Shqiptarët në Mal të Zi, nuk kanë flamur tjetër përveç atij kuq e zi

Xheladin-ZeneliParaqitja me flamurin shqiptar e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve “Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera,me rastin e ekspeditës së tyre tradicionale në malin e Rumisë, me 7 Qershor 2015, në rend të parë, nxiti reagimin e gazetës “Dan”,e njohur me reagimet e saja denegruese ndaj shqiptarëve.Një akt i paprecedent në etikën dhe normat e informimit bëri gazeta “Dan” kur lajmëroi organet policore në Mal të Zi dhe kërkoi nga ata që të hetohet “incidenti” i ngritjes së flamurit shqiptar në Rumi si dhe të hetohet ligjëshmëria e përdorimit të tij ( pra, flamurit shqiptar) në vende publike (!?) . Ky është një rast i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë i një shteti që e quan vehten “demokratik” ku një medium informativ vihet në shërbim të organeve policore dhe duke kërkuar intervenimin e policisë, tejkalon dukshëm kompetencat e veta dhe sjell në pikëpyetje ate se cili është misioni i vërtetë i këtij mediumi dhe për ke punon gazeta “Dan” !?.

Tani t’i kthehemi pak ligjëshmërisë së përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi.Kur gazeta “Dan” kërkon hetimin e ligjëshmërisë së (mos)përdorimit të flamurit shqiptar në vende publike,nga organet e sigurimit, ato arsyetohen me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë , aprovuar nga Kuvendi i Malit të ZI, në vitin 2011,përkatësisht neni 23 i këtij Ligji i cili dënon përdorimin e flamurit apo simbolit kombëtar të një shteti tjetër”,në vende publike,pa lejen e autoriteteve përkatëse.Ironia më e madhe është se ,sipas Ligjit famëkeq në fjalë, shpalosja e flamurit shqiptar ,në mënyrë paqësore, në majën e malit Rumi konsiderohet si “prishje e rendit dhe qetësisë (!?). Kurse djegja flamurit shqiptar në mes të sheshit të qytetit të Tivarit nga tifozët vendas e ekipit të hendbollit të Serbisë, (para fillimit të ndeshjes kundër Malit të Zi ),me 10 Qershor, nuk iu prishi qetësinë autoriteteve malazeze dhe as që nxiti ndonjë reagimgazetës ” Dan”.

Thelbi i problemit qëndron në ate që Kuvendi i Malit të Zi ,i cili aprovon ligje të tilla absurde, konsideron flamurin kombëtar shqiptar si flamur i “shtetit të huaj”, dhe jo flamur i një popullate autoktone siç janë shqiptarët në këtë republikë. Ligji për Rendin dhe Qetësinë është Ligj antikushtetues dhe neni 23 i këtij Ligji duhet të anulohet. Vetë Kushtetuta e Malit të Zi, pjesa e saj ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja 2 ),thotë:

“Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”.

Një liri e kufizuar është një liri e mohuar

flamuri shqiptar nuk gëzon përdorimin e lirë dhe të plotë të tij në Mal të Zi, dëshmojnë jo vetëm ngjarjet e fundit : ajo në malin Rumi apo ndëhyrja policore me 1 Maj 2015 në Budvë ku nxënësve shqiptar iu ndalua përdorimi i flamurit të tyre kombëtar por edhe raste të tjera të mëparshme ku veçohet ai i vitit 2012 , me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,atëherë kur në pragun e SHM ” Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, u muar në polici nxënësi shqiptar i kësaj shkolle,vetëm sepse shpalosi flamurin e popullit të tij dhe këndoi këngën “Xhamadani vija,vija…”.

Edhe Ligji për zgjedhjen,përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale ( i vitit 2013),gjithashtu kufizon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.Neni 9 i këtij Ligji përcakton përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale “në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë përbëjnë popullatën shumicë ,në ditët e festave nacionale të popullit pakicë,para objektit të vetëqeverisjes dhe administratës lokale,krahas simboleve shtetërore,shfaqen edhe simbolet nacionale të popullit pakicë e cila përbën mbi 15% të popullatës së kësaj vetëqeverisje lokale …” ( !?). Pra, një e drejtë e cila përkufizohet me përqindje nuk e është e drejtë e plotë por është e drejtë gjysmake dhe si e tillë nuk përmbush kriteriumet apo standardet e lirive të mirëfillta demokratike

Qeveria e Malit të Zi dhe organet e saja vendim-marrëse,si duket nuk e kanë të qartë apo së paku pretendojnë që të mos e kuptojnë faktin se flamuri shqiptar ,për shqiptarët në Mal të Zi,nuk mund të trajtohet si flamur i një” shteti tjetër” ,por flamuri i tyre kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e ndarë e një populli i cli ka një gjak, një gjuhë ,një histori dhe NJË FLAMUR : flamurin kuq e zi me shqiponjën dykranare. Po ky flamur, është dhe do të jetë simboli i tyre i identifikimit kombëtar pa marrë parasysh se në cilin vend jetojnë ata dhe nga i cili shtet administrohen, pra duke përfshirë edhe shqiptarët në Mal të Zi.

S’ka dyshim se fobia ndaj flamurit dhe simboleve shqiptare është në rritje e sipër në Mal të Zi dhe kjo e ka burimin tek institucionet e shtetit të Malit të Zi siç është Qeveria dhe Kuvendi i tij ,të cilat aprovojnë dhe zbatojnë ligje antikushtetuese,antidemokratike dhe ligje kundër të drejtave të një populli i cili për nga gjuha,kultura,historia dhe për nga simbolet e tij kombëtare,është i veçantë dhe dallohet nga popujt e tjerë që jetojnë në Mal të Zi.

Me qëllim që në të ardhmen t’ju shmangët inskenimeve të panevojshëme të

” incidenteve me flamurin”, duhet që menjëherë të ndrydhohen ligjet e lartëpërmendura në at mënyrë që t’ju mundësohet shqiptarëve në Mal të Zi e drejta elementare dhe e natyrshme e përdorimit të lirë dhe të pakufizuar të flamurit dhe simboleve të tyre të kombëtare.

Sepse një e drejtë e kufizuar është një e drejtë e mohuar.

Xheladin Zeneli
17 Qershor 2015

Furra Tahiri