Netanjahu: Ne kurrë nuk harrojmë miqtë tanë shqiptarë

Edi Rama - Benjamin NatenjahuGjatë Holokaustit Shqipëria ndihmoi hebrenjtë duke mos i dorëzuar ata në duart e nazistëve, shprehët kryeministri i Izraelit Benjamin Natenjahu.

“Ne kurrë nuk harrojmë miqtë tanë,” tha ai, duke theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se çka kishte para luftës.


Kryeministri Rama ka nisur një vizitë dy ditore në Izrael, ku u takua me homologun e tij Benjamin Netanjahu. Në qendër të diskutimeve mes dy kryeministrave ka qenë lufta e përbashkët ndaj ekstremizmit të dhunshëm, por edhe thellimi i marrëdhënieve në fushën e energjisë dhe të ujit.

Rama: Ne jemi shumë të qartë dhe të prerë në qëndrimin tonë ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës. Së fundmi ne kemi themeluar në Shqipëri një qendër rajonale për të ndaluar ekstremizmin e dhunshëm  dhe ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju, përkrah popullit izraelit për të mbrojtur vlerat tona dhe njerëzit tanë nga rreziku i terrorizmit dhe i çdo forme tjetër te ekstremizmit, në një vend i cili është krenar për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Në fund, por jo e fundit ne jemi shumë të lumtur që së bashku të parashikojmë një rritje të bashkëpunimit tregtar, një rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Kryeministri Netanjahu nënvizoi miqësinë mes dy popujve tanë dhe shprehur mirënjohjen për kontributin në shpëtimin e hebrejeve gjatë luftës së dytë botërore.

Netanjahu: Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë tanë, dhe vlerësojmë ndjenjën e njerëzimit dhe qytetërimit dhe kurajën që treguat gjatë kohës sonë më të zymtë. Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete. Sot terrorizmi na kërcënon të gjithëve. Izraeli lufton kundër terrorizmit përditë dhe nuk e ul asnjëherë vëmendjen. Por besoj se popujt sot i kuptojnë gjithnjë e më shumë se problemet e sigurisë ndërkombëtare janë të ndërlidhura. Kërcënimi terrorist është ndaj kujtdo, ai është në nivel ndërkombëtar, ndaj dhe përgjigjja duhet të jetë e tillë. Këto janë disa nga argumentet e diskutimeve.