Komuna e Malësisë-Tuzit, premtim tjetër parazgjedhor!

Tuzi-MalësiaSipas aneksit të marrëveshjes në mes të DPS-së dhe Forcës, Komuna urbane e Tuzit do të ndërroj statusin e sajë në atë të komunës së plotë, ashtu si ajo e Petnicës dhe Gucisë, shkruan sot në gazetën Pobjeda.

Siç shkruan kjo gazetë, nga burime nga DPS dhe partitë shqiptare, aneksi i marrëveshjes do të nënshkruhet deri në fund të muajit të ardhshëm, kurse për afat të fundit për zbatimin e tij përmendet pranvera e vitit 2016, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Në vjeshtë pritet që Kuvendit republikan të i dorëzohen amendamentet nga këto dy parti (DPS-Forca) për ndryshimit e ligjit për organizimin territorial. Në rast se këto amendamente fitojnë shumicën në Parlamentin malazias, do të formohet Komuna e plotë e Tuzit, shkruan kjo gazetë.

Në anën tjeter deputeti i DPS-së Nikollë Gegaj ka vërtetuar se së bashku me Forcën , por edhe me partitë e tjera shqiptare në mënyrë intensive bisedon për statusin e ardhshëm  të Komunës së Tuzit. “Është duke u kërkuar zgjidhja më e mirë e cila do të jetë në interes të qytetarëve të Komunës Urbane të Tuzit”, ka thënë Gegaj.

Nëse sipas marrëveshjes në mes Forcës dhe DPS-së, thuhet se Komuna urbane e Tuzit do të fitoj statusin e komunës së plotë, ashtu siç e kanë edhe Petnjica e Gucia, atëherë nuk është e qartë pse Gegaj përmend “se po kërkohet zgjidhja më e mirë…” !? Sipas kësaj, është fjala për një tjetër status eksperimental, apo vetëm edhe një premtim si ato më herët !?

Ndërsa funksionari i Iniciativës qytetare Vasel Sinishtaj ka thënë se paralajmërimi i aneksit të marrëveshjes në mes PDS-së dhe Forcës është edhe një tjetër me radhë i cili paraqet vetëm premtim parazgjedhor.

“Kjo është biseda me të cilën fitojnë zgjedhjet dhe e cila sillet tash 20 vite. Mua nuk më nevojitet kjo. Më nevojitet referendumi, data e referendumit dhe hulumtimi i vullnetit të qytetarëve. Nuk më duhen marrëveshjet politike dhe premtimet, por vendimi definuar dhe i pastër juridik, kushtetues dhe ekonomik”, tha Sinishtaj për PortalAnalitika.

Ai paralajmëroi se është diskutabile që PDS-ja bënë kësi lloj marrëveshjes me Forcën e cila, siç thekson, nuk ka as trup votues në Malësi. “Sikur ne mos të ishim në koalicion me ato, nuk do të kishin as deputet dhe as kryetar të Këshillit kombëtarë. Fakti që ato nuk respektojnë marrëveshjet dhe sillen ngjashëm si ato me të cilët po nënshkruajnë njëfarë aneksi, është problemi i tyre. PDS-ja duhet ta dijë se kësi lloj marrëveshjes mund ta nënshkruajë vetëm me qytetarët e Malësisë”, shtoi Sinishtaj. /MALESIA.ORG/