Promovimi i botimeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u bë më 18 mars 2015, ora 12:00, në ambientet e Akademisë.
Me këtë rast u promovua edhe monografia e botuar nga ASHAK dhe e punuar nga autorja shqiptare, Suzana Varvarica mbi krijimtarinë artistike të piktorit Gjelosh Gjokaj. Anëtari korrespodent, Luan Mulliqi shprehi shumë fjalë miradie për punën e autores, ndërsa piktorin e madh, Gjelosh Gjokaj e cilësoi si mjeshtrin më të madh të gjallë shqiptar të grafikës dhe pikturës,
Sekretari i seksionit të Shkencave sociale, Jusuf Bajraktari, anëtar korrespodent, udhëhoqi promovimin e veprave të botuara nga ASHAK, gjatë vitit 2014. Ndër veprat e autorëve, ishe edhe libri i posadalur nga shtypi, në botimin e ASHAK, të autorit:
Anton Kolë Berishaj, “Shoqëria pa shtet – studim socio-antropologjik”.
Sipas fjalëve të prof. Bajraktari, “ Autori Berishaj në këtë studim të mbarështruar në 274 faqe, të ndarë në 14 kaptina dhe 57 nënkaptina ka aplikuar qasje multidisciplinare në trajtimin socio-antropologjik të një mjedisi shqiptar. Ky trajtim qartëson tërë kompleksitetin e formave dhe mënyrave të organizimit vetanak, sistemin specifik të vlerave, lidhjen organike me traditën dhe normat zakonore, mitin e familjes, vatrës, shtëpisë, besimin dhe besëtytnitë, komunikimin me grupet e tjera, destruktivitetin dhe simbiozën që krijon komunikimi i një shoqërie të vetorganizuar shqiptare. Kjo formë daton që nga vendosja e sistemit të timarit, që territorialisht dhe nominalisht i përkisnin Perandorisë Osmane, mirëpo që realisht e organizuan jetën jashtë kontekstit ligjor të sajë, me forma të së drejtës zakonore, që përkon me modelin segmentar të jetës.
Organizimi familjarë, barku, vëllazëria, fisi dhe lidhja fisnore, mbështeten mbi bazën e normave të së drejtës të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Sistemi i vlerave, mekanizmat shoqëror që e kompensojnë funksionimin e shtetit të organizuar politik dhe ndjenja e përkatësisë së një trungu të përbashkët, shndërrohen në mekanizma homogjenizues. Ndërsa ekonomizimi dhe sigurimi i mbijetesës në ambientin malor, shndërrohet detyrimisht në segmentarizëm shoqëror.
Libri i Anton Berishajt, “Shoqëria pa shtet”, veç rëndësisë shoqërore për trajtimin e një fenomeni socio-kulturor ka edhe vlera të një modeli të cilin studiuesit e ri të kësaj disipline mund ta përdorin në projektet e tyre hulumtuese, në mjedise të ndryshme të shoqërisë shqiptare, ku format e organizimit të jetës mbi normat e traditës kanë qenë prezente deri në ditët tona”.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës