Kuvendi zgjedhor kërkesë e vetme e tri Degëve të LDnëMZ

12002954_1034943493204761_1542477497043850617_nNga manifestimi i shënimit të një çerek shekulli veprimtari të Lidhjes demokratike, organizuar nga tri degët, Malësi, Plavë-Guci dhe Rozhajë, e që u mbajt në Tuz, më 09. 09, kërkesë e vetme doli, mbajtja e kuvendit zgjedhor, si rrugë e vetme për të konsoliduar partinë dhe për ta shpëtuar atë nga lideri i sajë, i cili, si duket e ka kuptuar si pronë të vetën. Këto të tri degë nuk iu bashkëngjiten festimit që u bë në Ulqin, organizuar në bazë të vendimit të njëanshëm të uzurpuesit të detyrës së kryetarit të LD-së. Nuk iu bashkëngjiten, në rend të parë për arsye se për të festuar duhej konsultuar kryesitë e degëve, së dyti, sepse vendi i manifestimit duhej të ishte Malësia, si selia e subjektit, dhe së fundi, sepse të gjitha bisedimet dhe premtimet ishin që të mbahet Kuvendi zgjedhor para shënimit të 25 vjetorit, por Mehmet Bardhi nuk pranoi, edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme, me gojë e me shkrim, interne e publike, nga kreu i tri degëve në fjalë. Manifestimi në Tuz kaloi në shenjën e urimit drejtuar themeluesve të sajë, por edhe atyre që iu bashkëngjiten më vonë subjektit të parë politik shqiptar në Mal të Zi. Prezent ishin përfaqësuesit e të tri degëve dhe mysafirë nga Kosova dhe Malësia. Prezent ishte edhe Fadil Fazlia, zyrtar i lartë i Lëvizjes për bashkim dhe vëllai i dy heronjve të kombit. Në fjalimet e rastit u tha se Dega e Malësisë, e Plavë-Gucisë dhe e Rozhajës do t’u mbeten besnike parimeve themeltare të LD-së dhe, si as deri më tani, nuk do të bëjnë kompromise të kalbura me askënd. “Për këtë arsye, këto tri degë edhe nuk iu bashkëngjiten festimit gjoja “qendror” që e organizoi uzurpuesi i detyrës së kryetarit, bashkë me 1/4 e partisë, konkretisht vetëm me një degë, atë të Krajës”, tha Nikollë Camaj në fjalën e tij përshëndetëse. “Ky vendim i njëanshëm i kryetarit, si edhe refuzimi konstant që të mbajë mbledhjen e kryesisë apo kuvendin e partisë, u bënë “lëkura që fundosi anien”, prandaj ne vendosëm që të mos bëhemi pjesë e imazheve falco të Mehmet Bardhit, por vendosëm që manifestimin me rastin e 25 vjetorit ta bëjmë në Tuz, aty ku edhe u themelua, para plotë 25 viteve. U themelua nga veteranët e kësaj partie si Tahir Gjonbalaj, Ahmet Gjonbalaj, Haxhi Lajçi e të tjerë që ishin në takim dhe nga Lekë Lulgjuraj e Ali Daci që nuk ishin prezent. Tahir Gjonbalaj foli për historikun e themelimit të Lidhjes, i cili me pak fjalë përkujtoi çastet që nga takimi me ish-deputetin Lekë Lulgjuraj në Prishtinë, në pranverën e vitit 1990, e deri te kuvendi nismëtar në Ulqin, e pastaj te Kuvendi themelues në Tuz, me 09. 09. 1990, ku kryetar u zgjodh Mehmet Bardhi. Pastaj, të pranishmëve u drejtuan edhe Sadri Balidemaj, Haxhi Lajçi e Xhimi Daci, të cilët po ashtu folën për defektin që shkaktohet nga mungesa e organizimit të kuvendit zgjedhor dhe për shak të mosdhënies së raportit financiar. “Këtu flitet për miliona e unë ju betohem se nuk di gjë për to, prandaj dua të shkarkoj çdo lloj përgjegjësie, sepse përgjegjësinë e ka personi i vetëm që ka mbajtur vulën dhe nënshkrimin për shfrytëzimin e tyre” tha ndër të tjerat Sadri Balidemaj. Të pranishmi i përshëndeti edhe Fadil Fazlia, i cili ftoi kreun e partisë që të bëjë ç’është e mundur që të zgjidhet problemi, sepse shqiptarët kanë me çfarë të merren, pa u marrë me njëni tjetrin. Në takim nuk pati fjalime e porosi pompoze, përjashtuese, por vetëm u përsëritën fjalët që mund të lexohen në deklaratet e mëparshme se ata që nuk mendojnë si kreu partiak, nuk janë as “të kapur” e as nuk ndjekin “interesat personale”, sepse deklarimet dhe kërkesat për mbajtjen e mbledhjes së kryesisë së partisë, para festës, apo edhe të kuvendit zgjedhor, nuk janë mëkat, e aq më pak hile apo tradhti, siç po tenton t’i paraqesë “pala tjetër”. “Mëkat, hile e edhe tradhti idealeve të cilat i bashkuan aktivistët para një çerek shekulli, bëjnë ata të cilët nuk respektojnë aktet e partisë së vet, ata që nuk respektojnë bashkëpunëtorët e vet, ata që refuzojnë të mbajnë kuvend zgjedhor për 15 vite, ata që nuk japin llogari financiare për dy dekada. E pastaj i akuzojnë të tjerët për mbrojtje të “interesave të vogla personale”. Natyrisht, sepse në këtë mënyrë duan të mbulojnë interesat e veta, të mëdha. Por dielli nuk zihet me shoshë” u tha në fjalët përshendetës. Si përfundim, së bashku me urimin për çerek shekulli veprimtari, mesazhi i qartë ishte që të ngjeshen radhët dhe të mëkëmbet LidhjaDemokratike, si subjekti i parë i shqiptarëve në Mal të Zi dhe ta shpëtojmë nga fundosja që po ia përgatisin ata që ishin të paguar, këto 25 vite, për ta ruajtur. Prandaj nuk do të lejohet devalvimi i subjektit të parë politik të shqiptarëve, as për interesa të vogla, as të mëdha, të kujtdo qofshin, e as për interesa të zyrave që skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi e duan pa Lidhje Demokratike. Në fund, të pranishmit i argëtuan me këngët e veta “all capello” Mirsada Krasniqi, Lekë Dedvukaj dhe Ismail Balidemaj.

Lidhja demokratike: Malësi, Plavë-Guci dhe Rozhajë

11988341_1034948073204303_7362903063912061193_n11181735_1034946039871173_4762493517220172819_n