Shënime për romanin “Kolorform” të Klara Budes
Simbolikisht, romani Kloroformi është një kërkesë për liri dhe një metaforë e dyfishtë që nënkupton së pari gjendjen e një shoqërie të qeverisur nga frika…
Pjetër Jaku
Terrori i paqes si vazhdim dhe mbarimi i një terrori të tipit ISIS, në një vend paqësor dhe të civilizuar, vjen nëpërmjet një metamorfoze të paimagjinueshme në romanin “Kloroform”, të autores Klara Buda. Një titull që do t’i shkonte një vepre shkencore, sidomos të mjeksisë së aplikuar, në kushtet e pakushtëzuara të një regjimi fatal, kthyer në një morg gjigand, që mund të marrë një komb brenda tij. Një sipërfaqe paqësore që hështëte për të mbijetuar, që fliste dhe hante me urdhër nga lart, që zgjohej e flinte syhapur nga armiqtë imagjinarë, të një regjimi gjakatar dhe të pashoq, mund të lexohet në nëntekstin e këtij romani, në dukje i lehtë dhe me kapërcime të domethënshme, që nuk shprehen në fjalë, në tekst. Me një fjalë,mos-harresë e një kohe të vargonjtë.
Letërsia si tekst, në shumë raste duhet të zërë vend si letërsi në qëllim. Është apo jo letërsi çdo tekst i shkruar në rreshta horizontalë, këtë e tregon përmbajtja, por edhe qëllimi për të cilin është shkruar. Asnjë hap nuk bëhët në levizje kuturu. Edhe natyra e ka të përcaktuar ciklin e saj të vazhdueshëm, por njeriu e ka të vështirë t’i shoh ndryshimet. Nuk ka asnjë letërsi pa pak ego, ndryshe egocentrizmi në një vepër, është fytyra e padukshëme e përsonazhit. Dhe kjo qartësohet artistikisht në Kloroformin e Budes. Një vulgatë e re, në një vend historik, mijëravjeçar, e bënë lukuninë e qenëve, sikur ata janë banorët më të lirë të një vendi të vetmuar, të mbytur në vetizolim total, duke i përsonazhizuar edhe ata.
Trilli artistik i një vepre letrare, si në rastin tonë “ Kloroform”, i kalon caqet individuale të krijimtarisë si dhunti natyrore. Një vend i mbyllur ka vetëm errësirë dhe, kjo errësirë që dukej dritë, nga shplarja e trurit me ideologji, na kujton një varg të Shekspirit : “ Looking on darknes which the blind do see.” Saktë: “ Duke shikuar errësirën që shohin të verbërit.” Secili prej nesh, që jetuam atë regjim të pabesueshëm për brezat që po vijnë, shihte në atë errësirë një mënyrë krejt të veçantë jetese, nga bota e civilizuar. Bashkëharmonizimi i përemrit vetor “ unë, ti dhe ne…” është një trini model, plot subjekte, sidomos për prozën e gjatë, për të dhënë një realitet larg imagjinatës së një vendi, që flet për liri dhe mbyt lirinë, për një realitet praktik shumë të vonuar dhe të tërin regresiv. Koha është në një hap me moshën e autores dhe përsonazheve të saj, duke na e dhënë trillin të besueshëm dhe tekstin në art.
Në rastin në fjalë, autorja e ndjen të nevojshme t’i “ndihmojë” përsonazhet, pasi në rastin e një vepre artistike, meditimi nuk është i justifikueshëm, aq më tepër kur krijimi mban një mesazh, i cili don të zgjojë diken, në rastin tonë një komb, për të mos harruar se gjumi i gjatë dëmton trurin, ashtu si dhe pagjumësia.
Në qendër jane dy përsonazhe, që më shumë mendojnë se veprojnë. E si mund të veprosh në një vend ku imagjinata kalon çdo cak të realitetit? Realiteti është liri e burgosur, ndërsa një komb i tërë injekton brenda vetes lirinë si shprehje në hartime e fjalime, lirinë si term, lirinë si dogmë politike, që nuk të lejon të jesh i lirë, të kufizon deri në mardheniet intime, që ripërtërijnë një komb, një racë, një vend! Një kryeqytet bash ne mes të Evropës, që jeton si në shtetrrethim dhe defrehet me folklorizmin amator të barinjëve, të hypur kalikoc në kokën e inteligjencës, në një kryeqytet të bunkerizuar që jeton si në luftë, pa u parë armik gjëkundi, ku bisturia e krimit vret qenie të pafajshme dhe qep një regjim me perin e dallgëve shpirtërore të mosqënies së kthyer në viktimë të satrapëve mendjeshkurtër, që vazhdimisht e në vite realizojnë një gjenocid të pashoq në vendin e tyre, të kthyer në një azil psikiatrik, ku edhe kafsha gëzon më shumë liri!
Simbolikisht, romani Kloroformi është një kërkesë për liri dhe një metaforë e dyfishtë që nënkupton së pari gjendjen e një shoqërie të qeverisur nga frika, ku njerzit e autocensurojnë fjalën e tyre, duke i lënë frazat pa mbaruar, e ngjajnë si të trullosur (si nen veprimin e anestezikut kloroform) dhe, së dyti, demagogjinë që idealizon kushtet e një vendi, që vuan, për mjetet elementare të jetëses, ku me shumë vend autorja përdor vargjet e një kënge që e portretizon këte: “Cfarë donte Shqipëria në shekuj Pak bukë, pak dritë dhe pak hekur…” Dhe, kur i donte këto Shqipëria?! Kur bota po rëndëte drejt planeteve të panjohura, kur teknika e fluturimeve kishte zbritur në henë, shqiptarët jetonin në kohën e kovaçhanëve dhe sopatave. Një vend që e kishte mbërhtyer histeria kolektive, siç shprehet një përsonazh i kësaj vepre, jetonte si qentë e kryeqytetit, për një kothere bukë, për një llampë elektrike dhe për një sopatë druvari. Kthimi në stadin primitiv do t’i kushtonte shumë një kombi vital, që jetonte dhe imitonte deri dhe emrat sipas preferencës mediokre të drejtuesve politik, si bie fjala, Marenglen me një mbiemer zvarritës kafshe, që edhe të lehurit e ka të ndaluar, Marenglen Qani Qeni, përgjegjësi i morgut dhe i qepjes së virgjërisë. E gjithë kjo një temë tabu e kohës, ku autorja tregon guxim.
I gjithë libri ka një subjekt që zhvillohet në një nga universitetet në periferi të kryeqytetit, por që studentet e tij vinin nga i gjithë vendi. Subjekti nuk ka një vijimësi rrëfimi, siç ndodh rendomë në letërsinë klasike, por një shkëputje fragmentare për t’u rilidhur nëpërmjet përsonazheve, që në rastin tonë nuk janë shumë, por secili prej tij përfaqëson dikë, përfaqëson diçka, e ka një rol emicional, që e kalon kolektivitetin e propagandës politike të një regjimi hermetik. Alma Fishta dhe Adriani, përfaqësues të një rendi të ri që po troket, por që i duhen nënshtruar kujdesit nga spiunat që mbinin si kërpurdhat e nuk dihej prej nga dilnin. Ata mbikqyrnin edhe duartrokitjet, si një fabrikim përfekt dhe analizonin sipas preferencave politike, gjithëkënd që kishte një hije dyshimi, sado të vogël.
Përfytyrimi makabër i koleksionimit të pjesëve të njeriut, edhe në vdekje, është një domethënie tjetër, që PARAFINIZON çdo qenie të gjallë, në një vend që ka për model, një sistem që pak kush e provon nga drejtuesit e tij. Është vërtet një regjim ekpserimental. Letërsia si pasqyrim i ndërgjegjes duhet të krijojë gjendje të reja, ashtu si letërsinë e krijojnë shtysat vullnetare të një rrëmbimi, ose ngacmimi fillestar, për t’u “rrokullisur” deri në mbarim të tekstit.
Si në çdo shkencë, dhe në letërsi eksperimentohet, ndaj mendoj se autorja Buda, gjithësesi ka arritur, falë përdorimit të metaforave dhe simboleve, nëntëkstit dhe trillit emocional, t’ia heq anën publicistike tekstit, megjithëse ështëe shumë e vështirë, si në rastin e ditarit të Adrianit, që do të përdorej nga rregjimi për dënimin e tij. Kjo ndodh rëndomë me prozatorët që vijnë nga profesioni i gazetarit, një gjë të tillë nuk e shmangu as Markezi, edhe pse ia kishte vënë disa herë në dukje vetes. Klara, falë këmbëngules dhe rishikimit, siç shihet të krijimit të saj, ia del ta shmangë. Temat e mëdha bien pre e rrëfimit, ose e “ndihmës” që i duhet dhënë përsonazhit. Për të thënë atë që don të thotë autori, disa herë në mënyrë të shpejtuar, ndoshta dhe nga frika se po të iken ideja, kalohet deri në detaje përshkruese të portreteve dhe karaktereve, aq sa ekologjia e fytyrës thotë më shumë se dialogu. Përsonazhet si Adriani, ose veriori Fran, i cili ishte simbol i besimit dhe besnikërisë, i brishtësisë dhe ndrojtjes, duhej të ishin ashtu, sepse simbolizonin paraprijësin e një kohë tjetër që po troket, pa e ditur se sa do t’i nënshtrohen kësaj që po vonon të ikë. Në një pasazh, Qanua i donte të vdekurit që u shërbente, sepse u largohej përbuzja që kishin shfaqur ndonjëherë në të gjallë, duke u kthyer atyre mirësjelljen e humbur, çka nënkupton shumë, në vetëm pak tekst.
Simbolikisht, dalja e Almës në rrugë, pas pritjes së gjatë të Qanos së morgut, duke mbartur në vete dhe me vete një qënie që duhej të jetonte, edhe pse opinioni, e, veçanërisht politika do e dënonte, si një paralajmëruese e trokitjes së lirisë. Simbolika e mospranimit të morgut- shtet, me mos’heqjen e fëmijës dhe revoltës përsonale, nënkupton mosdurimin e një populli, që përjetësisht është vrarë nga hallakatja kolektive, çmos askush në botë. Shkurt, Alma në rrugë është një popull i tërë në rrugë. Zgjimi i komanduar deri të gjimnastika e detyruar ishin veçori qesharake, që sot mund të shërbejnë për humor, por lexuesi pyet: “ Kur do të vij zgjimi i ndërgjegjës, që dukej në sytë Alba Muses dhe Brikena Jorgos, përsonazhe dytësore, siç i përshkruan autorja, një minë me ide për t’u argëtuar.
Fabrikimi i duartrokitjeve, ose steriliteti mendor me vetem një kahje, ishte një detyrim ideor i pashmangshëm, nëse doje të ishe dikushi, në cilëndo prej shkencave të pranueshme të kohës. Mitra, nofkë e një përsonazhi ,ose skena kur Frani kërkon lahuten, apo Vaska me Ronin e Rdivanin, në veprimin e tyre përbjënë një dialog të qepur artificialisht, të cilin pak ta tërheqësh e gris, siç janë rastet e shpjegimeve mjeksore në lidhje me sportin, lashtësinë dhe Sparten, rolin e boronicës për syte etj. detaje që, as nuk e dëmtojnë vepren, por as nuk i sjellin ndonjë ngarkesë emocionale mbresëlënëse.
Autopolantet, togat, stervitja ushtarake, operativi, rreziku ajror, bunkerizimi, bodrumet dhe vendstrehimet, Radio Tirana dhe disa elementë të tjerë të një regjimi të frikshëm, bëjnë më së miri skanimin e një shoqërie, që po rrëzohet në hijen e saj. Skena më e bukur kur Fatos Fishta, Kreu i Kultures në Ministri hap zarfin e Miranda Topallit, nënës së Adrianit, dhe gjen brenda tij një palë brekë, simbol i degjenerimit dikatatorial, ku merrej edhe me privatësinë e çdo qytetari. E çfarë? Brekët ishin të vajzës sënënpunësit të lartë, e cila i kishte harruar në shtëpinë e Mirandës, përkatësisht të Adrianit. Ndërsa debati nënë e bijë (Eliana Fishtës me të bijën ) ishte më se normal, kur Fatosi punonte në ato rangje, ndërsa Adriani i përkiste një tjetër klase, siç trumbetohej në ato kohë. Qeveria, tashmë, do të analizojë brekët e Almës. A nuk ishte Fatosi një pjesë e qeverisë, edhe pse kryetar kulture?
Një shprehje tjetër interesante, që nuk i shpëton autores, është togfjalëshi “ të hamë bukë” që zuri tre emra, të tria vakteve që njeriu ushqehet. Të hamë mëngjes, drekë dhe darkë. Më e rëndësishmja ishte të hamë bukë, ne po luftonim për bukën, në një izolim të plotë, me termin absurd të mbështetjes në forcat tona. Nëse ne nuk do ta shkruajm realisht letërsinë e viteve të errta, do të biemë në vargjet e Gëtes : “ Alles Nahe werde fern”. “ Gjithëçka që është e afërt, largohet.”