Shtëpia mortore “Malësia” të jetë në shërbim të të gjithëve!

Dy shoqatat kryesore malësore në SHBA, gjegjësisht Shoqata “Malësia e Madhe” New York dhe Shoqata “Malësia e Madhe” Detroit, kërkojnë nga Këshilli i shtëpisë mortore “Malësia” në Vuksanlekaj, të mbajnë premtimin që kishin dhënë.

Nga shoqatat në fjalë, përkujtojnë se gjatë fushatës së grumbullimit të fondeve për ndërtimin e kësaj shtëpie mortore, nga përfaqësues të këshillit të sajë, ishte thënë se objekti do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të Malësisë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, fisnore, kombëtare apo ndonjë përkatësi tjetër.

Po ashtu, siç sqarojnë nga këto shoqata, asokohe ishte thënë qartë se në objekt dhe në oborrin e tij nuk do të ketë asnjë simbol fetar me çka s’do të veçohej fetarisht ky objekt.

Rikujtojmë se nga diaspora jonë në New York dhe Detroit për ndërtimin e këtij objekti janë grumbulluar rreth 200 mijë dollarë amerikan.

Deklaratën e plotë e ardhur në redaksinë tonë, po e postojmë të plotë.

KËSHILLIT TË SHTËPISË MORTORE “MALËSIA”- TUZ

Të nderuar bashkëvendës,

Së pari, në emër të Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York dhe Shoqata “Malesia e Madhe ne Detroit , gjegjësisht të komunitetit malësor në këtë metropole botërore .Ju uroj Festën e Flamurit kombëtar, që kaloi si dhe festat e mëdha të fundvitit: Shënkollin, Krishtlindjen dhe Vitin e ri 2016, me dëshirë që ato të sjellin shëndet, lumturi, mbarësi dhe harmoni familjare e kombëtare.

Meqë jemi bijtë dhe bijat e atij vendi me traditë të lashtë, të njohur për vlera të larta njerëzore e kombëtare, mendojmë se jemi të obliguar të gëzohemi me shpirt për çdo arritje të vendlindjes dhe popullit tonë, por edhe të shprehim keqardhjen nëse në ndonjë rast punët nuk shkojnë ashtu si duhet dhe na ka hije të gjithë neve. Andaj shprehim me këtë rast keqardhjen tonë për lajmet që po na vijnë nga vendlindja e dashur rreth disa mosmarrëveshjeve, ne mendojmë të panevojshme, të mos themi të dëmshme, nëse janë të vërteta, lidhur me Shtëpinë mortore “Malësia” me seli në Tuz. Aq më e madhe është keqardhja kur kemi parasysh faktin se ky objekt ka qenë më se i nevojshëm për banorët e Malësisë dhe diaspora malësore në SHBA është treguar më e gatshme se asnjëherë më parë, për të ndihmuar realizimin e këtij projekti. Letrën që na e keni dërguar Ju, si dhe fjalët e tre përfaqësueseve tuaj që na kanë folur qartë për nevojën dhe mënyrën e vënies në funksion të këtij objekti, i kemi kuptuar qartë dhe këto kanë bërë që njerëzit të mos hezitojnë në asnjë çast, por kanë ndarë mjete të konsiderueshme, duke ndarë edhe nga kafshata e gojës, për këtë qellim. Natyrisht se këtë e kemi çmuar si obligim tonin ndaj vendlindjes dhe popullit tonë që jeton atje. Në letër dhe në fjalët e përfaqësueseve tuaj është thënë qartë se objekti do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të Malësisë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, fisnore, kombëtare apo ndonjë përkatësi tjetër. Po ashtu na është thënë qartë se në objekt dhe në oborrin e tij nuk do të ketë kurrfarë simbolesh fetare, por ato mund të vendosen në ditën e hatrit, në sallën ku pranohen ngushëllimet. Të gjitha këto janë premtuar me qellim të ruajtjes, gjegjësisht forcimit të harmonisë ndër fetare, kohëve të fundit të lëkundur pa arsye, pse të mos themi edhe ndër fisnore.

Në fund na mbetet të Ju lutemi që këto premtime t’i respektoni plotësisht dhe me përpikëri, në mënyrë që të evitohet çdo përçarje ose pakënaqësi e panevojshme. Duke kërkuar falje për këto sugjerime tonat dhe me shpresë se do të na mirëkuptoni, Ju përshëndesim ngrohtësisht dhe Ju dëshirojmë çdo të mirë në punë dhe në jetë.

New York, 1 dhjetor 2015
Shoqata “Malësia e Madhe”- New York
Shoqata “Malesia e Madhe”-Detroit