Diskriminimi ndaj popullit shqiptar në Mal të Zi është në vazhdimësi, shkruan në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Mal të Zi.
Korrupsioni paraqet njërin ndër problemet më të mëdha kur është fjala për të drejtat e njeriut në Mal të Zi. Është i përfshirë në shëndetësi, arsim, si dhe në departamentet e ndryshme qeveritare duke përfshirë këtu edhe në polici. Korrupsioni në Mal të zi është i karakterizuar nga mosndëshkimi, duke favorizuar struktura të caktuara politike, nepotizmi dhe ndjekje selektive e kundërshtarëve, shkruan në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Mal të Z, transmeton gazeta Vijesti.
Ndërsa, zyrtarë të shtetit amë (Shqipërisë) marrin si shembull respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe politikanët shqiptarë në Mal të Zi të cilët flasin për përmirësimin e dukshëm të pozitës së shqiptarëve, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit shkruan për diskriminimin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve por dhe romëve e boshnjakëve.
“Ka raste të sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa disa incidente të mëparshme të dhunës dhe kërcënimeve kundër gazetarëve mbeten gjithnjë të pazgjidhura,” shkruan në raport.
Në raport theksohet se janë përkeqësuar kushtet për veprimin e organizatave joqeveritare (OJQ-ve), mediave dhe sektorit civil në përgjithësi.
“Përkundër asaj që disa media dhe OJQ tregojnë për skandale të ndryshme, deri tani nuk është ngritë asnjë padi kundër një politikani apo zyrtari qeveritar”, theksohet në raportin e Departamentit të Shtetit. /MALESIA.ORG/