Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, sot në Kuvendin e Kosovës prezantoi gjetjet e anëtarëve të Komisionit për Arsimit gjatë vizitës në lokalitetet e banuara me shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, të cilat nuk rrëfejnë për një trajtim të tyre drejtë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Po e japim të plotë fjalën e deputetit Ismajl Kurteshi.
Gjatë qëndrimit dyditor në Mal të Zi, më 11 dhe 12 maj, Komisionit Parlamentar i Arsimit vizitoi: Ulqinin, Tuzin, Gucinë, Plavën, Rozhajën dhe Podgoricën. Gjatë kësaj kohe u takua me kryetarin e Komunës së Ulqinit dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi. Në takimin me Këshillin Kombëtar, u tha se shqiptarët përbëjnë mbi 5% të popullsisë të Mal të Zi ose atje jetojnë mbi 30.000 shqiptarë. Por ata përballen me shumë probleme të natyrës politike dhe ekonomike.
Në katër shkolla të mesme dhe 12 shkolla fillore, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Historia kombëtare, gjeografia dhe muzika mësohen pak. Në tekstet shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe nuk lejohet përdorimi i toponimeve dhe emrave shqip. Çerdhet e fëmijëve në gjuhën shqipe mungojnë në shumë vendbanime shqiptare. Drejtorët e shkollave, ku mësohet shqip, nuk janë shqiptarë. Ka edhe mësimdhënës që japin mësim në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, por nuk dinë të flasin shqip.
Në Universitetin e Malit të Zi ekziston vetëm një program në gjuhën shqipe për kualifikimin e mësuesve. Në Komisionin Parlamentar të Arsimit nuk është asnjë anëtar shqiptar. Në Televizionin publik të Malit të Zi emitohet çdo ditë vetëm 30 minuta program në gjuhën shqipe. Simbolet kombëtare në Mal të Zi janë të lejuara për individë, por në institucione përdorimi i tyre kufizohet vetëm në festa kombëtare.
Aktivitetet kulturore të shqiptarëve nuk financohen nga institucionet, kurse në Ministrin e Kulturës nuk punon asnjë shqiptar.
Shqiptarët e kanë vetëm një gazetë javore, kurse Radio Mali i Zi i ka vetëm 30 minuta në ditë program në gjuhën shqipe.
Në Guci mësimet i vijojnë 160 nxënës shqiptarë, kurse në shkollën e mesme të Plavës janë 100 nxënës shqiptarë.
Në Komunën e Rozhajës ekziston vetëm një shkollë fillore në gjuhën shqipe, në Dacaj, me 23 nxënës.
Këshilli Kombëtar nuk është i kënaqur me kujdesin e Shqipërisë dhe të Kosovës për shqiptarët e Malit të Zi.
Shqiptarët që largohen përkohësisht nga vendi shlyhen nga evidenca dhe iu merret nënshtetësia. Shqiptarët janë pak të përfaqësuar në organet shtetërore, për shembull shefi i policisë së Ulqinit, ku 90% e banorëve janë shqiptarë, është malazez. Po ashtu 90% e gjykatësve në Komunën e Ulqinit janë malazezë, në Gjykatën e Lart; nuk është asnjë shqiptar. Në Qeverinë e Malit të Zi nuk është asnjë ministër dhe asnjë zëvendës ministër shqiptar. Ulqini është komuna më e varfër bregdetare e Malit të Zi, edhe pse 43% e të mirave detare të Malit të Zi gjenden në këtë komunë.
Shqiptarët e Malit të Zi në shumë raste nuk mund t’i realizojnë të drejtat që ua lejon Kushtetuta e Malit të Zi. Ata kërkojnë njohjen e të drejtave që në Kosovë iu njohin pakicave kombëtare e ku bën pjesë edhe komuniteti malazez. Ata kanë nevojë për tekste shkollore dhe lektyra shkollore. Kërkojnë përkrahje nga Shqipëria dhe Kosova për hapjen e një universiteti në gjuhën shqipe.
Qeveritarë nga Kosova e Shqipëria shkojnë kohë pas kohe në Mal të Zi, por asnjëherë nuk e vizitojnë Malësinë dhe nuk i takojnë shqiptarët e Malësisë, prandaj edhe nuk i njohin problemet e tyre. Por bazuar në informatat që i marrin në Podgoricën zyrtare flasin në superlativ për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, siç ndodhi me ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme.
Vendbanimet shqiptare në Mal të Zi janë pjesët më të varfra të këtij vendi, prandaj shpërngulja e shqiptarëve është e madhe.
Komisioni Parlamentar i Arsimit të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe Komisioni Parlamentar i Arsimit të Malit të Zi përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi dhe lejimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë, të shkollave fillore në Mal të Zi.
Ne kërkuam reciprocitet në fushën e të drejtave politike dhe ekonomike
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim shprehën gatishmërinë e Kuvendit të Malit të Zi në avancimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
Mbetet obligim i Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që kur të shkojnë në Mal të Zi t’i takojnë shqiptarët që jetojnë atje dhe t’i dëgjojnë kërkesat dhe hallet e tyre. /Koha/MALESIA.ORG/