Presidenti Nishani nderon prijësin legjendar Dedë Gjon Lulit me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 05Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm drejtues të njësive vendore, përfaqësues të Malësisë së Madhe, studiues, historianë, miq nga Kosova dhe nga diaspora shqiptare, etj., Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nderoi atdhetarin e shquar dhe prijësin legjendar të luftës për
liri dhe pavarësisë, Dedë Gjo Luli (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë të veprimtarisë dhe kontributit të shquar atdhetar si prijës legjendar e i paepur në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare dhe udhëheqjen e tij vizionare të lëvizjes kombëtare për liri dhe
pavarësi”.

Në këtë veprimtari solemne me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së heroit dhe prijësit Dedë Gjo Luli, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë dhe nderin që, në cilësinë e Presidentit të Republikës, po vlerësonte dhe të nderonte një atdhetar të spikatur, një luftëtar sypatrembur, një
strateg dhe një burrë trim që nuk kurseu asgjë, as jetën e tij, për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër copëtimit dhe shpërbërjes.

“Para 100 vitesh teksa fliste në nder të Dedë Gjo Lulit, Luigj Gurakuqi profetizonte se: ‘Nuk e kemi nderuar siç duhet historinë e Shqipërisë deri në momentin që në një
shesh të denjë të kombit, një monument i komandantit të kryengritjes kombëtare nuk do të vigjilojë mbi ne’. Të dy patën një jetë madhështore dhe një vdekje tragjike, si heronjtë e antikitetit, por pikërisht ata u bënë themeli i asaj ndërtese që quhet shtet shqiptar. Po, sot Dedë Gjo Luli është në Tiranë pas një udhëtimi të gjatë shtigjeve të historisë. Është këtu afër Gjergj Kastriotit Skenderbeut për të na rrëfyer se çfarë është Malësia e Madhe dhe bijtë e saj, shqiptarë dje e shqiptarë sot, patriotë pa mëdyshje, pa hezitim, të gatshëm për gjatë shekujve për t’i shërbyer këtij vendi, identitetit të tij evropian pa pyetur për çmimin e sakrificës pa e vajtuar gjakun e derdhur.” – vuri në dukje Presidenti.

“Dedë Gjo Luli është këtu për të na rrëfyer betejat e mëdha të shqiptarve për liri e pavarësi, si luftar në Vraninë, si komandant në Lidhjen e Prizerenit, si prijës e valvitës i flamurit të Skënderbeut në Bratile të Deçiçit, në kryengritjen heroike të malësorëve në vitin 1911, këndvështrimi i secilës përvijoji Shqipërinë, pavarësinë saj. ‘Pushkë e ngrehun për Shqipërinë’, e pat thirrur Ismail Qemali, tek e priste në selinë e Qeverisë së Parë. Por Ded Gjo Luli ishte me shumë se kaq. Dedë Gjo Luli ia kushtoi të gjithë jetën e tij kauzës së përbashkët, idesë kombëtare, luftës së vazhdueshme për të shpëtuar nga zgjedha shekullore e okupatorit osman. Ai ishte prijësi, udhëheqësi i kryengritjes së Malësisë së Madhe, të asaj kryengritjeje që ndezi shkëndijën e atij zjarri të madh që ngriti në këmbë të gjithë Malësinë e Madhe, të asaj lufte që ndezi flakë të gjithë Ballkanin që të lindte Shqipëria e pushtuar për pesë shekuj.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.

“Ngritja e flamurit më 6 prill 1911 në majën e Malit të Deçiqit dhe programi i pavarësisë kombëtare i Greçës më 23 qershor të po atij viti, ka dëshmuar se qarqet atdhetare brenda e jashtë vendit kanë gjetur te malësorët dhe te udhëheqësit e prijësit e tyre, me në krye Dedë Gjo Lulin, një terren plotësisht të favorshëm në dobi të çështjes kombëtare. Prijësi legjendar ishte i pathyeshëm përball kujtdo që e mësynte, sepse ai ishte i vendosur të ecte në rrugën e detyrës ndaj atdheut, si atdhetar i kulluar dhe, se ai pati lidhur besë me një vend ku besa ishte institucion, ku besa konsiderohej e shenjtë para Zotit. Ata burra, prijës dhe luftëtarë, i bashkonte nderi që rrjedh nga respektimi deri në sublim i këtij atributi të moçëm. Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha, trupi dhe shpirti. Dedë Gjo Luli është këtu për të na thënë që ka lënë pasardhës që frymëzuan kombin në orën e tij më të rëndë.” – shtoi më tej Presidenti.

Duke folur për trevën e famshme atdhetare të origjinës së heroit, Presidenti u shpreh se: “Emërtimi unik “Malësi e Madhe” është i vjetër sa edhe banorët e këtyre anëve dhe lidhet jo vetëm me karakterin malor të kësaj krahine, por edhe me historinë, karakterin burrëror të malësorëve dhe me madhështinë e maleve aq sa edhe të banorëve të saj. “Malësia e Madhe” nuk është thjesht një emërtim gjeografik, por edhe një nocion historik, moral e shpirtëror.Nderimi i një heroi të madh, të spikatur për cilësitë e tij atdhetare, përbën një risi që u bën nder të gjithë brezave. Nuk duhet harruar për asnjë çast se Dedë Gjo Luli vjen prej një krahine atdhetarësh të spikatur, të kultivuar, nga një tokë e punuar bukur për atdhetarizëm, nga një vend mikpritësish të mirënjohur dhe me një popullsi nga më fisniket e trevave shqiptare. Heronjtë e kësaj treve sado të ndryshëm ngjajnë shumë me njëri tjetrin, luftëtarë apo shkrimtarë qofshin, klerikë apo artistë, shkartisen mes tyre në trimëri, virtyt, inteligjencë e talent. Diçka të Dedës e gjen tek Prek Cali, tek At Zef Pllumi, tek Luk Kaçaj, tek At Konrad Gjolaj, tek At Marin e Aleksandër Sirdani, tek Dom Ded Malaj, martirë të lirisë, besimit e kulturës pa klon, pa dogma e pa frikën e dhunës dhe gjuhën prej teneqeje të propagandës. Nder për jetë atyre!”

Presidenti Nishani nënvizoi se: “Gjej rast nën hijen e fisme të Dedë Gjo Lulit tashmë në Tiranë, në këtë prag të festës së pavarësisë të theksoj se e shkuara i flet së tashmes dhe se nesërmes nëpërmjet jetës dhe veprës së këtyre personaliteteve. Na kujton se shumë gjak është derdhur se shumë sakrifica janë bërë për një Shqipëri të lirë dhe evropiane, në paqe dhe demokraci ndaj ta bëjmë atë më të begatë më demokratike më evropiane ashtu siç e dëshiruan dëshmorët e Atdheut.”

Në përfundim të fjalës së Tij, Presidenti shprehu besimin se e kemi përmbushur më së miri misionin tonë të gjithë së bashku si në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë, duke i dhënë vendin e duhur dhe duke i bërë nderimin më se të merituar atdhetarit, kryetrimit, shqiptarit të madh, Dedë Gjo Luli, duke i dorëzuar më pas dekoratën më të lartë pasardhësit të heroit, zotit Vat Marash Dedvukaj.

dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 01 dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 02 dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 03 dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 04 dekorata flamuri kombetar - dede gjon lulit 05