Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar t’i ketë thënë homologut të tij tiranas, Lulzim Basha, se një ditë kur shqiptarët do të kishin vetëm një kryeqytet, nuk është e thënë që me automatizëm të jetë Tirana.
“Në një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i thash se jemi kryetarë të dy kryeqyteteve por unë shpresoj ta bëjmë vetëm një. Basha filloi të qeshet, por unë si me shaka i thash, ngadalë se nuk thash se Tirana duhet të jetë kryeqyteti. Mund jetë edhe Prishtina. Këtë do ta vendosin qytetarët me referendum”, ka thënë kryetari Ahmeti, në një intervistë për gazetarin Adi Krasta në Agon Channel.
Ahmeti është pyetur edhe për atë, nëse nga kryetari i kryeqytetit, pretendon që një ditë të bëhet kryeministër i vendit. Përgjigja e tij ishte se ai nuk dëshiron ta harxhoj energjinë duke menduar për këtë, pasi kjo sipas tij do t’i pengonte në punë.
“Suksesi i Vetëvendosjes varet edhe nga qeverisja në Prishtinë, dhe unë për këtë jam i vetëdijshëm. Por nuk dua të mendoj në atë nëse unë nga këtu nesër do të jem kryeministër, pasi kjo do të më pengonte që të jepja maksimumin në punën time të tanishme”, tha Ahmeti.
Për Prishtinën, ka thënë se nuk i ka shkuar ndonjëherë mendja se ka kaq shumë probleme.
Ndërsa shkuarjen e tij në punë me autobus, thotë se nuk e ka bërë për populizëm, por për të dhënë një shembull.
“Unë mund të quhem populist, por shkuarja ime në punë me autobus, e ka qëllimin që ta krijojmë modelin e politikanit, i cili është i barabartë me qytetarët, e jo politikani që fshihet prapa xhipit me xhama të zinj”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/MALESIA.ORG/