Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Martin Berishaj, i cili jeton në Slloveni ka vizituar sot liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Ai në profilin e tij në “Facebook”, ka postuar një foto, ku shihet duke pirë kafe me Haradinajn.
Profesor Berishaj, më herët kishte shkruar se është i mendimit që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është dashur që si hap të parë ta thërras ambasadorin slloven në Prishtinë për të sqaruar këtë ngjarje, në mënyrë që të merret qëndrim serioz dhe konsistent ndaj rasteve të tilla. /EpokaeRe/
Berishaj kritikon reagimin zyrtar të Kosovës në rastin Haradinaj
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Lubjanës, Martin Berishaj, kritikon ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Lubjanë nga autoritetet e atjeshme.
Ai, në një intervistë për DialogPlus.ch e quan këtë veprim të palës sllovene si flirt deri në vasalitet ndaj Beogradit. Por Berishaj thotë se problemet politike mes Kosovës dhe Sllovenisë nuk rregullohen me bojkotim të mallrave duke i derdhë pesë litra qumësht “alpsko” në rrugët e Prishtinës siç ndodhi pas ndalimit të Agim Çekut vite më parë. Ai kritikon heshtjen e ministrit të Jashtëm të Kosovës për këtë rast dhe reagimin e vakët të Qeverisë së Kosovës.
Si e vlerësoni veprimin e autoriteteve sllovene në rastin e ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletarrestimi nga Serbia?
Së pari mendoj se rasti i ndalimit të shtetasit – kështu u cilësua – Ramush Haradinaj në aeroportin e Lubjanës dhe peripecitë rreth këtij ndalimi nuk duhet shikuar assesi si rast i izoluar. Tendencën e këtij ndalimi shteti slloven deshi ta paraqesë si sprovë të “vigjilencës” juridike duke u dëshmuar si partner serioz në rrafshin ndërkombëtar, me qëllim të jetësimit në praktikën juridike sllovene të konceptit anglosakson “clean up”, kur lënda duhet të përmbyllet, me ç’rast sistemi juridik duhet të veprojë në mënyrë të civilizuar karshi palës, në këtë rast karshi politikanit kosovar me pasaportë diplomatike, i cili jo më larg se një ditë më parë u prit nga autoritet gjermane.
Evidenca e debatit juridik këtu vjen e pështillet edhe më shumë pas deklaratës se Presidentit slloven Borut Pahor i cili në një mënyrë e cilësoi ndalimin më tepër si qasje politike sesa juridike – e unë do të shtoja si një “mbetje e rastësishme” e fletarrestimeve në sistemin mjaft të sofistikuar të Interpolit. Krejt kjo e iniciuar që në vitin 2004 nga shteti i cili nuk ekziston më, pra Serbia dhe Mali i Zi! Personalisht mendoj se Sllovenia me këtë ndalim të kryetarit të AAK-së tenton të “balancojë” karshi Kosovës teorinë e marrëdhënieve “tërheq e mos këput”, kurse ndaj Serbisë si kurrë me parë apo shikuar nga brenda si flirt deri në rrafshin e vasalitetit ndaj saj.
A kanë qenë adekuate reagimet e shtetit të Kosovës deri më tani?
Për ta kuptuar më mirë këtë gjendje dhe pse jo edhe të nxjerrim mësim nga kjo do të ishte me rëndësi ta kthejmë mbrapshtë situatën: si do të reagonte shteti slloven nëse, për shembull, do të ishte ndaluar kreu i opozitës apo edhe ndonjë person publik slloven në Kosovë? Çka do të bënte Ministria e Punëve të Jashtme sllovene, a do të kishte reaguar ndryshe? Duke e njohur mirë këtë ministri nga brenda supozoj se ajo fillimisht, si hap të parë, do ta kishte ftuar për sqarime ambasadorin tonë, të cilit pa dyshim do t’i kishte dorëzuar së paku një notë proteste, për t’i hapur rrugë diplomacisë për ta neutralizuar gjendjen e krijuar.
Këtu, në rastin konkret, nga MPJ e Kosovës kishim heshtje. Asnjë prononcim publik të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kishim, përpos një deklarate të vaktë të Qeverisë. Unë nuk dua të paragjykoj se çka mund të ndodhë më tutje. Nuk e di se si do të reagojë opozita në Kuvend, mirëpo personalisht mendoj se së paku do të ishte e nevojshme të behej interpelancë dhe “numërim i brinjëve” të kabinetit ministror.
Para Haradinajt në Slloveni qe ndaluar edhe Agim Çeku, po ashtu me kërkesë të Serbisë. Por ai ishte lejuar të kthehet në Kosovë. A mund të shohim të njëjtin skenar tani edhe me Haradinajn?
Ne aspektin juridik po! Mirëpo, rrethanat kur ishte ndaluar Agim Çeku po ashtu në aeroportin e Lubjanës ishin krejtësisht të ndryshme nga kjo që ka ndodhur tani me Ramush Haradinajn. Sllovenia në atë kohë ishte në prag të hyrjes në zonën Schengen dhe alibi për ndalimin e Agim Çekut ishte sprova për të treguar se sa do jenë autoritetet sllovene të pakompromis sa i përket ruajtjes së kufirit jugor të Schengenit. Kosova në atë kohe nuk kishte shpallur pavarësinë dhe përgjegjësinë për këtë ndalim nuk e kishte në atë masë sa e ka sot klasa politike e Kosovës. Përpos skenarit të njëjtë të ndalimit sot nuk mund të bëjmë krahasime të tilla, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe mundësia për llogaridhënie do të duhej të ishte më e madhe, duke e bartur barrën e arsyes dhe jo vetëm Qeveria e Isa Mustafës.
Shefi i AAK ka zgjedhur fjalë të ashpra kundër sllovenëve në përgjithësi, duke i quajtur “vëllezër të serbëve”. A mendoni se prononcime të tilla mund të komplikojnë edhe më shumë situatën në të cilën gjendet Haradinaj?
Prononcimi i Ramush Haradinajt, nëse e krahasojmë me prononcimin e Agim Çekut, ndryshon dukshëm. Çeku ishte me i ekuilibruar, në atë kohë ai ishte komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, kurse Haradinaj sot është pjesë e opozitës dhe si opozitar pesha e përgjegjësisë është më e vogël, por jo edhe e fjalës.
Kundër sistemit të drejtësisë në Slloveni ka pasur mjaft akuza viteve të fundit. Ish-kryeministri Janez Jansha mendon se bëhet fjalë për një sistem të ndikuar ende nga strukturat e kohës së komunizmit. Në ç’gjendje është drejtësia sllovene?
Siç e dini, me rastin e burgosjes se ish-kryeminstrit Janez Jansha dhe lirimit të tij pas disa muajsh, vendimi i gjykatës u rrëzua si jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese sllovene. Aty u shpalos gjendja reale e këtij sistemi, i cili ende vuan dhe nuk mund të lirohet nga ndikimet e strukturave ish-komuniste. Debati që u hap ditë më parë këtu në Slloveni në mes të kryeministrit Miro Cerar dhe ish-kryeministrit Janez Jansha e aktualizon edhe më tepër çështjen e ikjes nga përgjegjësia të qeverisë aktuale sa u përket reformave, të cilat Sllovenia i ka filluar, por, fatkeqësisht, nuk i ka përfunduar. Natyrisht, kjo reflekton në të gjitha fushat. Nuk mund të jetë sistemi juridik i veçuar, sepse ai është një nga tri shtyllat e organizimit shtetëror. Në Slloveni ky sistem po përjeton plasaritje të mëdha. Ato plasaritje natyrisht dalin në shesh pikërisht tek kjo shtyllë e pushtetit, e cila e stigmatizon edhe ashtu qeverinë më të pavendosur që kur është themeluar ky shtet.
Para pak ditësh nëpër Slloveni ka kaluar Naser Oriqi, komandant i trupave boshnjake në Srebrenicë në vitet 90-të. Oriq u arrestua pastaj nga Zvicra – me kërkesë të Serbisë. Si është e mundur kjo, kur edhe Sllovenia, si Zvicra, ka qasje në bazën e njëjtë të të dhënave në Interpol?
Baza e njëjtë e të dhënave në Interpol nuk garanton edhe reagim të njëjtë të shteteve në përgjithësi, në këtë rast shtetit slloven. Këtë proces unë e shoh si fillim te «akomodimit» të elitave në kushte të reja karshi asaj që pritet në Kosovë rreth Gjykatës Speciale.
Në Kosovë disa militantë të AAK-së kanë bërë thirrje për bojkotim të produkteve sllovene. A mund t’i keqësojë dukshëm raportet kosovaro-sllovene ndalimi i Haradinajt?
Personalisht mendoj se jo! Për të ndërtuar mure të pakapërcyeshme është lehtë, por është urti t’i zbusim tensionet. Për këto raporte natyrisht që duhet të gjykojmë me mendje të akullt, duhet të udhëhiqemi me urti si bindje politike për t’i tejkaluar problemet. Ato relacione duhet t’i mbajmë në vija sa më të qarta, natyrisht aty ku duhet dhe shihet si e nevojshme duhet t’i përmirësojmë ato. Sot shoqëria civile në Kosovë nuk e ka fuqinë e duhur për të ndryshuar rrënjësisht diçka që duhet medoemos të ndryshohet. Problemet politike nuk rregullohen me bojkotim të mallrave duke i derdhë pesë litra qumësht “alpsko” në rrugët e Prishtinës siç ndodhi pas ndalimit të Agim Çekut vite më parë.
Pala kosovare po zhvillon negociata me Serbinë prej vitesh në Bruksel. A është dashur, sipas mendimit tuaj, që Beogradit t’i bëhet presion të heq dorë nga përdorimi i drejtësisë për poenë politikë?
Deklarata e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se “diçka e tmerrshme është duke ndodhur” qartëson këtë mjegullnajë. Padyshim, Serbia duhet të heq dorë nga e kaluara e saj. Atje nuk ka ndodhur deserbizimi ideologjik millosheviqian i përshkruar si denacifikim. Edhe pse është më se e nevojshme të ndodhë, por për këtë duhet kohë, sepse serbët nuk janë gjermanë! Serbia sot, pas negociatave me Kosovën, ka përfituar shumë më shumë sesa Kosova. Ajo po promovohet me një dinamikë të cilën unë personalisht e kam pritur. Kuptohet unë nuk kam dashur të ndodhë stagnimi ynë në këtë drejtim. Por stagnimi ka ndodhur për shkak se klasa politike që negocion nuk u prin proceseve dhe sillet me inercionin serb të kësaj dinamike. Përfitimi i poenëve politikë Serbisë dita-ditës po i sjell rezultate. Ajo duhet të heq dorë nga përdorimi i kësaj lloj “drejtësie”, mirëpo ne duhet të rrisim standardet tona në këtë proces negociues. Ekipet e ekspertëve nga Kosova shpesh nuk ma mbushin mendjen dhe kjo më shqetëson në këtë proces negocimi, por jo vetëm në këtë proces.
Ka një prirje te një pjesë e opinionit gjaknxehtë në Kosovë që Sllovenia të konsiderohet si vend armik. Historikisht situata paraqitet ndryshe: në shkurt të vitit 1989 në Cankarjev dom qe mbajtur tubimi i famshëm i solidaritetit me minatorët e Trepçës, aktivistët sllovenë të të drejtave të njeriut kanë denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, revista Mladina ka shkruar me ton kritik mbi represionin serb në Kosovë.
Cankarjev domi ishte ndërgjegje e klasës politike sllovene karshi vetes në rend të parë, kurse mbështetje e fuqishme e tendencave tona dhe përputhje e interesave shqiptare të kohës me një aleat që po bëhej i natyrshëm për ne. Sllovenia e viteve 80-të të shekullit të kaluar ishte pragu i parë i kushtrimit shqiptar për në Evropë dhe sllovenët, si pjesë e atij pragu, na mbështetën neve shqiptarëve në synimet tona. Për freskim të kujtesës, jo për të qetësuar gjaknxehtit, do të ndalesha pak në këtë pikë. Mbështetja për minatorët e Trepçës që rezultoi me Cankarjev dom ishte jo vetëm hapi i parë i rezistencës kundër politikes së Slobodan Millosheviqit dhe dhunës që ushtrohej në Kosovë. Tërheqja e policëve sllovenë nga policia federale në Kosovë për të mos u zhytur në krime kundër shqiptarëve përcillej me mbështetje të fuqishme të mediave – në radhë të parë revistës Mlladina. Kjo hapi shtigje të një bashkëpunimi mes shqiptareve dhe sllovenëve edhe në kohën e luftës në Kosove dhe ky bashkëpunim në makrostrukturë është edhe sot i tillë. Padyshim, përgjegjësia mbetet në klasën politike e cila ballafaqohet me sfida të reja, mbetet në ndërgjegjen tonë dhe të tyre dhe kurrsesi në kokat e nxehta që nesër do të harrojnë se çka ndodhi dje./DialogPlus.ch/MALESIA.ORG/