Sërish protesta në Malin e Zi, të shtëna dhe gaz lotësjellës në Podgoricë

protesta podgorice tetor 2015Në Mal të Zi janë rikthyer tensionet. Në Podgoricë, prej orës 19:00 ka nisur protesta e paralajmëruar nga opozita.

Opozita malazeze e Frontit Demokratik i kishte dhënë ultimatum kryeministrit Milo Djukanovic ditën e sotme për të pranuar një qeveri teknike, gjë të cilën Djukanovic e ka refuzuar.

Turma, që sipas mediave shkonte deri në më shumë se 10.000 mijë persona, ka marshuar në rrugët kryesore të Podgoricës drejt sheshit Republika e më tej para Parlamentit.

Sipas të dërguarit të Top Channel, turma ka tentuar të hyjë në selinë e Parlamentit, por është zmbrapsur nga ana policisë malazeze, e cila ishte me forca të shtuara.

Kjo ka bërë që protestuesit të reagojnë duke hedhur gurë ndaj forcave të rendit, të cilat janë përgjigjur me gaz lotësjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë dhe më pas kanë nisur t’i ndjekin ata në rrugicat e qytetit. Nga vendi i ngjarjes raportohet edhe për të shtëna armësh dhe vitrina dyqanesh të thyera.

Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për Top Channel, një nga liderët e Frontit Demokratik, Milan Knezevic, kishte thënë se protesta bëhet për gjendjen ekonomike të Malit të Zi dhe kundër regjimit njëzetvjeçar të Djukanovic.

Ai kërkoi që shqiptarët e Malit të Zi të mos e votojnë më atë. Por në protestën e radhës së opozitës sërish u dëgjuan thirrje kundër Kosovës dhe u shfaqën simbole antietnike.

Ndërkohë, qeveria malazeze e komentojnë protestën si të nxitur nga faktorët që nuk e duan Malin e Zi në NATO.

Sipas tyre, tensionimi vjen pikërisht në prag të marrjes së ftesës së anëtarësimit. Madje, mazhoranca thotë se në këtë çështje ka ndërhyrë Moska, e cila kërkon rritjen e ndikimit të saj në Ballkan.

Politikanët shqiptarë nga partitë nacionale kanë mbetur neutral duke mos u deklaruar publikisht në lidhje me protestat e opozitës. Ndërkaq, deputeti shqiptar Dritan Abazovic nga partia U.R.A. sot ka shprehur përkrahje për protestuesit. /Top Channel/MALESIA.ORG/