Me pre-kompozimin në parlamentin lokal të Ulqinit, DPS shumë shpejt mund të bëhet pjesë e qeverisjes lokale, deklaroi për gazetën Vijesti kryetari i DPS-it në Ulqin Loro Nrekiqi.
”Tani kur partneret e koalicionit janë në zonën e mosmarrëveshjeve publike, DPS e sheh mundësinë që si partia më e madhe me 9 këshilltarë të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e qytetit”, ka deklaruar Nrekiqi pas mosmarrëveshjeve në mes partnereve (Forcës dhe Partisë Demokratike) të koalicionit qeverisës në Ulqin.
Në anën tjetër kryetari i Forcës, Nazif Cungu, e ka pranuar se situata aktuale në mes partnerëve të qeverisë aktuale në Ulqin është e keqe dhe se është shumë diskutabile përkrahja e këshilltarëve të Forcës.
Në zgjedhjet e fundit lokale në Ulqin, e para ishte DPS-ja me 9 mandate të fituara, Forca e dyta me 8, e pasuar nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Fatmir Gjekës me 7 mandate të fituara.
Asokohe, subjektet politike shqiptare, pas negociatave të gjata patën arritur marrëveshje për krijimin e qeverisjes lokale të Ulqinit të përbërë nga subjektet shqiptare. Por siç duket, kjo përsëri po vjen në pikëpyetje, ku DPS-ja e Milo Djukanovic mund të vihet në krye të Komunës së Ulqinit, dhe ajo e me veprime të subjekteve shqiptare. /MALESIA.ORG/