Ushtruesit të detyrës së kryetarit të LDnëMZ, z.Mehmet Bardhi
Meqenëse apelet tona dhe shkresat e mëparshme drejtuar Mehmet Bardhit, për të mbajtur mbledhjen e kryesisë së partisë, të pa-mbajtur me vite, pastaj për thirrje të kuvendit, të pa organizuar për më se 10 vite, ose qoftë edhe për një takim me përfaqësuesit e tri degëve, për të shqyrtuar këto anomalie në funksionim të partisë, nuk dhanë rezultat, por në anën tjetër, pa mbështetje në Statut dhe pa konsultim me kryetarët e degëve, formon “komisionin e festës”, ne, tri Degët; Malësi, Plavë-Guci dhe Rozhajë, që së bashku me Degën e Krajës jemi të vetmet Degë që i kemi përmbushur obligimet që dalin nga statuti i LD, jemi të detyruar që kërkesat tona për ndërprerje të praktikës së deritashme të shkeljes së akteve partiake t’i bëjmë edhe publike.
Ne provuam me shkresa e kërkesa interne, por pa efekt. Në këtë mënyrë, ne, si bashkëthemelues të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe si bashkëveprues për këtë çerek shekulli, dëshirojmë që të provojmë të ushtrojmë trysni politike për të kthyer subjektin e parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, në rrjedhat legale, statutare e ligjore, aty ku ishim para 14 viteve, kur mbajtëm kuvendin e fundit zgjedhor.
Pas takimit që patëm, përfaqësuesit e tri Degëve, dhe pas konsultimit me kryesitë e Degëve, vendosëm që sot e tutje, Mehmet Bardhin të mos e njohim si kryetarin legal, por vetëm si ushtrues detyre, pa mbështetje në aktet e LDnëMZ. Të njëjtin qëndrim kemi edhe për “komisionin e festës”, i cili është formuar pa bazë në aktet e LD-së, jo vetëm për shkakun se e ka formuar personi të cilit i ka skaduar mandati para 8 viteve, por edhe sepse kjo kompetencë, sipas nenin të cituar, nuk i takon kryetarit. Së këndejmi as nuk e pranojmë e as nuk do të marrim pjesë në manifestimin që organizohet nga këto adresa, por shënimin e 25 vjetorit veprimtari, do ta bëjmë në Tuz, aty ku edhe u themelua LDnëMZ.
Nga këto konsultime ndërmjet degëve në fjalë del përfundimi i qartë se vetëm mbajtja e Kuvendit zgjedhor, para jubileut, do ta sillte LD në rrjedha legale, e pastaj do të krijoheshin kushtet që të festohet. Deri atëherë nuk kemi çfarë të festojmë, përpos humbjeve që janë rreshtuar kudo që Mehmet Bardhi i ka udhëhequr zgjedhjet. Siç e din i tërë opinioni, aty ku Bardhi nuk i udhëhiqi apo organizoi zgjedhjet, LD dukshëm e përmirësoi statusin e vet. Prandaj, i ftojmë anëtarët e simpatizantët, e mbi të gjitha dashamirët e Lidhjes Demokratike, që të na përkrahin në shpëtimin e subjektit më të vjetër shqiptar në Mal të Zi, nga rrënimi që i kanoset për shkak të pa-gatishmërisë së kryetarit të deritashëm për të respektuar aktet e partisë së vet dhe bashkëpunëtorët që e përkrahën dhe e mbajtën në skenën politike për 25 vite.
Besojmë se edhe ai është i vetëdijshëm se kuvendi mund të mbahet edhe në pajtim me nenin 32 të Statutit të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ku shkruan: “Vendimin për thirrjen e kuvendit të LDnëMZ e merr kryesia ne propozim te kryetarit, ose 1/3 e anëtarëve të kuvendit. Në raste të veçanta vendimin për thirrjen e kuvendit të LDnëMZ mund ta marr edhe Këshilli drejtues në procedurë si në alinen 1.”, Nëse nuk hasim në mirëkuptim të z. Bardhi, për thirrje urgjente të mbledhjes së Kryesisë, për formim të Komisionit për organizimi të kuvendit dhe të Komisionit për shënim të 25 vjetorit, ne do të veprojmë në drejtim të implementimit të nenit 32 të Statutit të LDnëMZ.
Kryetarët e Degëve: Malësi – Nikollë Camaj
Plavë-Guci – Bujar Hasangjekaj
Rozhajë – Hysen Daci