Mali i Zi po shkon drejt përfundimit të marrëveshjes së demarkacionit me Kosovën. Një komitet parlamentar malazez ka mbështetur konfirmimin e marrëveshjes kufitare me Kosovën dhe një votim mbi këtë çështje mund të bëhet deri në fund të këtij viti.
Ministria e Brendshme është e vendosur të fillojë një proces dyvjeçar të shënjimit të vijës kufitare me Kosovën.
Të martën, komiteti legjislativ i parlamentit mbështeti marrëveshjen që qeveritë e Malit të Zi dhe Kosovës nënshkruan në gusht në Vjenë, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor.
Deputetët në komision mbështetën marrëveshjen pa vota kundër dhe rekomanduan që parlamenti të ratifikojë atë në përputhje me kushtetutën e Malit të Zi.
Partitë opozitare në Kosovë kanë protestuar me pasion kundër marrëveshjes për disa muaj, duke akuzuar qeverinë e Kosovës se është duke i dhënë territor Malit të Zi.
Ata kërkojnë anulimin e marrëveshjes, duke thënë se kufiri me Malin e Zi i vendosur nga kushtetuta jugosllave e vitit 1974, duhet të diskutohet zyrtarisht edhe njëherë në mes të dy vendeve.
Opozita thotë se qeveria në Prishtinë ka ndryshuar kufirin e vitit 1974 në avantazhin e Malit të Zi.
Por të hënën, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se pas një shqyrtimit të hartave nga viti 1940 e deri më sot, duke përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni i demarkacionit të kufirit, ishte e qartë se kufiri i përcaktuar kohët e fundit kufizohet së afërmi me kufirin e përcaktuar nga kushtetua e vitit 1974.
“Kufijtë që kemi përshkruar që nga viti 2008 përputhen me kufirin e propozuar të vitit 2015 në detaje,” tha Departamenti i Shtetit, duke shtuar se kishin shqyrtuar vijën e kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
“Ne konstatojmë se përfundimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian,” thuhej më tej.
Qeveria e Kosovës vlerësoi raportin e Departamentit të Shtetit mbi demarkacionin e kufirit, duke shprehur “mirënjohjen për verifikimin e linjës së kufirit” të saj.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi tha se Raporti i ShBA-ve konfirmoi se vendimi për demarkacionin e kufirit ishte i drejtë.
Kryesuesi i Komisionit të Malit të Zi për Demarkacionin, Milan Paunoviq në ndërkohë tha: “Kjo marrëveshje është bërë për kënaqësinë e ndërsjellë dhe ish-kufijtë janë konfirmuar.”
Paunoviq ka thënë se për dy vjet kohë kufiri më në fund do të shënohet dhe një komision i përbashkët Mali i Zi-Kosovë do të korrigjojë pjesë të caktuara të vijës së demarkacionit në mënyrë që ‘prona dhe tokat e vendasve të mos jenë të ndara mes dy vendeve”.
Kosova dhe Mali i Zi konsultimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje për demarkacionin e kufirit i kishin filluar në vitin 2011. Mali i Zi njohu Kosovën në vitin 2008. /BW/MALESIA.ORG/