Shqiptarët në SHBA: Shtetit malazias po i pengon çdo gjë shqiptare

gjimnazi tuz festonReagim i shoqatave ndaj kërcenimeve të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi

Shoqatat shqiptare me veprimtari në SHBA me origjinë nga trojet tona etnike nën Malin e Zi reagojnë dhe dënojnë ashpër kërcënimet e Ministrisë së Arsimit të shtetit malazias ndaj nxënëseve shqiptarë të shkollës së Tuzit, të cilët me simbolet e tyre kombëtare festuan plasmanin historik të Shqipërisë në kampionatin Europian.

Shoqatat tona vlerësojnë se shtetit malazias po i pengon çdo gjë shqiptare, urrejtja ndaj qenies shqiptare e dëshmoj dhe konfirmoj përmes një deklarate Ministria e Arsimit të këtij shteti me reagimet e saja tendencioze kinse për qortimin e nxënëseve shqiptarë vetëm se festuan me flamurin e tyre kombëtarë duke mos shkaktuar asnjë incident më të vogël.

Vallë ku ishte kjo e ashtuquajtur Ministri e Arsimit kur në tërë Podgoricë e anembanë Malit të Zi u festua me flamuj të Serbisë fitorja ndaj Shqipërisë dhe nuk kishte asnjë reagim.

Absurditet i llojit të vetë është fakti se vetë institucionet malaziase nuk respektojnë Kushtetutën e tyre, sepse kushtetuta u lejon shqiptarëve përdorimin e simboleve kombëtare ndërkaq ligjet e po të njëjtit shtet e ndalojnë atë.

Shoqatat tona i habit edhe fakti se si vallë subjektet politike shqiptare heshtin dhe nuk reagojnë edhe kur sulmohen dhe kërcënohen edhe fëmijët e tyre.

Shoqatat vlerësojnë se ne momentin aktual është dashur te reagoj edhe organi kompetent, mbipartiak Këshilli Nacional i Shqiptareve (KNSH) nën Mal te Zi, dhe se heshtja e tyre nuk arsyetohet në asnjë mënyrë.

Shoqatat tona konkludojnë se partitë nacionale shqiptare me aleancat e tyre të interesit të ngushtë me partin në pushtet DPS po bëhen aprovuese të këtyre shkeljeve dhe nëpërkëmbjeve të të drejtave të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Ne ia bëjmë me dije rinisë sonë se ne mburremi me ju në çdo aspekt të jetës dhe se ne me plot përkushtim do të përkrahim aktivitetet, edukimin dhe qëndrimin e rinisë në vendlindjet tona.
shoqatat:

Shoqata Atdhetare ’’Ana e Malit’’-New York

Shoqata Atdhetare ‘’Malësia e Madhe’’- Detroit

Fondacioni ‘’Plavë Guci’’- New York

Fondacioni Humanitar ‘’Malësi e Madhe’’- New York

Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’- New York

Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’- New York

Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago

New York, Detroit, Chikago