Nimanbegu akuzon politikanët shqiptare të Malësisë

Genci NimanbeguPër ligjin e ri i cili do të formojë Komunën e Kryeqytetit për Tuzin, deputeti i Forcës së Re Demokratike Genci Nimanbegu ka akuzuar partitë politike shqiptare të cilat veprojnë në Malësi.

Nimanbegu deklaroi për televizionin Teuta se ligji i ri për statusin e Tuzit erdhi si rezultat i marrëveshjeve të subjekteve politike që veprojnë atje, me DPS-në.

Nimanbegu tha se Forca nuk ka marrë pjesë në këto marrëveshje, kurse arsyet pse ai votoi kundër kanë të bëjnë me disa ndryshime në ligj në momentet e fundit, dhe faktin që ai nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2018. Ai shtoi se ligji aktual nuk do të thotë se statusi i Tuzit është përfundimtar, dhe këtë gjendje e vlerëson si blerje të kohës, pasi që ky status nuk ishte qëllimi i shqiptarëve në Mal të Zi. /MALESIA.ORG/