Haradinaj: Me Kosovën po udhëheqin flliqanat, sllovenët dashuri për Serbinë (Video)

haradinajharadinaj-jpgKryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka rrëfyer ekskluzivisht për Radio Televizionin Dukagjini, gjithë ngjarjen gjatë ditës së sotme për ndalimin e tij në Slloveni. Ai është shprehur i indinjuar me autoritetet sllovene për këtë veprim.

“Duket në njëfarë mënyre se nostalgjia për Jugosllavinë s’i ka lëshuar ende sllovenët dhe hetohet se dashuria për Beogradin ende ekziston”, ka thënë Haradinaj.

“Sllovenia, në rast se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën, kur na i respektojmë atëherë duhet të na respektojnë edhe ata neve. Por nuk mund të ketë respekt të një anshëm. Nuk do ta kenë as miqësinë e as respektin që e kam pas deri tash për ta. E kanë tepruar duke u sjell kështu ndaj autoriteteve të Kosovës. Nëse këtyre ju ka mbet marak Serbia, Jugosllavia apo Crna Gora duhet ta dinë se shqiptarët janë dikushi dhe nuk mund të tallet as Sllovenia askush me ta më. Veprimi i tyre nuk do të kalon i tillë pasi kanë bërë veprim jo të duhur jo të mirë”

Haradinaj është shprehur i zhgënjyer edhe me qeverinë aktuale të Kosovës. Madje ata i quajti flliqana

“Nuk ka Kosovë. Janë do flliqana që udhëheqin me Kosovën. Kosova ka popull dhe nuk është mirë me lujt askush me të”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se është i habitur me këtë veprime të Sllovenisë.

“Jam i lirë por nuk kam të drejtë të largohem nga Sllovenia. Është një sjellje e pakuptueshme e tyre sepse ai flet arrest është anuluar nga të gjitha vendet tjera. Është me habi se si Sllovenia sillet në këtë mënyrë dhe unë këtë veprim e marr si një ofendim personal karshi meje dhe asaj që përfaqësoi”, ka thënë Haradinaj.


ramush haradinaj
AAK: Haradinaj refuzon të dalë para gjyqtarëve sllovenë

Anëtari i AAK-së, Avni Arifi ka postuar në profilin e tij në Facebook një deklaratë, që shpreh sipas tij qëndrimin zyrtar të kryetarit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet i ndaluar në aeroportin e Lubjanës.

Sipas postimit, Haradinaj ka deklaruar se nuk pranon të dalë vullnetarisht para gjykatësve në Slloveni.

“Pafajësinë e kam të dëshmuar ndërkombëtarisht. Nuk kam asgjë me sistemin e drejtësisë slloven e as me atë ndërkombëtar. Sllovenët të pastrojnë sa më parë sistemin e tyre nga reliktet shpifëse të Beogradit, që datojnë që nga viti 2004 dhe ende edhe sot i konsideron të vlefshme. Kjo sjellje dhe veprim nga shteti slloven është e papranueshme dhe shumë ofendues, si për mua, po ashtu dhe Kosovën”, citohet Haradinaj në profilin e bashkëpunëtorit të tij, Avni Arifi.

Ndërkohë, eksponentë dhe simpatizantë të AAK-së, sipas agjencisë së lajmeve “Kosovapress”, po protestojnë përpara ambasadës sllovene në Prishtinë.
————————————————————————-

ramush haradinajPolicia e Sllovenisë ka ndaluar kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga Policia e Serbisë, në vitin 2006.

Siç ka konfirmuar zyra për informim e partisë së Haradinajt, ky i fundit ishte për një vizitë zyrtare në Berlin dhe po kthehej për në Kosovë, përmes Aeroportit të Lubjanës në Slloveni, ku edhe po mbahet i ndaluar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron këtë veprim “një ndërhyrje me qëllime të njëjta dhe identike si të policisë serbe ndaj Ramush Haradinajt”.

AAK kërkon veprim të menjëhershëm për lejimin e Haradinajt në udhëtimin e tij drejt Prishtinës dhe e konsideron këtë ndalim “tendencë të qëllimshme ndaj personalitetit dhe gjithë asaj që përfaqëson Haradinaj”. /TCH/MALESIA.ORG/