Hasan Salaj, një çerek shekulli para mikrofonit

Hasan-salajShkruan: Gjekë Gjonaj

Protagonisti i këtij shkrimi  është  emër  që  njihet  në të gjithë Kosovën, dhe jo vetëm.  Atë e bëri  të njohur  gjuha e folur  me theks të përkryer shqip  në Radio  dhe Televizionin e  Prishtinës. Profesionin e folësit  ( spikerit) në këtë institucion  mediatik   e ushtroi me dashuri të madhe plot 25 vjet, për ta vijuar  edhe pesë të tjera  në Televizionin “ Viktoria”  në  Nju-Jork..  Mikrofoni  për   të  është një  partner i rëndësishëm i jetës së tij.  Dëgjuesi te teleshikuesit ishin vlerësuesit e tij. Komunikimi me popullin  ishte satisfaksioni i tij, kurse respektin  më të madh  ai e kishte ndaj atyre që e dëgjonin apo e shikonin.

Shkollimi
Lindi  në Katërkollë  të Ulqinit. Aty  mbaroi   shkollën e plotë fillore më 1958 për të vazhduar më pastaj Shkollën Normale në Nikshiq të Malit të Zi në gjuhën serbo-kroate për dy vjet rresht. Arsyeja që, siç shprehet Salaj,  u regjistrua në këtë shkollë dhe në këtë gjuhë bashkë me dhjetra të tjerë ishte e natyrës materiale pasi atëbotë vetë shteti ta caktonte se në çfarë gjuhe do të studiosh po pate dëshirë ta gëzosh ndihmën e tij.
Për fatin  e tyre të mirë ky mentalitet i pakuptimt dhe i padrejtë ndryshoi në favorin  e tyre . “Në vitin shkollor 1960-1961 me një grup shokësh që ndodheshin aty nga kjo anë e ishin mjaft shumë na u lejua që me të njëjtën stipendi të vazhdonim shkollimin në gjuhën amtare në Kosovë. Në Prishtinë së pari u regjistruam në klasën e tretë të Shkollës Normale për të vijuar  më tej mësimet në Normalen e Gjakovës, e cila pas një kohe të gjatë të mbylljes rihapet sërish, pikërisht në kohën kur ne erdhëm në Prishtinë. Pas diplomimit në Gjakovë në vitin shkollor 1962- 1963 kthehem në vendlindje duke u punësuar si mësues në fshatin  Shtodër, fshat afër Bunës e pastaj në Katërkollë, ku qëndrova rreth një vjet, po ashtu si mësues. Pas kësaj kohe kthehem përsëri në Prishtinë për të vijuar studimet e larta ku u regjistrova në Fakultetin Filozofik të Prishtinës-dega e gjuhës dhe lëtërsi shqipe”, thotë Salaj

Drejt  një ëndrre
Ka qenë  viti 1965 kur  ai do të ngjitet në  shkallët e Radio Prishtinës. Si student arriti të fillojë në  Radio Prishtinë pas një konkursi  që u bë për folës. Në atë kohë  ishte  shqiptari i parë  nga komuna e Ulqinit që  ushtroi zanatin e folësit në  mediat e Kosovës.
-Me profesionin e spikerit ose thënë shqip me profesionin e folësit në Radio dhe Televizionin e Prishtinës fillova të merrem qysh në vitin 1965 derisa isha student i vitit të dytë i këtij fakulteti. Fillimi, të thuash, ka qenë i rastësishëm. Aso kohe audicioni për pranimin e spikerëve në Radio Prishtinë ishte gjithmonë i hapur. Me rekomandimin e profesorit të nderuar Anton Çettësë, pasi njëherësh ai ishte edhe kryetar i komisionit pranë Radio Prishtinës për pranimin e folësve në këtë institucion informativ, ia dola që në mesin e  një numri të konsiderueshëm kandidatësh për spikerë, komisioni më zgjodhi mua për të ushtruar profesionin e folësit. Por para se të lexoja drejtpërdrejt në mikrofon, së bashku me profesorin e çmuar Dr. Anton Çettën pata ushtruar me të leximin gati për nja tre muaj rresht nga dy apo tri orë në ditë. Nën përkujdesjen e profesorit lexoja tekste të ndryshme, duke filluar nga ato më të thjeshtat siç ishin lajmet e shkurtëra e deri te proza dhe poezia që kërkonin një përgartitje dhe interpretim të nivelit më të lartë artistik. Profesori ishte shumë aktiv gjatë punës së përbashkët duke më mësuar metodat dhe mënyrën e një leximi të mirë, të rrjedhshëm, të qartë dhe të logjikshëm. Sidomos më thoshte se duhet kushtuar kujdes i veçantë intonacionit të fjalisë, që leximit i jep bukuri dhe sharmë të veçantë.

Emisioni i parë
E kujton sikur të jetë sot. Me të drejtë. Pak janë pikat kulmore në jetë, të cilat njeriu i kujton me nostalgji dhe i ruan si thesare brenda vetes.
-Pas gjithë kësaj pune intensive me profesor Antonin fillova të ushtroj zanatin e spikerit në Radio Prishtinë. Së pari ia nisa me lajme të shkurtëra dhe me inçizimin e disa emisioneve foljore. Emisioni i parë foljor që lexova aso kohe e që emitohej në orët e para të mëngjesit kishte titullin ” Ndodhi në ditën e sotme” e që fliste për ngjarje të rëndësishme historike.
Në atë kohë në Radio Prishtinë punonte edhe një personalitet tjetër nga trevat e Malit të Zi, si gazetar, redaktor dhe përkthyes i ndjeri zoti Gjeto Leka nga Malësia e Tuzit  që ishte vëllai i piktorit tonë të njohur me përmasa evropiane zotit Gjelosh Gjokaj.

Nga radio në ekran

Kalimi i tij në televizion ka qenë spontan.
“Më 1969 në televizionin e Beogradit për herë të parë hapet studio në gjuhën shqipe ku emetoheshin tri herë në javë lajmet dhe një emision tematik që mbante emrin “Shkëndia”. Pas një periudhe të caktuar kohore më 1974 Kosova themelon televizionin e vet të pavarur, që ishte një ngjarje jo vetëm kulturore por edhe historike. Natyrisht puna ime kryesore në këtë institucion ishte leximi i lajmave dhe drejtimi i ditarit kryesor, bashkë me kolegët e tjerë që emitohej në orën 19: 30.”
Fakti që gati për 25 vjet jam shoqëruar me mikrofonin e nëse këtyre vjetëve u shtojmë edhe pesë të tjera në televizionin e Komunitetit shqiptar të New York-ut TV Victoria, themeluar nga vëllezërit Osmani, flet se mikrofoni ka qenë dhe mbetet pjesë e jetës sime. Mosha në këtë profesion mendoj se është irelevante sa i përket mikrofonit dhe nostalgjisë për të. Bie fajala në Amerikë, ku kam jetuar gati dy dekata si mergimtar kam parë personalitete të shquara televizive, të cilët edhe pse të shtyrë në moshë e bënin detyrën e vet me dinjitet dhe ishin brilantë para mikrofonit.

Profesioni i folësit

“Të jesh spiker në radio apo në televizion është një detyrë me përgjegjësi të madhe. Leximi i spikerit nuk është lexim i thjeshtë i teksteve, nuk është as lexim artistik i tyre, ai në radhë të parë është dhe duhet të jetë lexim i drejtpërdrejt, i ngrohtë dhe shumë njerëzor. Nëse lexojmë në mënyrë monotone dëgjuesin e bëjmë të kotet, nëse lexojmë me patetikë dëgjuesin apo telespektatorin mund ta iritojmë, ta acarojmë ose ta bëjme nervoz, por nëse lexojmë me modesti, butësi dhe ngrohtësi njerëzore duke treguar afërsi dhe respekt për dëgjuesit dhe shikuesit, atëherë sigurisht do ta gëzojmë vëmendjen dhe respektin e tyre. Por të jesh spiker i mirë nuk është aspak leht. Me këtë rast po përmendi faktin se nga qindra njerëz të shkolluar vetëm dy apo tre nga ata mund të bëhen spikerë të mirë. Në radhë të parë duhesh të lexosh shumë, të kesh kukturë komunikimi e të mos flasim për shqiptimin e pastër e të sakët të fjalëve dhe fjalive në përgjitësi. Arma kryesore e spikerit është gjuha e pastër dhe e rrjedhshme, respektimi i gjuhës standarde, modestia në të lexuar, ndërkaq propetenca e spikerit në radio e sidomos në televizion është e padurueshme dhe e pa tolerueshme. Roli i spikerit është i pazëvendësueshëm në edukimin gjuhësor. Gjuha më së miri mësohet përmes leximit dhe shqiptimit. Atë që e dëgjojmë, më së miri edhe e përvetësojmë, por nëse atë që e dëgjojmë shpesh, atëherë ajo bëhet pjesë e pandashme e gjuhës dhe e shqiptimit tonë personal. Andaj është përgjegjësi e madhe e spikerit që gjithmonë t’ i shqiptojë drejt e saktë tekstet që i lexon. Vetëm një krahasim i thjeshtë. Derisa arsimtari me të folmen e vet ndikon tek 30 apo më shumë nxënësit e vet, ndërkaq spikeri u drejtohet një numri shumë të madh dëgjuesish dhe teleshikuesish, andaj ndikimi i të folmes së tij është shumë i madh. Mendoni se çfarë dëmi gjuhësor mund të bëjë një spiker që nuk di t’ i shqiptojë saktë shkronjat  Ç e Q, pastaj Xh dhe Gj apo Dh dhe Ll.
Folësi i mirëfilltë në radio apo në televizion duhet të lirohet nga gjuha e mjedisit ku ka lindur ose nga gjuha e lagjes së vet, ai në radhë të parë duhet të lexojë dhe të flasë gjuhën e pastër letrare, ta kultivojë dhe ta zhvillojë atë sa më shumë. Nëse dëgjuesi apo shikuesi në  bazë të të folmes së spikerit ose në bazë të theksit të tij kupton origjinën e vendit nga është folësi, atëherë mendoj se spikeri nuk ia ka arritur qëllimit për të qenë një spiker profesionalist. Pra spikeri bashkë me institucionin e vet duhet të jetë model se si duhet folur dhe shqiptuar bukur dhe pastër gjuhën e kombit  të vet. Një model i tillë është BBC e Londrës për të cilën thuhet se ndikimi i saj në të folmen e bukur të anglezëve ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite më frytdhënëse se akademia e Anglisë apo institucionet gjuhësore të këtij vendi”. Ky është mendimi i Hasan Salajt për folësit në përgjithësi .

Kujtimet ndaj  kolegëve

-Sa u përket kolegëve të mi të nderuar në Radio Prishtinë për të gjithë ata kam dhe ruaj kujtime të veçanta duke filluar nga bashkëshortja ime e ndjerë Suzana Salaj Bekteshi, Nafije Lamoja, Advije Shehu, Sanie Shala, Nexhmie Bytyqi, Gjakush Çapari, Abdurrahim Hoxha dhe Iljaz Duka. Që të gjithë i kam pasur shokë dhe miq të mirë. Kurrë nuk mund të harroj mikpritjen e tyre dhe kujdesin e treguar për ne që vinim nga trevat e ish Jugosllavisë. Gjithmonë na kanë pritur krahhapur dhe zemërhapur. Që të gjithë kanë qenë profesonistë të mirë dhe të devotshëm, por mendoj se i ndjeri Gjakush Çapari  me origjinë nga Çamëria ka qenë spikeri më i mirë i të gjitha kohërave jo vetëm në Kosovë. Ndërkaq në atdheun amë ndëgjoja më kënaqësi dhe andje të posaçme të madhen Vera Zheji e cila kishte një zë sa të tërheqës aq edhe të ëmbël me një teknikë të përkryer të leximit, e cila spikaste sidomos në interpretimin e prozës lirike dhe të poezisë. Zëri i saj të përgdhelte shpirtin, të çonte zemrën pesh dhe ta ndrite mendjen.

Ngjarjet më dramatike

-Për sa u përket ngjarjeve që më kanë lënë mbresa të pashlyeshme siç thoni ju mund të them se kanë qenë të shumta, sepse kur je spiker të bie të lexosh gjithfarë lajmesh, madje edhe asosh që t’ i përzijnë zorrët e barkut dhe ta thajnë pështymën e gojës. Për mua e besoj e edhe për kolegët e tjerë demonstratat e ’81-it kanë qenë ngjarjet më të vështira dhe më dramatike të cilat është dashur t’ i lexoj përkundër vullnetit tim, pohon Salaj

Folësit e  sotëm në mediat tshqipe

Salaj mendon se shumica e folësve të sotëm në mediat shqipe  janë në nivelin e lakmueshëm , por pranon se  ka edhe asish  që, siç shprehet ai juanë  të ngathtë para mikrofonit, afektojnë për së tepërmi duke lexuar lajmet, janë shumë anemikë, nuk kanë spontanitet dhe natyrshmëri dhe shpeshherë fjalët i shqiptojnë ose i theksojnë gabimisht.
-Së fundmi vërehet edhe një tendencë, por ka dashur zoti jo në të gjitha mediumet, që të anashkalohet, të nënçmohet ose të denigrohet gjuha standarde me motivacinin se ajo u ka hyrë në hak të folmeve dhe nëndialketeve të tjera të shqipes, sidomos gegnishtes. Mendoj se në të gjitha gjuhët e botës që kanë një stad të zhvilluar e të përparuar siç janë bie fjala gjermanishtja, anglishtja, frëngjishtja e tjerë, edhe në këto gjuhë fliten shumë dialekte dhe nëndialekte, por edhe ata kanë një gjuhë standarde të cilën e respektojnë me pikëmëri dhe me dinjitet. Mendoj se gjuha jonë shqipe, pas aplikimit të gjuhës letrare është bërë më e bukur, më e ngrohtë, më e begatshme, më elegante, më e kuptueshme dhe më melodike.
                                                            
Dashura ndaj skenës, apo rruga e artit

Gjatë qëndrimit të tij  në Kosovë  është marrë edhe me aktivitete të   ndryshme kulturore duke qenë anëtar i përhershëm i Shoqërisë Kulturo-Artistike i studentëve të Prishtinës” Ramiz Sadiku”.
“Në vitin 1967 vumë në skenë dramën ” Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës me rastin e shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Në këtë dramë unë pata fatin dhe nderin të interpretoj rolin kryesor, atë të Gjergj Kastriotit -Skenderbeut. Drama pat një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë Kosovën. Atë e shfaqem në çdo cep të saj. Entuziazmi i publikut ishte i papërshkrueshëm. Ndodhte shpeshherë që në disa qytete të Kosovës për shkak të interesimit të madh të publikut, shfaqjen ta luanim edhe dy herë në mbrëmje. E jashtëzakonshme ka qenë edhe pritja nga shqiptarët e Maqedonisë. Mbresëlënëse ka qenë për mua paraqitja jonë në qytetin e Dibrës ku pas mbarimit të shfaqjes, qëndruam në binë duke u rreshtuar një nga një, sepse njëri nga patriotet e shquar të kësaj ane kishte shprehur dëshirën që të takohej me secilin prej nesh për të na përgëzuar me lot në sy për interpretimin e kësaj drame. Por mbresa nuk përfundoi me kaq. Nga perdet pamë se i tërë publiku nuk po lëvizte nga salla. Edhe ata ishin rreshtuar për të na përgëzuar dhe uruar qëndrim të këndshëm në qytetin e tyre. Së fundmi shfaqjen e luajtëm edhe në Ulqinin tonë të lashtë në kalanë e tij impozante, ku përjetuam një pritje madhështore. Vazhduam pastaj në Katërkollë( Vlladimir) që ishte vendlindja ime, ku kisha emocione të fuqishme pasi po luaja rolin kryesor para bashkëvendasëve të mi. Mikpritja edhe këtu ishte shumë e ngrohtë dhe dinjitoze. Me këtë dramë morëm pjesë edhe në festivalin e teatrove amatore të Jugosllavisë që mbahej në Hvar të Kroacisë ku zumë vendin e dytë. Po ashtu jam marrë edhe me recitime poezish. Shoqata jonë e studentëve pat përgatitur recitalin nga Fan Noli: “Rent Or Morathonomak” ndërsa fshehtazi në ndeja shokësh dhe miqsh  kam recituar me dashuri poezitë e Fishtës nga “Lahuta e Malcisë” dhe poezi  nga “Garda Krutane” të Kolë Jakovës.”, nënvizoi Salaj

Karriera e tij la gjurmë
Hasan Salaj  gjatë tridhjetë viteve të karrierës së tij si folës  në radio e televizion arriti të hynte në shumë familje shqiptare, duke lënë  si gjurmë të paharrueshme zërin e tij brilant dhe portretin e tij  burrëror. Ai edhe pse në pension  në rrugëtimin e tij në mes Ulqinit dhe Nuju-Jorkut  vazhdon t’u dhurojë njerëzve atë buzëqeshjen karakteristike që jepte dikur nga ekrani shqiptar.