Titujt e nderit, mbajnë në vehte detyrime dhe përgjegjësi !

Xheladin-ZeneliShkruan: Xheladin Zeneli

Të Shtunën, me 4 Prill 2015 me rastin e Ditës së Ulqinit, me iniciativën e kryetarit të kësaj komune, u shpallën ” Qytetar Nderi”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe zv. kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndarja e mirënjohjeve,titujve të nderit, çmimeve dhe të dekoratave të tjera janë praktikë e shumë shoqërive demokratike të cilat shpeshherë nxisin edhe reagime të ndryshme në opinion. Gjithashtu, këto mirënjohje apo tituj nderi mbajnë në vete përgjegjësi, detyrime dhe obligime për të gjithë ata personalitete të cilat i pranojnë,posaçërisht liderët politik.

Shpallja ” Qytetar Nderi” të Ulqinit, e kryeministrit e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama si dhe zv. kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, u bë kryesisht nga respekti që udhëheqësit politik shqiptar jo vetëm nga Ulqini, por edhe nga trevat tjera etnike shqiptare në Mal të Zi, kanë për përfaqësuesit e shteteve të tyre amë, dhe në përgjithësi, u mirëprit nga pjesa dërmuese e opinionit shqiptar.

Megjithatë, unë mendoi se mirënjohja ndaj kryeministrit Rama dhe zv.kryeministrit Thaçi ,nga kryetari i Komunës së Ulqinit, duhet të kuptohet njëherit, më shumë si motivim dhe detyrim i tyre që :
1) Të angazhohen më tepër me vepra konkrete dhe t’ju kushtojnë një vëmendje më serioze mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi;
2) Të ushtrojnë autoritetin e tyre dhe të ndikojnë vazhdimisht tek qeveria e Malit të Zi në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në aspektin politik, ekonomik, arsimor, kulturoro-gjuhësor dhe kombëtar;
3) Të ndërgjegjësojnë çështjen shqiptare në Mal të Zi ,si në opinionin e brendshëm ashtu edhe në opinionin e jashtëm .

Uroj kryeministrin Rama dhe zv.kryeministrin Thaçi për marrjen e titullit
” Qytetar Nderi” të Ulqinit, por njëkohësisht dëshiroi që mirënjohjen e marrur mos t’a mbyllin në sirtarët e tyre,por t’a mbajnë çdo herë në tavolinën e tyre të punës,me qëllim që t’ju përkujtojë çdo ditë se një pjesë e popullit të tyre e cila jeton jashtë kufijëve administrativ të Shqipërisë dhe Kosovës,përkatësisht shqiptarët në Mal të Zi,kanë nevojën e përhershme për një përkujdesje dhe përkrahje të fuqishme nga shtetet e tyre amë.

Xheladin Zeneli
(ish deputet në Kuvendin e Malit të Zi)