Gjukanoviq edhe një herë premton Komunën

Kryetari i Forcës Nazif Cungu, ai i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Mehmet Zenka dhe deputeti i Alternativës shqiptare Nik Gjeloshaj janë takuar të hënën në Podgoricë me kryeministrin Millo Gjukanoviq.

Temat kryesore të takimit ishin përfaqësimi më i madh i Shqiptarëve në organet e administratës lokale, themelimi i komunës së Tuzit, decentralizimi dhe rregullimi i pozitës ekonomike-sociale të qytetarëve shqiptar në Mal të Zi, njofton gazeta Dan.
Siç shkruan kjo gazetë Gjukanoviq edhe një herë ka premtuar por nuk ka dhënë afatet konkrete deri kur kërkesat e shqiptarëve do të plotësohet.

Një funksionar nga subjektet politike shqiptare, për TV Boin ka vërtetuar zhvillimin e takimit me Gjukanoviqin në të cilin u bisedua rreth statusit të Komunës së Tuzit, Të mirave detare dhe Valdanosin, por ishte vetëm një takim joformal nga i cili nuk doli asgjë konkrete përpos premtimeve të dhëna.

Nëse ka diçka që nuk u mungon shqiptarëve, atëherë ato janë premtimet të cilat kurrë nuk realizohen! /MALESIA.ORG/