota. Prandaj, duhet të bashkojmë të gjitha fuqitë që përmes ndryshimit të ligjeve të sigurojmë barazi në çdo drejtim, të zgjidhim statusin konform standardeve, në mënyrë që edhe Shoqata në fjalë të gëzojë ato të drejta që i kanë shoqatat e tjera të ngjashme në Mal të Zi.

Ne, edhe protestën e paralajmëruar e vlerësojmë si erë në velat e aktiviteteve të përbashkëta për ndërrim të statusit, prandaj do ta përkrahim pa rezervë. I përkrahim si edhe çdo herë më parë, duke e kuptuar protestën si armën më demokratike dhe më të fuqishme për të realizuar të drejtat tona, e të mos lejojmë që të varemi nga vullneti i kujtdo qoftë atje lart, por çështjet t’i zgjedhim në mënyrë sistemore dhe t’i sigurojmë me ligje adekuate. Shoqata e gjahtarëve u dëshmua shumë e pjekur me faktin se e mori situatën në duar të veta, për të sensibilizuar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar mbi shkeljet që po i bëhen. Prandaj ne fuqimisht përkrahim protestën e paralajmëruar. Vetëm të bashkuar, unik e parimor në qëndrime, mund t’i zgjedhim çështjet tona.

Përndryshe, Lidhja Demokratike nuk premton zgjidhje nëpër kabinete, e përmes lidhjeve të ndryshme, por përkrah dhe garanton se nuk do ta hesht problemin e Shoqatës në asnjë takim që do të ketë. Po ashtu LD ftonë qytetarët e Malësisë dhe shoqatat e tjera që të përkrahin angazhimin për realizimin e kësaj të drejte legjitime, që Malësinë ta shëtisim, për gjah e për argëtim, kur të duam.

Për Lidhjen Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë
Nikollë Camaj