Në kalendarin e festave të ndryshme, vende të ndryshme shënojnë e kremtojnë data të ndryshme nga historia e tyre. Për ne shqiptarët, një ndër datat me rëndësi kombëtare është 7 Marsi – Dita e Mësuesit , e cila shënohet si një ngjarje me shumë rendësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke përfshire edhe mergaten gjithëshqiptare të shpërndare neper botë. Është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi. Për të ruajtur, arsimin, kulturën, shkencën dhe artin e kombit tonë u flijuan shumë veprimtarë.
Shteti shqiptar që nga viti 1960 ka vendosur që 7 marsi të jetë ditë feste, në shenjë përkujtimi të themelimit dhe të punës së Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës.
Në Shqipëri 7 Marsi- Dita e Mësuesit- për herë të parë ka filluar të festohet me 7 Mars 1960. Kurse në Kosovë, Ilirdë, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi Dita e Mësuesit filloi të festohet pas viteve 1990. Kjo datë sivjet përkon me 128 vjetorin e “Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës”. Mësonjëtorja e Korçës ishte fryt i përpjekjeve të përbashkëtash atdhetare të shoqërive patriotike shqiptare të mërgimit të shtyrë për një fitore për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësimi i shqipes deri atëherë bëhej fshehurazi nëpër shtëpi private, ngase ishte i ndaluar nga administrata e pushtuesit osman dhe i anatemuar e përndjekur nga propaganda klerofashiste greke. Mësonjëtorja e parë e Korçës ishte shkolla e parë publike në gjuhën shqipe asokohe. Fillimisht ajo Shkollë kishte 35 nxënës, por pas tre muajve numri i nxënësve arriti në 60, kurse vitin e dytë ai numër arriti në 300 nxënës. Në te mësohej, lexohej dhe këndohej vetëm shqip. Ishte kjo një fitore e madhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, prandaj ka mbetur simbol i ruajtjes së identitetit, dimensionit, lirisë dhe progresit kombëtar. Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj., ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Kur e përkujtojmë atë ditë të shënuar, duhet të kemi parasysh se asokohe populli ynë ishte nën pushtimin otoman, dhe nën presionin e egër të klerit ortodoks grek dhe propagandës dashakeqe sllave (serbe, bullgare e ruse). Këta deri atëherë nuk lejonin mësimin në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën greke ose turke dhe atë kryesisht mësime fetare. Në Mësonjëtoren e Korçës mësimi i të gjitha lëndëve zhvillohej në gjuhën shqipe, dhe ishte kjo shkollë laike dhe kombëtare, në të cilën mësimet i vijonin nxënës të të gjitha shtresave dhe djem e vajza bashkë.
Për historinë, periudha prej vitit 1887 deri më sot është e shkurtër, por për popullin tonë është periudhë e arritjeve të mëdha në lëmin e arsimit, kulturës, shkencës. Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:
Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë,
Se arriti kohë e mirë,
U gdhi nata – u bë ditë!
– – – – – – – – – – – – – – – –
Lumja ti moj Korçë o lule,
Q’i le pas shoqet e tua,
Si trimi në ball u sule,
Të paçim për jetë hua!
Dita e Mësuesit është dita kur i kujtojmë mësuesit tanë prej ditës së parë të shkollës. Por i kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjithë brezave, dhe të paktën njëherë në vit i falënderojmë ata për gjithë punën e vyeshme e të vështirë, por me shumë rëndësi, që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar. Nuk thuhet kot se mësuesit janë arkitektët e kombit. Ata i arsimojnë, edukojnë, formojnë, reformojnë dhe transformojnë nxënësit e tyre në qytetarë të vyeshëm, të denjë e autoritativë. Në këtë mënyrë krijojnë potencial me vlera të larta njerëzore e patriotike. Edhe personalitetet me gradat më të larta të çfarëdo profesioni e me pozitat më të larta të arritura, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjithë periudhës së arsimimit të tyre. Ky edhe është satisfaksioni më i madh i mësuesve për punën, angazhimin, mundin, sakrificën dhe kontributin e dhënë. Pas emrit nënë, emri mësues është më i përhapuri, më së shpeshti i përmendur dhe më i dashuri te njerëzit.
