Nga kultura e kujtesës së popullit tonë – Leonard Tagaj- Patër Zefi i Traboinit

pater zefi i traboinitShkruan: Nokë Sinishtaj

Për Patër Zefin e Traboinit kam dëgjuar që herët, në moshën gjashtë vjeçare nga goja e nënes sime Age Uces e lindur në Arzë, fare pranë kishës ku kishte shërbyer ai vetë. I bie të jetë viti 1950. Atë ditë, 28. Gusht, 1950,në vigjilje të festës së Shën Gjonit të Hotit, nëna na kishte larë e pergaditë me një ritual të parvjetshëm për të dalë te dajat në festë. Fillimisht, kalonim nëpër Gurrec, pranë shtëpisë së Martin Nikës Kalaj. Por te Lugjet e Thella, nëna ime ndaloi, u ul në gjunjë, bëri kryqin e me një zë të pikëlluar tha: „Që këtu e kanë vra komunistat fratin e Traboinit, Patër Zefin“.

Pothuajse askush në Famullinë e Traboinit nuk e njihte për emër, Leonard, ndërsa mbiemrin Tagaj ia dinin.

Ngadalë, arritëm në Arzë, në kasollen e babait të nënës sime, Uc Husit. Ai ishte njeri i varfër, krejtësisht i verbër por mjaftonte që të shqiptonim vetëm një fjalë dhe ai na njihte të gjithëve.

Përveç viteve 1956 dhe 1959 që isha në festë me gjyshen time Tereze Zefja, të quajtur “ Nana e Buks“ , vitet e tjera çdo herë shkoja te dajat në Arzë ku tashmë ishte bërë ritual nga nëna që te Lugjet e Thella të binim në gjunjë e të thonim një Ati Ynë dhe Besojmë. Ënde e ruaj të freskët fjalën e tezes sime Dranes e martuar në Ulqin në Rudaj, e cila po vinte bashkë me ne në festë. Sapo përfunduam uratët, ajo lëshoi një huqaaaa:“ Ktu e patën mushketue komunistat Patër Zefin e Traboinit.“ Si e ruanin në heshtje dhe në lutje nënat tona këtë ngjarje është për tu admiruar.

Famullitari i Traboinit,Patër Kola Berishaj, vinte disa herë në vit që të mbante meshë në shtëpinë

Tonë, në Shytaj.Vëllau i tij, Gjeto Preka e kishte për nuse kushërirën time,Age Nikollën, ashtu që

ne ishim miq, e frati vinte me kënaqësi. Parmenet e meshës shpesh i linte tek ne. Nganjëherë

më duhej që ti riktheja në kishë. Frikohesha që të kaloja nëpër Lugje të Thella sepse atje ishte vendi ku e kishin vrarë meshtarin, dhe ky vend në zemrën time të re ngjadhte frikë prandaj kaloja nga Gropa e Grudës, nëpër Skorraq e pastaj ngjitesha për tek kisha në Arzë.

Në vitin 1973 kur dola në Traboin si famullitar,gjatë gjithë kohës i binte që të rrija pranë varrit të tij, Pater Zefit pasi Patër Kola e kishte ndërtuar ngjitur me sakristi, “Sacerdos“.Aty i kam kaluar sa e sa orë së bashku me “breviar” duke biseduar shpirtërisht me Patër Leonardin, OFM. Plakat e Traboinit bisedonin me pietet për nënën dhe mbesën e Patër Zefit, kurse burrat me një quasi psst…bisedonin tinëz e në heshtje historinë tronditëse te pushkatimit. Në një raft, brenda në kishë, kam gjetur dy libra, Lovro Mihaqeviq dhe Volter që ishin libra të Leonard Tagajt, me emër e mbiemër madje edhe me fotografi brenda.Kjo dëshmon se Patër Zefi ishte njeri pa kufinjë sa i takon literaturës, por me një shije tejet të hollë për filozofinë dhe dijen në përgjithësi.

Gjatë shërbimit si famullitar, isha në Lugje të Thella tre herë: Me Mark Lushin dhe me

Prek Gjonin Gojçaj; me Marash Dok Lanin Dedvukaj ; si dhe me Fran Zefin Nicaj e Gjergj Martinin Dushaj.

Komunizmi ishte ende në fuqi. Spiunazhi ishte kudo, ashtu që edhe muret e banesës kishin

veshë. Medet, Malësia jonë ka pas, ka, e deri kurë do të ketë toger-baba?!!

Qëllimi satanik i Enver Hoxhë-s dhe Mehmet Shehut ishte ta shkatërronte krejtësisht klerin dhe kristianizmin – Gegë.

Malësia e Madhe jashtë kufirit administrativ , Hoti me Grudë, Koja me Triesh, ishin “niemands Land”. Sa e sa heronj e martir presin që ti qesë në dritë penda e të vërtetës dhe ajo e historianit serioz!

Mes tyre ka, jo vetëm Patër Zefa, por sa e sa Camaj, Lulgjuraj, Kalaj etj.

Gjatë vitit 1974, isha në Detroit ku për një muaj zëvendësova Famullitarin e malësorëve të Detroitit Don Pren Ndrevashaj që kishte nënën e sëmurë në Romë. Atje, gjatë predikimit mes tjerave thashë se kisha ngelur vetëm në kishë bashkë me Patër Zefin. Dita ditës nga Malësia largoheshin plot familje. Unë, në SHBA kisha dy vëllezër e pesëmbëdhjetë kushërinj të parë e sa e sa nga brezi i dytë që nuk ua di numrin. Pas meshës, disa hotjan më këshilluan që të heshtja sepse kjo përbënte rrezik.

Posa u ktheva, më erdhi UDB-ja në qelë të kishës.

Pope, šta ste brbljali iseljenicima?

Kalova pa komplikime por me kercenime: „pazite pope šta govorite“.

Në fund të vitit 1975 u largova nga famullia e Traboinit. Kisha shumë libra prandaj shkova në Titograd, në doganë që ti nisja. Me mua ishte edhe Dr. Kovaçeviq (Bato). Duke mi kontrolluar librat hasën në „Crtice iz Arbanashke Povijesti“ nga fra Lovro Mihaqeviq

dhe në Voltair. Zotni Kovaçeviq interesohej shumë për historinë. Në zemër të librit të

Voltair kisha disa fotografi të Patër Zef- Leonard Tagaj dhe nënshkrimin e tij në libër.

Këtë datë e mbaj mend shumë mirë sepse atë ditë kishte lind fëmijën e pestë motra ime Maruka (Ruka) e martuar Lucgjonaj në Narhelm. Do të rikthehemi,- tha Bato,- e mos u bë merak se do ta rregulloj unë situatën.

Unë u nisa për Zagreb kurse dy librat e lartpërmendur më mbeten te Dr.Kovaçeviqi.

Dalëngadalë situata politike muar teposhtën,Jugosllavia u shkatërrua,kurse librat më mbeten te zotëria Bato. Dy kujtime me shumë vlerë për mua që ishin të tijat, personale. Por gjërat humbasin edhe nga fletët e librit, mirëpo asnjëherë nga kujtesa e fortë e popullit tonë.

Vjen i huaji e të hynë në konak, e pret me gjithë të mirat, e vëndos në krye të vendit, e shërben me zemër të pastër. Asnjëherë nuk e përbuzë as nuk e nënçmon. Kurse ai,jo vetëm se të thotë „IK DEL JASHTË SE KJO ËASHTË SHTEPIA IME“, por të poshtëron, të shanë e bëhet zot shtëpie në shtepinë tënde, në oxhak e truall tënd. Në fund të fundit, pa gjygj të vret si qen rrugësh, si kriminel.

Nga kleri i tre feve botërore, janë meshtarët ata që më së paku merren me politikë. Patër Zefi në atë kohë ishte jo vetëm udhëheqës shpirtëror por edhe fisnor, krahinor e kombetarë; ai ishte një patriot i pastër kundër gënjeshtrave historike, kundër shpërnguljes së popullit malësorë autokton, kundra tjetërsimit të emrave dhe mbiemrave tradicional tipik kombëtar. Patër Zefi mbi të gjitha, ishte një patriot i zjarrtë.