Nga komuna urbane pa kompetenca minimale, në komunë në kuadër të Kryeqytetit – Podgoricës, por jo komunë si 21 komunat tjera në Mal të Zi.
Statusi i shumëpërfolur dhe i premtuar me qindra herë i Komunës së plotë së Malësisë, si një e drejtë elementare qytetare, tashmë e qartë se nuk gjendet në agjendën e partive “qytetare” por as të subjekteve shqiptare.
Parlamenti i Malit të Zi më 14 tetor do të shqyrtojnë disa ligje, me miratimin e të cilave do të krijohen parakushtet për formimin e vetëqeverisjes lokale të Malësisë, raporton rtcg, por në kuadër të Kryeqytetit – Podgoricës.
Për këtë temë para pak ditësh kanë biseduar udhëheqësit e Partisë social demokratike (SDP) dhe përfaqësuesit e Partive shqiptare; Fadil Kajoshaj nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Gjergj Camaj dhe Nik Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare, Fatmir Gjeka nga Partia Demokratike, Smajl Çunmulaj dhe Vasel Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare.
Propozimi (eksperimenti) i ri nuk është vetëqeverisje e plotë ashtu si 21 komunat tjera në Mal të Zi.
Është plotësisht në kundërshtim me premtimet e panumërta të cilat janë dhënë qytetarëve të Malësisë, sidomos premtimeve para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012. Në tribunën në Tuz, kryetari i DPS-së Milo Djukanovic kishte thënë se qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen sepse DPS-ja do të jetë garant i dëshirës së qytetarëve të Malësisë në referendumin konsultativ për statusin e ardhshëm të Malësisë. /MALESIA.ORG/