Në Shkollën fillore Mahmut Lekiq në Tuz, filloi sot shpërndarja e Abetares Kombëtare.
Nën organizimin e Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi dhe Entit për botimin e teksteve dhe mjeteve mësimore, Abetaret i dorëzoi drejtori i përgjithshëm i drejtorisë për arsimimin e popujve pakicë në Ministrinë e arsimit, Marash Dukaj, dhe drejtoresha e Entit për botimin e teksteve dhe mjeteve mësimore, Zoja Bojanic Lalovic. Përpos drejtorisë së Shkollës fillore në Tuz, të pranishëm ishin edhe tre drejtorët e tri shkollave tjera fillore në territorin e Malësisë.
Abetarja Kombëtare do të shpërndahet në të gjitha shkollat në Mal të Zi, në të cilat nxënësit mësojnë në gjuhën shqipe. Gjatë javës ajo do të shpërndahet edhe në Ulqin, Katërkollë, Plavë e Guci dhe Rozhajë.
Bëhet fjalë për 288 Abetare të cilat i dhuroi kryebashkiaku i Tiranës, Eriion Veliaj.
Drejtori i përgjithshëm i drejtorisë për arsimimin e popujve pakicë në Ministrinë e arsimit, Marash Dukaj, dhe deputeti në Parlamentin e Mali të Zi Nik Gjeloshaj, ditë më parë njoftuan opinionin për arritjen e marrëveshjes për përdorimin e Abetares Kombëtare edhe për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi.
Ndërkaq, Abetarja Kombëtare nuk zëvendëson Abetaren e vjetër e cila vazhdon të jetë në përdorim edhe më tutje, por është e lirë (e lejuar) të përdoret vetëm si mjet ndihmës. /MALESIA.ORG/