Lulgjuraj fton faktorin politik shqiptar në MZ të gjejnë gjuhë të përbashkët me organizatorët e protestës

Anton-LulgjurajKryetari i Forumit Demokratik për Integrime Anton Lulgjuraj ka dhënë një deklaratë në lidhje me protestat e partive opozitare në Mal të Zi. Deklaratën e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Pas intervistës së sotme në Vizion Plus, në emisionin “7 pa 5” për të përmbyllur edhe në mënyrë të shkruar atë që kam thënë, për lexuesit dua të deklaroj në mënyrë të shkruar në lidhje me qëndrimin tim:

  1. Protestat në Mal të Zi janë një zhvillim tejet i rëndësishëm e njëkohësisht edhe delikat për vetë Malin e Zi, por mbi të gjitha për orientimin dhe përspektivën e shqiptarëve në Mal të Zi. Shqiptarët në Mal të Zi janë plotësisht të vendosur për të përkrahur anëtarësimin e Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut të Veriut, Integrimin në Bashkimin Evropian dhe Euroatlantik;

  2. Si një element themelor i demokracisë, protesta është e pakontestueshme. Prandaj, mbështes fuqishëm të gjitha forcat që kanë orientim pro – perëndimor dhe të përgjegjshëm në Mal të Zi;

  3. Qeverisja dhe Pushteti 25 vjeçar i Kryeministrit aktual Milo Gjukanoviq, nuk është tregues i demokracisë brenda shtetit. Nuk ka asnjë shenjë dhe element demokracie. Jemi i vetmi vend në Evropë që ende nuk e kemi ndryshuar këtë pushtet të korruptuar;

  4. Në lidhje me incidentin ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë besoj se jam qartësisht i pozicionuar. Unë dënoj çdo akt dhune ndaj organeve shtetërore apo selive diplomatike të shteteve të huaja. Kam dhënë sygjerimin tim ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë që të ketë më shumë durim dhe më shumë maturi në deklaratat që jep për arsye se duhet parë nëse kishte plane të mirëhartuara për t’ja mveshur këtë akt të shëmtuar organizatorëve të protestës;

  5. Inkurajoj faktorin politik shqiptar në Mal të Zi që të gjejë gjuhën e përbashkët të komunikimit me organizatorët e protestës të cilët në çdo mënyrë duhet të udhëhiqen nga një marrëveshje dhe deklarim i qartë i Liderëve të partive opozitare, në raport me mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, të drejtat e tyre dhe përfaqësimin proporcional në organet shtetërore. Në këtë prizëm do duhej të kishte rol edhe Tirana zyrtare;

  6. Unë jam deklaruar hapur që nuk negocioj me Kryeministrin e korruptuar Gjukanoviq sepse qeverisja e Tij nuk ka sjellë asnjë shenjë përmirësimi për shqiptarët brenda territorit të Malit të Zi. Përgjatë një shekulli, pozita e shqiptarëve në Mal të Zi është më e dobët në kohën e pluralizmit. Gjatë pluralizmit u krijuan të gjitha kushtet për “dëbim kolektiv”, duke përmbyllë edhe aktin gjenocidial shtetëror. Numri i shqiptarëve për gjatë dy dekadave ka rënë gati 3% në nivel shtetëror. Jemi i vetmi shtet në Evropë që për 25 vjet nuk e kemi ndërtuar asnjë autostradë. Nuk ka zhvillim ekonomik as infrastruktural. Do të thotë që nuk ka përspektivë jetesë në atë shtet. Çdo gjë është e kontrolluar dhe e monopolizuar nga pushteti.

  7. Nëse Liderët politik të partive të të ashtuquajturave “parti shqiptare” arrijnë që të bëjnë një marrëveshje me pushtetin aktual, do e mbështes për të mirën e shqiptarëve. Por, dyshoj fort sepse për 25 vjet pluralizëm, vazhdojmë ende të diskutojmë për të drejtat elementare njerëzore siç janë: përdorimi i lirë i gjuhës shqipe, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare, arsimi i shqiptarëve, vetëqeverisja lokale për Malësinë, kthimi i pronave të shqiptarëve, kthimi i të mirave detare etj. Do të thotë që jemi bërë preh e mashtrimeve dhe insteresave ngushtësisht personale të Qeverisë aktuale të Malit të Zi. Partitë e ashtuquajtura “parti shqiptare” partecipojnë me Qeverinë pa asnjë platformë dhe pa asnjë marrëveshje në lidhje me të drejtat dhe objektivat politik të shqiptarëve në Mal të Zi;

  8. Besoj se interesi shtetëror i çdo shteti është të arrijë investime sa më të larta për të zhvilluar ekonominë e vet. Nuk përjashtoj mundësinë e influencës së krahëve lindor në Mal të Zi, por sido që të jenë, janë shumë më të dobët se krahu i perëndimorëve. Në këtë mënyrë bjen poshtë teoria që influenca ruse është shumë e madhe. Është përqindje shumë e vogël e partive parlamentare opozitare që kanë bindje politike dhe qëndrim ndoshta pak më radikal në përspektivën e integrimit të Malit të Zi, por kjo për asnjë çast të vetëm nuk duhet të legjitimojë pushtetin antishqiptar dhe tejet të korruptuar të Kryeministrit Gjukanoviq. Nuk duhet të rrezikohet stabiliteti i brendshëm i shtetit për një individ.

Të gjitha këto që përmenda më lartë, besoj se mjaftojnë për të qartësuar për lexuesit pozicionin tim për valën e protestave që u bë dhe që do vazhdojnë në Mal të Zi.

MSC. Iur. Anton Lulgjuraj
Ass. Lek. në UET
Kryetar i Forumit Demokratik për Integrim