NATO-ja ftoi Malin e Zi t’i bashkohet aleancës ushtarake, që do të shënonte kësisoj zgjerimin e saj të parë në 6 vite.
Vendimi, i përshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg si “historik”, vjen një dekadë e gjysmë pas bombardimit të vendit nga forcat e aleancës së Atlantikut të veriut, gjatë luftës së Kosovës, atëherë kur ishte ende pjesë e Jugosllavisë.
Rusia, kundërshtare e një lëvizjeje të tillë, vazhdimisht ka paralajmëruar se hedhja e këtij hapi do të kërcënojë qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Bisedimet e anëtarësimit pritet të zgjasin rreth një vit.
“Ju kërkoj tani të konfirmoni se, e kemi konsensusin për ta ftuar Malin e Zi të çelë bisedimet e anëtarësimit në aleancën tonë. Mund të ma jepnin këtë konfirmim? E shoh që po, faleminderit”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Edhe pse Stoltenberg këmbënguli të tregonte se, afrimi i Malit të Zi në këtë rast nuk ka të bëjë aspak me Rusinë, vendimi shihet si një sfidë e hapur ndaj Moskës, që këmbëngul se çdo shtrirje e aleancës në Ballkan do të shihej prej saj si provokim.
Diplomatë brenda aleancës citohen megjithatë nga “Reuters” të thonë se, lëvizja i dërgon sidoqoftë Moskës mesazhin se nuk e ndalon dot zgjerimin e aleancës në lindje.
“Këto janë kohë të vështira e sfiduese për aleancën. E kuptojmë se uniteti dhe solidariteti nevojiten, sot më shumë se kurrë, dhe unë mund t’iu siguroj se Mali i Zi vepron që tani si të ishte anëtar i saj, po të kemi parasysh kontributin e tij për qëndrueshmërinë euroatlantike”, tha Igor Luksiç, ministër i Jashtëm i Malit të Zi.
Shteti bregdetar në buzë të Adriatikut, me një popullsi prej vetëm 650 mijë banorësh, ka një ushtri shumë të vogël me rreth 2.000 pjesëtarë aktivë. Edhe pse për qeverinë e Milo Gjukanoviçit oferta e NATO-s është mëse e mirëpritur, malazezët vet janë thellësisht të përçarë, nëse vendi duhet t’i bashkohet apo jo aleancës transatlantike.
Një pjesë e njerëzve vazhdojnë të ushqejnë mëri të vjetra për bombat e 1999-s, ndërsa që prej shkëputjes nga Serbia në 2006-n, vendi i ka parë shumë të mira Rusisë, përfshirë këtu një vërshim të parave ruse, blerje shtëpish e terrenesh, apo edhe fluksin e pareshtur të turistëve.
Shqipëria ka përshëndetur Malin e Zi për marrjen e ftesës për anëtarësim nga NATO.
Ministria e Jashtme shqiptare shpreht se vendi ynë ka qënë një promotore e fortë e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, “pasi integrimi Euro-Atlantik është një vizion për një komunitet më të sigurtë dhe të qëndrueshëm trans-atlantik”.
Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi gjeostrategjike, thuhet në deklaratën e MPJ-së, pasi konsolidon arkitekturën e sigurisë në hapësirën e Europës Adriatike. / Top Channel/