Njeriu mund t’i bëjë të gjitha, nëse arrin të bëjë më të vështirën

adrian1Adrian Hadribeaj “The Eagle”  kampion bote, për  peshat e lehta 70kg, në MMA, versioni TXC (Triple X Cagefighting) 

( Bisedë e realizuar për Revisten “ KUVENDI”  nga Mjeshtri Paul Berisha )

World TXC Light Weight Champion.

Fast  & Furios.

Të  gjithë  shqiptaret  e  komunitetit te  Michiganit dhe  më  gjërë  tashmë  e  njohin djaloshin shqiptar Adrian Hadribeaj. Edhe  pse  jo  të  gjithë  shqiptarët  janë,  ose  më  mirë  të  themi  kanë  qënë fansa  të  MMA (MixMarshalArts).

Prej  pothuaj  një  viti   shqiptari kurajoz  dhe  këmbëngules  gëzon titullin  Kampion Bote, për  peshat e lehta, në MMA. ( TXC)

Për  lexuesit  e  “Kuvendit” dhe  për  dashamirët  e  këtij  sporti, për  të  gjithë  shqiptarët që  nuk  kanë  mundësi  tjetër  ta  ndjekin  më  nga  afër Adrian Hadribeaj, ne zhvilluam këtë bisede …:

Kuvendi:

Do  ta  filloja  biseden  me një  pyetje  që  ka  të beje me  ardhjen  tuaj  në Amerikë? Pra,  kur  keni  ardhur  në  Michigan…?

ADRIAAN1The Eagle:

Kam  ardhur  në  Amerikë, konkretisht  në  shtetin e  Michiganit në  vitin 2010,   para  katër  vitesh. Sidoqë,  në  fakt e në  një  farë  mënyre    kam  filluar të  vij  në  Amerikë që  kur  mbaj  e mend  veten  time  duke  ëndërruar të  merrem  me  sport. Shumica  e  te  rinjeve  që  vendosin  të  shkojnë sidomos  në  Amerikë,  shkojnë  për  të  realizuar  një  ëndërr  të  tyren.   Duke  pasë  parasysh  se Amerika  është  vendi  i  mundësive  të  medha,  disa  e  përplotësojnë  ëndërrën  e  tyre ,  qoftë edhe   duke  e realizuar (të  pjesëshme) në  një  veprimtari  që   fillimisht  as  që  mund  t’u  kishte  shkuar  mendja  ta  bënin, e  që  ndoshta   nuk  kishte  aspak  lidhje  me  ëndërrën  për  të  cilën  kishin  ardhur  këtu. Mbasi  erdha  këtu,   jeta ose  realiteti  ishte  ndoshta   disi  më  i  kollajtë  se  ëndërra  që  më  kishte  sjellë.  Mendoj  se  gjithëkush  kur  vjen  në  Amerikë , befasohet  nga  mirëqënia, nga  kollajllëku  për  të  gjetur  një  punë,  një  banesë, për  të  njohur njerëz  që  flasin   gjuhën tende  e  qe  kane  ardhur  nga  vendi  yt. Keto  te  mira  te  shpjeta, lehtesisht  mund  te  te  mjaftojnë  të  jetosh  mirë  e  të heqësh  dorë  nga  ëndërra  dhe  qëllimi  për të cilin në  fakt  ke  marrë  gjithë  këtë  rrugë. Prej  se  ëndërra  jote  në  një  vend  kaq  të  madh, gjendet njëherësh  me  mundesëitë e mëdha edhe me  një konkurencë absolutisht  shumë  më  të  madhe  se  ajo  qe  ke  provuar deri  kur ke  ardhur  këtu, aq sa ndoshta  fillon  të të  duket edhe  e  pamundur. Mua  më  është  dashur   fillimsht  një  këmbëngulje edhe më e madhe se vet’ qëllimi  ,  për  të  mos e  lënë të  mirën  që  gjeta  të  më  joshte  e  të  më  ndante  nga  kjo  ëndërra. Kam  njohur  shumë  moshatarë  të  mijtë  këtu, që  sigurisht  edhe  ato  kanë ardhur për  të  realizuar  një  ëndërr. Sepse  nuk  mund  të  besoj  se  në  gjithë  këtë  komunitet  të  madh  shqiptarësh të  jem  unë  i  vetmi   i  talentuar,  ose  i  vetmi  që  kam  ardhur  për  të  bërë  ëndërrën time  realitet. Ndoshta njeriu  e  humbet  kurajon dhe  durimin   pikërisht  në  momentin  kur  i  është  afruar  më  shumë  se  kurrë  realizimit të saj. Pra,  këto  katër  vitet  e  para  më  është  dashur  që  përveç  të  tjerash  të  punoj  me  veten  time,  jo  vetëm    të  mos  bëhesha  pesimist, por  përkundrazi të  gjitha  të  mirat  që  me  ofroi  ky  vend  e  njerëzit  që  më  rrethuan,  t’i  vija ne   dobi  të asaj  për  të    cilën  edhe  kisha  ardhur,  tashmë. Kjo  ndodhi  vetëm për faktin se,  nuk mund të kënaqem  me  pak, nuk mund t’a zhgënjej veten, as ata te cilët kanë besim në mua.  Vazhdimisht besoj se  kam  ende për  të  bërë! Madje  jam  pikrisht  në  fillim  edhe  sot  mbas  katër  vjetësh,  mbas  të  gjitha  ndeshjeve  amatore  që  munda  të fitoj që në roundet e para, deri  sa,  u  kualifikova si profesionist  dhe  si  i tille  fitova  edhe  championship  në  vjeshtë  të  vitit  2015.

Kuvendi:

Kur dhe si  iu  lindi  dëshira  për  t’u  marrë  me sport, ose  më  saktë  me  karate? Dhe  nëse  keni  patur  dikur një “ idhull”  ,  kush ka  qënë pikërisht  ai?

The Eagle.

Mua më duket  se,  kam  filluar  të  merrem  me karate qysh  më  herët  se  sa  kam  filluar  të  mbaj  mend.  (qesh). Ndërsa nga  kujtesa   për  veten ,  gjej  se “idhulli” im i  parë  në  fakt  nuk  ka  qënë sportist por aktori i  mirenjohur për  të   gjithë  fëmijërinë e  brezit  tim  në  Shqipëri, Zhan Klod Van Dam. Kam  qeënë  fare   fëmij  atëhere  kur  Van  Dami  për  mua në fakt nuk ishte  as  aktor por ishte  një  “hero”  i  cili i  dilte zot ëndërrës time. Deri  në  moshën   6  vjeç   e  kam  imituar me  heroizimin më të sinqetrë  shpirtin  e  personazhëve  që  lunate  ai, dhe  kam  ushtruar “sportin”  e  tij…. Pastaj  në  moshën  6  vjeç  kam  filluar  të  marre  klasat  e  para  në  Karrate,e prej atëhere    nuk  jam ndarë  kurrë prej  palestres   dhe  ushtrimit të  këtij  sporti,  deri  sa ia  arrita  të  bëhesha  kampion  në   Shqiperi  e  me  vonë  mora  pjesë  në  konkurime ballkanike, dhe vazhdimisht si fitues.

ADRIAN6

Kuvendi:

A  mund  të  thuash  diçka   që  të  ka  mbetur  në  mendje   nga  eksperienca  juaj në  Atdhe,  gjatë  kohes  kur  konkuroje në  olimpiadat  e  vendit  ose  ato  ballkanike?

The Eagle.

Do  të  veçoj  vetëm  një  rast. Në  vitin 2006, zhvillohej olimpiada Ballkanike e  Karratese  në Veria  të Greqisë, ku   merrja  pjesë  për  hërë  të  parë,  dhe  ku   fitova  titullin Kampion i Ballkanit.  Nuk  kam për  ta  harruar  kurrë momentin  kur  në  Greqi   ndeshesha  me  dy  greke  që,  edhe  ato  konkuronin  për  të  njëjtin  titull. Të  gjithë fansat i benin “boo”  shqiptarit ,  edhe mbasi  shqiptari  tashmë  e  fitoji  vendin  e  parë.  Deri  ate  moment   dija  se  e  doja  sportin  dhe  fitoren  më  shumë  se  asgjë  tjetër në jeten  time. Por,  atë  ditë  mësova   se   doja  më  shumë  se sportin,  flamurin  tim  të  cilin kur  e  ngrita  në  Veria  të  Greqisë ,  si  Kampion, u  bë  një  heshtje,  dhe  u  shua  ajo  Booo,  e  madhe  e  fansave  të  të  dy  nenkampioneve.  Deri atë çast  hiç  aspak  nuk  e  kisha   ditur  se  sa  mund  ta  dojë  njeriu  Flamurin  e  vet. Qysh  nga  ai  moment  u  bëra dhe  ndihem  një  me  Flamurin, ndoshta  në  një  mënyrë  që  as  vetë  nuk mund  ta  shpjegoj.

Kuvendi:

A keni  menduar  se  ky  sport  mund  t’u  bëj  të  famshem  ose  mund  t’u  bëj  të  pasur? Të  paktën  që suksesi yt po bëhët i njohur përtej kufijve shqiptar?

The Eagle

Jo  se  jam  kunder  atyre  që  i  motivon paraja  ose  fama  për  t’ia  nisur  një  sporti, apo  një  fushe  tjetër  çfarëdo.  Që  të  jem  krejt  i  sinqertë  mua  as  më  parë  as  tani  nuk  më  motivojnë  asnjëra  prej  këtyre. Por,  kjo  nuk   do  të  thotë  se, nëse  ky  sport  do  të  më  bënte  të  pasur e  të  famshëm   do  të  dëshperohesha. (qesh). Ndoshta  do  të  kisha  zgjedhur  një  sport  pak  më  të  lehtë,   dhe  një  rrugë  pak më  të  shkurtër  për  t’u  bërë  i  pasur e me pasuri të blija famën.  Sidomos  këtu e tani  në  Amerikë,  njëriu  nuk  ka  pse  të  merret  me   sporte  kaq  të “ rënda”,   për  t’u  bërë  i  pasur. Për më tepër  që, për  t’u  bërë  i  pasur  jam  i  bindur  se  do  ta  kisha  më  të  lehtë  madje  do të  kisha  fillluar  të  vija  lekë  me  një  anë  tashmë, sikur të  merresha  me   bisnes (ndertimi,  gatimi, tregtimi). Dashuria  ime  për  këtë  sport është  shumë herë  me  e  madhe  se  nevoja dhe  egoja  që  mund  të  ketë  njeriu  për  para. Madje tani për tani, jo  vetëm  që  nuk  bej ende   para  me këtë  sport,   perkundrazi    më  kushton  përveç  të  tjerash  edhe  para.

ADRIAN7

Kuvendi:

Nese  nuk iu  motivon fama  dhe parate,  çka  ne  fakt shumicen  e  atyre  qe  ia  nisin  nje  rruge  kaq  te  gjate  e  kaq  te  veshtire,  çfare  atëherë mendon se do të  realizoni me  këtë mundim?

The  Eagle.

Nuk  besoj  që  të  gjithë  ata  që  janë  bërë  të  famshëm  nuk  janë  bërë të  tillë  vetëm  se  ashtu  kane  dashur  e  ëndërruar .  Ka  plot  njërëz  të  famshëm  që  i  ka  bërë  rastësia  dhe  fati të tillë. Ashtu  siç  ka  njërëz  të  tjerë të  tillë,  të  cilët puna  e  tyre,  këmbëngulja,  pasioni  e  talenti  u  është  shpërblyer edhe  me  famë  e  me para. Besoj  se  shpërblimi  më  i  madh  që    mund  të  marrë  një  njëri për  vlerat, talentin   e  dashurinë  e  tij,  është  pikërisht që  të  gjitha  këto ose, qoftë  edhe  vetëm  njëra  prej  këtyre  cilësive   t’i  kenë  shërbyer  në  njëfarë mënyre,  mjafton  edhe  një  njeriu  të  vetëm.

Kuvendi:

Në  rastin  tuaj,  çfare  kënaqësish iu  japin  fitoret  e  njëpasnjëshme  dhe  të  deritanishme?

The Eagle.

E para  kënaqesi  që  ndjej  është  fakti  se   jam  ende  në  rruge, dhe  jo  krejt  ne  fillim të  saj,  dhe aspak i  lodhur  për  ta  vazhduar ,  sado  e  gjatë  dhe e mundimshme që  mund  të  jetë.  Nuk  ndihem  as i  braktisur as  braktisës. Si  të  them ,  ende  nuk  jam  ndarë as që   e  kam  ndërmend  ta  braktis  ëndërrën    për  të  cilën   kam  ardhur  këtu,  e  me  të  cilën  do  të  vazhdoj,  deri  sa  të  mbërrij  atje  ku  kjo  ëndërr  do  të bëhet realieti im. Kënaqësia  tjetër   është  emocioni  që  ndaj me  fansat e  mij,  të  cilët  shtohen  ndeshje  pas  ndeshje rreth  tetëkëndëshit  ku  unë  hyj  si  sportist,  por që  vazhdimisht  prezantohem  si  shqiptar.

Kuvendi:

Ju  keni  zgjedhur  një  “nickname” bashkëngjitur emrit tuaj,  për  t’u  prezantuar.  Ndoshta  prej  se  eshte    e  modes që  sportistët  e  këtij zhanri prezantohen  edhe  me  një tjetër emër .Ju  pse  e zgjodhet  “the Eagle”?

Me te njohurin Pjeter Malota Lulgjuraj
Me te njohurin Pjeter Malota Lulgjuraj

The Eagle:

Edhe  sikur  të  mos e  gjeja  këtë  emër  për  veten,  ky  emër  më  ka  gjetur    që  në  lindjen  time.  Shqiptar   dhe  “The Eagle” është  pothuajse  e  njëjta  gjë.  Kështuqë,  nuk  besoj  se  meritoj  ndonjë  lëvdate   të  madhe për  gjetjen    emrit.  Kam  qëlluar  me  fat që  kam  lindur  “The  Eagle “  do  të  thoshja .  Ndërsa  për  më tej  dhe  ndoshta  jo  vetem  se  jam  shqiptar.  Shqiponja  për  mua   është  një   shpend  i mrekullueshëm në  çdo pikëpamjet e  fluturuesve. Shqiponja  është   shpend “individualist”!  Nëse  të  gjithë, ose   shumica  e  shpendëve  që  qarkullojnë qiellit,  fluturojnë  në   grupe ,  shqiponja  fluturon  vetëm  dhe   shumë  lart.  Ndoshta  megjithëmend  shqiptaret  kanë   diçka  të  përbashkët  me   shpendin që  pothuajse  njihen  si  të  njësuar e të  ngjashëm. Sepse edhe është fakt që  kudo  nëpër  botë  gjejmë  individë  shqiptar  të  jashtëzakonshëm.  Për  çudi,  ose  për  “faj”  të  fatit, kur  u  duhet  të  bëjnë  diçka  të përbashkët   në  vendin  e  tyre,  u  shkon  ters.  Nuk   besoj   se  do  të  tingëllonte  e  tepërt,  nëse  do  të  thoja  se   gjej  ngjashmeri  të  çuditshme  midis  meje  dhe  shpendit me  të  cilin  ndajmë  të  njëjtin  emër “The Eagle”.

Kuvendi:

Pra  ti,  “The Eagle”  je  individualist?

The Eagle.

Sigurisht ,  jam  individualist.  Po  jam  një individ  individualist  që  e  kam   dobsi  bashkimin  e  shqiptarëve, bashkimin  e  vlerave.   Jam  i  bindur  se edhe  bashkimin  mund  ta  realizojne  individe  me  qëllime  të  mira.  Ju  e  keni  vënë  re,  se  edhe  pse  sporti është  një  dashuri  e  dhunti  individuale, ama  arrin  të  bëjë  bashkë , fansat. Psh,  ata  që  ndjekin  ndeshjet  e  mija,  nuk  ndahen  rreth  tetëkëndëshit  në   shoqata,  fe, parti,  e  krahina. Përkundrazi  si  askund  tjetër harrojnë  se   anëtare  të  cilës  shoqate  janë,  militantë  të  cilës  parti, besimtar  të  cilës  fe, apo prej  cilës krahinë  kanë  ardhur.  Aty  krejt  thjesht  e  natyrshëm bëhemi  bashkë. Dhe  kjo    për  mua   është  një  arritje që  realizohet qoftë  edhe nëpërmjet MMA,  qoftë  edhe  vetem  për  disa  minuta  ose  orë.  Sepse  unë  në   ato  çaste i  përkas  secilit  prej  tyre,  bashkë  me  humbjen  a  me   fitoren time.  Madje  ndonjëherë   harroj  se  më  duhet  ta  fitoj  ndeshjen për  një  rrip a  për  një  titull,  por   ndjej    obligim  e dua  të   fitoj,  që  fansat  e  mijë  të  mos  ndahen as  prej  meje,  as  prej  njëri  tjetrit.

ADRIAN3

Kuvendi:

Shqiptarët  dhe  jo  vetem ata  tashmë  kanë  filluar të   flasin  për  ty   jo  vetem  si  një  sportist    dhe  talent  që  premton,  por  sidomos si një  djale  i dashur,  i  përkushtuar, i thjeshtë madje  edhe  i  pashëm. Si ke mundur ta prezantosh  veten të  tillë  tek  ata?

The Eagle.

Kjo nuk ndodh   se  qenkam    më i  miri  shqiptar  që  ata  kanë  parë  e  takuar. Por  ndoshta thjesht se jam shqiptar, po  kaq  i mirë  sa ç’janë në të vërtetë shqiptaret.   Nëse dikujt  i  vjen të flasë  ose  të  përshkruaje  një  shqiptar, s’ka  si  tjetër  ta  përshkruaje  përveçëse si : i   dashur, i  përkushtuar, i thjeshtë  dhe  i  pashëm.  Përshkruesit pra,  mund  të  mos  e  kenë  fjalën  direkt e vetëm për  mua, por  për  shqiptarin.  (ty , mua, atë, ne !).

Kuvendi:

Çfarë  do  të  thoje   diçka  për MMA,  atyre  që  ende  mendojnë se  ky  sport  është  i  dhunshëm,e  i rrezikshëm??

The  Eagle:

Se  ky  sport  nuk  është  as  i  dhunshëm  as  i  rrezikshëm,  e  kanë  vërtetuar  tashmë  edhe  femrat,  të  cilat  edhe  e  luajnë. Pra,  absolutisht  ky  sport  nuk  është  më  i dhunshëm  as  më  i  rrezikshëm  se  psh  Futbolli, Tennisi, Basketbolli,  etj  etj .  Njëriu  rrezikon  të  lëndohet   fizikisht  jo  vetëm në  MMA, por  edhe  në  sportin  e  garimit të  makinave. (formula uno). Në  futboll, basketboll, tennis  e  gjithefare  sporti. Madje,  njeriun duke  e  ruajtur  nga  sportet  gjoja  të  rrëzikshëm,  nuk  do  të  thotë  se  kemi  mundur  ta  ruajmë  edhe  nga  rreziku. MMA  është  një  sport  brenda  të  cilit  janë  të  ndërlidhura  edhe   sporte  të  tjera. Mix  Marshall  Art është si të thuash tashmë sporti i shkullit, ështe një gjetje e re në sport.  Pa e tepruar, për  mua një ndër sportet më të bukura.  Mund të   them    se,   në  Mix Marshall Arts,    është një spektakel sportesh si , boxi, karrateja , mundja shto edhe artin  tek  vetë menyra e të gërshetuarit të  këtyre sporteve,  dhe  levizjet  koreografike.

Me artistet e njohur Sabri Fejzullahu dhe Nikoll Nikprelaj
Me artistet e njohur Sabri Fejzullahu dhe Nikoll Nikprelaj

Kuvendi:

A është Adriani  edhe supersticioz përveçëse   një  sportist  strikt dhe  këmbëngulës?

The Eagle

Nuk  e di, ndoshta jam  edhe  supersticioz  disi. Pasi  me  supersticioz une  kuptoj  se  njëriut  nuk  i  ndodh  plotësisht vetëm ajo  për  të  cilën  punon e bëm gjithëçka  po qe se  edhe  nuk  e  mendon  dhe  e  parandjen në  një  farë  mënyre ate .  Kemi mësuar të themi se një  artist  ose  sportist të  suksesshëm  e  bën  të tillë  1%  talent dhe 99% punë. Unë  do  të  shtoja  edhe  një tjetër  përqindje  mbi  këtë   100% e përbërë. Dhe  aspak  nuk  do  të  më   dukej  e  tepërt  që  njeriut,  qoftë  edhe   me  striktit e  më  punëtorit, i  nenshtrohet  sado pak  supersticiozitetit. Parandjenjës  dhe  mendimit  pozitiv   për  ta  arritur plotësisht suksesin . Nëse  vendos të them se nuk  jam  supersticioz atëherë më  duhet  të   se përveçëse  jam i disiplinuar, këmbëngulës,  kurajoz  po  kaq jam  edhe  optimist,  dhe  plot  me energji positive. Nuk  mendoj  kurrë,  po  sikur  të  ndodhë  ashtu  siç  nuk   dua  të  ndodhë. Vazhdimisht  e  bind veten  me : “Do të  ndodhë më  e  mira”…! Mendimi  dhe  ndjenja ime nuk  ndjellin    kurrë  ters, as  vetes  as  njerëzve për’rreth. Madje  as  oponenteëve  të  mij. Përkundrazi,  u besohem vetëm    parandjenjave  të  mira.

Kuvendi:

Nëse  deri  më tani  nuk  iu  ka  ndodhur  t’iu  tundojë  asgjë për  të  hequr  dorë nga  sporti  dhe  qëllimi  yt.  Po  malli  për Shqiperinë  a  iu  tundon të  lini  gjithëçka    për  pak  ditë  e  të  ktheheni  në  Atdhe,  qoftë   për  t’u  çmallur sado pak?  Pasi  malli  i emigrantit,  për  më  tepër  kur  ju  jeni  i  vetmi  anëtar  i  familjes  tuaj  këtu,  teksa gjithë familjen e keni  atje. Dhe  a ndikon  malli  e  mungesa e familjes  në  jetën tuaj prej sportisti?

The  Eagle.

Malli  i  emigrantit  është  një   tundim dhe ndikim i madh,  sigurisht. Për  emigrantin nuk  ka  largësi  që  mund ta  ndajë plotësisht  nga  atdheu  dhe  familja  e tij.   Në  një  farë  mënyre   kthehem  përdite  në  atdhte, por  në  vend  që  të  bëj  gati  valixhen   a  të  pres  bileten,  marr  çanten e sportit   dhe  shkoj  në  palester ,   stërvitem. Tashmë stërvitja   për  mua  është  një  lloj “addiction” që  funksionon  jo  vetëm  për arritjen  e  qellimit  bazë  por  që  edhe  më  shpëton  prej  të  gjitha  tundimeve, e “lengatave” që mund të shkaktojnë largësitë, mungesat, pamundesitë,  qoftë  edhe  tundimit  për  t’u  kthyer  në  Shqipëri,  sa  pa  qënë  gati  të  kthehem. Për  më tepër  që  brezi ynë i  emigranteve,   përfiton benificet  e  zhvillimit të  tekknologjisë  së  komunikacionit. Flasim  shpesh. Madje  jo  vetem  flasim  e degjohemi por  edhe  shihemi  me të afërmit  kur  bisedojmë. Sot  emigranti  mund  jo  vetem  t’i  tregojë  nënës  së tij  atje në  atdhe  se  çfarë  po  han, ta zëmë  për  darkë,  dhe  se  sa  komode  e  ka  dhomen  ku  flë ,   por  nëna  mund  ta  shikoje  që  nga  Shqipëria  se  çfarë  konkretisht po  han femija  i  saj,  ose  sa të  ngrohtë  e  ka  dhomën  ku  flen, ose sa të bukur e ka mikeshën. (qesh). Jemi  ne  emigrantët  ndoshta  që  shqëtësohemi  nëse  shtëpia    dhe  atdheu  ku i kemi  lënë  prindërit  nuk  është  aq e  ngrohtë  dhe  aq e  rehatshme! Kemi  emgigruar  bashke me shqetësimin   që mund  të kenë  prindërit  për  ne, dhe  na  mbetet  të  shqetësohemi  ne për  ato. 

Kuvendi:

Të  gjithë  e  kemi  parë Adrianin  të  veshur  me  kostum  kombëtar    ditën  që  ka  ndeshjet.    Ju  i  afroheni  tetëkëndëshit (ringut), i  rrethuar  nga  një  grup  të rinjsh   të  veshur  me  kostume  kombëtare   dhe  flamuj kuq e zi. Edhe ju vetë  visheni  me  kostum  kombëtar. Cfarë  iu  shtyn ta  bëni  këtë  zgjedhje, malli  dhe  dashuria  për  Shqipërinë apo edhe diçka tjetër?

The Eagle.

Jo  vetem  malli  dhe  dashuria  për  Shqipërinë.   Njëriu  është edhe  ai që  duket. Dhe  ai  që  unë  dukem  atë  ditë,  është  krejt  shqiptar. Për  më  tepër  që  kostumet tona  kombëtare  janë ndër  kostumet  më  të  bukura  në  botë. Kam  vënë  re   reagimin  dhe  admirimin  e  jo  shqiptarëve , ndaj  kostumeve  tona  e  ndaj  flamurit  tonë. Besoj  se  ka  ende  njerëz  që   duhet  të provojnë  ndjenjën  e  admirimit  ndaj  këtyre  kostumeve,  ndaj  këtij  flamuri  e  ndaj këtyre  njerëzve  që  quhen shqiptar. Shqiptarët  nuk  meritojnë  të  shihen  gjithëmonë  si  fatkqinj, përkundrazi. Vetem  duke  parë  kostumet  tona,  njeriu mund  të  njihet   mjaft  mirë  edhe  me  karakterin  e  shqiptarëve  në  vite. Mjafton  plisi  ose  qeleshja  e  bardhë  mbi  kokë  tek  meshkujt,  dhe ngjyrat  e forta, e  bardha  e  kuqja   dhe  e  gjelbërta  tek  femrat,  të  ndjesh  vitalietin  e  natyrës njerëzore të  shqiptarit.  Unë  gjej  shumë  optimizëm  tek kostumet  tonat,  përveç  të  tjerash.

Kuvendi.

Adriani  tashmë  e  din  se  çfarë  don. Edhe  ata  që  besojnë  tek  Adriani  e  dinë . Pra  ti  kërkon  që  një  ditë  të  arrish  në  UFC,  dhe  të  bëhesh  Kampion Bote  në  MMA.  Ndërkohe a  iu ka  shkuar  ende  në  mendje  se  çfarë  do  të  bejë  Adriani mbasi  të  arrijë  “majen”?

The Eagle:

Po  e  kam  menduar , madje  e  mendoj  shpesh. Sepse  sot  nuk  jam  një  15  vjecar  që të  kem  vite  kohë për  t’ia  dedikuar  sportit.   Jam  i  vetëdijshëm  se  kam  shumë  pak  kohë dhe  absolutisht  shumë  punë   që  të  arrij  në  kohë atë “majen”  për  të  cilën  e  keni  fjalën. Njeriut  edhe  duke  mos bërë asgjë  i  ikën  mosha me  një  shpejtësi  marramendëse.  Aq  më tepër   duke  punuar. Mua  me  duhet  që  edhe  të  fitoj  kohë,  të  krijoj  kohë… për  të  arritur   në  kohë  aty  edhe  ku  jam nisur.   Ashtu  si  çdo  e  sotme  e  ka  një  të  nesërme, edhe  arritja  ime   duhet  ta  ketë  një  të  nesërme  për  të   cilën  sigurisht  mendoj  që  sot.  Mbasi  të  arrij destinacionin  definitiv  në  sport,  sigurisht  që  nuk  do  të  heq   dorë  nga  të  paturit  ëndërra  dhe  qëllime  të  reja.

Kuvendi

Çdo  ëndërr  jotja  na  bën  kureshtar. Çfarë   do  të  ndodhë  me  Adrianin ,  kur  të  ketë  mbaruar  punë  me  sportin?

The  Eagle.

Me  sportin  ndoshta   do  të  më  ndaje  mosha  dhe  rrethanat.  Ashtu  siç  më  ndau sporti  dhe  rrethanat  me  atdheun,   vetëm  pjesërisht. Sepse  me  sportin  nuk  do  të mbaroj kurrë punë !  Njeriu  nuk  ka  nga  i  ikën  atdheut  dhe ëndërres  së  tij. Kjo  do  të  ishte  gënjështra  më  e  madhe  që  mund  t’i  bëjë  njeriu  vetes, aq më  pak  të  tjerëve.  Përveç  sportit   kam  edhe  dashuri  të  tjera. Ashtu  si  përveç  Shqipërisë,   e  dua me  një  mirënjohje  të  thellë  edhe  Amerikën.

Kuvendi:

Atëhere  kush  është   dashuria  tjetër  përveç  sportit ? Nëse  nuk  do  të  ishe  bërë  sportist, çfarë  do  të  kishe  zgjedhur  tjetër  të  bëheshe?

The  Eagle.

Më  mirë  e  lëm: -Çfarë  tjetër   do  të  bëhesha  përveçëse  sportist?!  Më  pëlqen  jashtë  mase,  dhe  madje  edhe   do  të  bëj  ç’është  e  mundur  që  ta  realizoj  një   ditë, nga  ditët  e  jetës  time, të  mund  të  bëhem  aktor.  Sidoqë  nuk  kam  dhënë  ende  ndonjë  prove,  nëse   kam  ndo pak  talent  për  këtë  lloj  “sporti”. Besoj   se,  dëshirat  e  mëdha  lindin  edhe  talentin  tek  njeriu.  Me  vjen  të  përmend  një  fakt  hollywoodian. Jo  prejse  është  Hollywoodian më  shumë  se  prej  faktit  se  si  u  bë  ky  rast një  histori Hollywoodiane. Silvester Stalone ,  nuk  ka  lindur  në  Hollywood  as  nuk  ka  lindur  aktor.  Stalone  shkruajti  scriptin  e filmit  “Rroky”,  i  frymëzuar   nga  talenti  dhe  jeta  e  jashtëzakonshme  e  Roky Marcianos.  Dhe  nga  ky  inspirim  doli  scripti  bashkë me   filmin  më  të  shikuar  i  të  gjitha  kohërave. Edhe  unë  kam  një   inspirues  në  jetën  time. Si  të  them,  e  kam  një  “Rroky” , një  hero,  jetën  e  të  cilit  do  të  doja   ta  bëja  script për  një   film  kinematografie në  Hollywood.  Madje  do  të   doja  aq  shumë   ta  luaja  vetë  rolin  e  tij.  Dhe  ky  eshte “Skenderbeu”.   E  ndjej  se  një  ditë  bota  e  kinematrografisë botërore   do  të  bëhet  kurioze  për  këtë  shqiptar  të  jashtëzakonshëm.  Ashtu  siç  edhe  e  ndjej  se  një  ditë,  Skenderbeu  do  të “ngjallet”  në  kinematografinë  botërore,  të  shuajë  kureshtjen  e  shumë  njerëzve  për  veten  e  tij dhe  shqiptarët. Përsonalisht kam  një  admirim  të  parrëfyeshëm  për  këtë  figurë kombëtare,  dhe  ndihem me  fat  që  jam  pasardhësi  i  Tij. Ia  mbaj  mendjen, e  shoh  ëndërr veten një  ditë   duke  e  luajtur  rolin  e  tij në jetë  dhe në  kinema .  Nuk  di  si  ta  shpjegoj, por  di  të  thëm  se  një  ndër  ëndërrat  e  mija  të  ardhshme  është  që  të  mund t’ia   prezantojmë  sërish  vetes   dhe  botës  gjenialitetin  e  këtij  njeriu. Në  jetën  time prej  të  rrituri figura  e “Skenderbeut”  është    inspirim  i  madh.  Më  duket  sikur  edhe  vetë  ne  shqiptarët, dimë  fare  pak  për  Skenderbeun.Se  kemi  ende  ç’të  mësojmë prej  tij, pa  marrë  parasysh  se jemi  në paqe  e  jo  në  luftë, se jemi  në shekujt  e  moderrnizimit e  të  globalizimit dhe  jo  në  shekujt  e  pushtimeve  shekullore.   Tek  Skenderbeu  unë nuk    gjej  vetëm një  strateg  lufte,  por gjej pikërisht  strategun  e  paqes.  Skenderbeu nuk bëri luftë  kundër askujt, por  mbrojti paqen e  vendit të tij nga pushtuesit. Tek Skenderbeu nuk   gjen  vetem    njeriun  me  dhuntitë  e  luftëtarit e  te  liderit,  por  edhe   kurajo  e  zemër  të  madhe. Shqiptarët  e  kanë dhe i  ngjajnë modelit e  tyre, heorit dhe  liderit te tyre. Zoti  nuk  t’i jep  te   gjitha. Por  Zoti  iu  dha shqiptarëve    Skenderbeun, si  shenjë  të  bujarisë  së TIJ.  Ne jo vetëm   duhet  ta  pranojmë  Skenderbeun,    nuk  duhet ta    lëmë  të  tretet  në  harresën  tonë. E  t’ua mohojmë brezave që vijnë njohjen me të. Këto  që  them  e  mendoj   për  Skënderbeun,  nuk  dua  të merren as të   kuptohen si  overdozë e  patriotizmit,  as  e  nacionalizmit. Absolutisht  aspak. Nëse  një  Italian  e  adhuron   Cezarin  askujt  nuk  i  shkon  mendja  të  mendojë  për  italianin  se   është  një  supernacionalist. Nëse  Maqedonasit e  adhurojnë    figurën  e Aleksandrit  Të  Madh,  i cili në  fakt  nuk është  vetem  i  Maqedonise,  askujt  nuk  i  shkon  mendja  të  thotë  se   maqedonasit qenkan   nacionalistë  të  sëmurë. Për  mua   është  krejt  normale dhe më se e zakonshme   që  idhulli  dhe  inspiruesi  im  të  jetë pikerisht  Skenderbeu,  pa  e  vrarë  mendjen  se si   mund  të  më  gjykojnë  armiqtë e Skenderbeut..  (qesh). Ashtu  siç  irlandezët krenohen se  janë  pasardhësit  e  vikingëve, po  ashtu    i  jap  të  drejtë  vetes  të krenohem se   une  pasardhes i Ilirëve dhe i  Skenderbeut.   Shqiptaret  nuk  kane  pse  e  vrasin  mendjen  se  çfare  mendojnë  ta  zëmë turqit per  Skenderbeun. Le  që  unë  nuk  besoj   se  turqit  mendojnë  keq  për Skendërbeun. Po  të  kishin  menduar  keq,  nuk  do  ta quanin  vetë  ata “Skenderbe”. !! Askush  sot  nuk  mendon keq  për Skenderbeun, përveç atyre pushtuesve qe mbeten pa  u  khtyer  nga  erdhen,  gjate  pushtimin ostoman. Të  cilët  tashme nuk  jane  as  turq as shqiptarë. Jane thjeshtë urrejtës  dhe të urryeshëm.

Kuvendi:

Adriani  nuk  flet  e  jeton  vetem  si  sportist por  diçka  me shume,  diçka  me  thellë…!

The Eagle:

Atëhere  po  shtoj  se  për  Skenderbeun  nuk   flas  në  pozitat   e  historianit as të politokanit.  Mjafton që jam shqiptar të  dëshiroj të  flas e të krenohem me Skenderbeun.

Kuvendi:

Pse  nuk  e  keni përdorur emrin “Skenderbe”  në  vend  të “The  Eagle”?

The  Eagle:

Jo  se  nuk  më  ka  shkuar  në  mendje  ta  bëj. Por  nuk  e  kam bërë  për  dy  arsye. E  para  se,  Skënderbeu  është  “shqiponjë”.  Pra , tek emri  “The Eagle”  është  edhe  Skendërbeu.  Dhe  e  dyta,  m’u  duk  vetja   i  vogel  të  përdor drejtpër drejt  një  emër  kaq  të  madh! Kështuqë  nuk  jam  penduar.  Jam i  bindur  se  me  shkon  tashmë  emri “The Eagle”.Gjithë  ç’më  mbetet  është  përgjegjësia  që  kam  edhe  ndaj  këtij  emri e që  nuk  mund  ta  lë  kurrësesi  të  bjerë.

Kuvendi:

Sapo  keni  nënshkruar  kontraten  për  ndeshjen  e  radhës. E  kam  fjalën  për  ndeshjen  e  datës  20  Shkurt  ,  kur  ju  do  të  ndesheni    për  të  mbrojtur   titullin  “champion”. Çfare  mund  të na  thuash ndonjë “sekret”  në  lidhje  me    këtë   ndeshje?

The  Eagle:

Sekret?  Nuk  besoj  se  ka  ndonjë  sekret  tashmë në jeten  time  prej  sportisti. Me  20  Shkurt  ndeshem  për  të  mbrojtur  titullin  që  fitova  vjet.  Sigurisht   ndeshja  e  ardhëshme  është gjithëmonë   me  e fortë  se  ndeshja  e  fituar. Oponenti  i  radhës vjen  gjithenjë  më  i  përgatitur  se  ai  që u mund.  Përgatitja  ime    duhet  të  jetë vazhdimisht  në   nivele me  të  larta fizike dhe psikologjike. Për  më  tepër  që   përgjegjësia  dhe  pritshmëria janë më të mëdha.“Luftrat  më  të  forta”  janë  ato  që  bëhen  për  të  mbrojtur   atë  që  ke bërë  tënden tashmë,   të  mund  të   fitosh nesër   atë  që  nuk  e  ke  ende .  Ndeshjet  e  ardhëshme  janë  ndeshje  në  rang kampionesh. Nëse  oponenti Nelson ishte  një  sportist  me   6  fitore    pa  asnje  humbje.   Oponenti  me  të  cilin  do  të  ndeshem  në  20 Shkurt, është   opponent  me   experiencë   më  të  gjatë e  më të   ngjeshur.  Kanadezi  Kyle Propollek  vjen  për  të   fituar. Pra,  ai  nuk  ka  se  çfarë  humbet  më  shumë  se  një  ndeshje.  Ndërsa  për mua kjo ndjeshje ështe shumë e rëndësishme  dhe  e marr  me një  seriozitet shumë  më të madh. Sepse  une  vij  tek kjo ndeshje jo  vetem per  nje  fitore  te  radhes, por   njekohesisht   per  te  mbrojtur  titullin.

Kuvendi:

Cili  është  çelesi i arritjeve tuaja?

The  Eagle:

As   në  MMA,nuk  ka  tjetër  sekret përveçëse, kembengulje  të  vazhdueshme,  disiplinë e rreptë,  pasioni, kurajoja, besimi  tek  vetja,  optimizmi,  mendimi dhe ndjenja pozitive. E  kthej  kokën  mbrapa vetem  për  t’i  kujtuar vetes  nga  kam  ardhur…, por  kryesisht  e  mbaj  vëmendjen  ku  kam  qëllimin  të  mbërrij!.

Kuvendi:

Çfare  dobie  sjell  ky  sport jo  vetem  ne  jeten  tende?

The  Eagle

Në  jetën  time,  ky  sport  nuk  është  tjetër  veçëse  diçka  e  dobishme.  Nëse   do  të  ndalesha  të  mendoja  për  rreziqet, ndoshta  as  në  palester  nuk  do  të  shkoja,   aq  më  pak  të  ngjitesha  në  ring. Si  çdo  punë  tjetër,  ashtu  edhe   sporti, e  aq  me  tepër  ky  sport, ka dobinë më të madhe se    rreziqet .  Askush  nuk  do të  bëhej  pilot  nëse  do  të  mendonte  se  çfarë  rreziku  është  t’i largohesh  tokes aq  shumë  e  përditë.  Ndoshta  në  një  mënyrë jo  haptaz e të  qellimshme,  suksesi  im  mund  t’i  japë  zemër  e  besim   dikujt,    të  inspirojë   dikë  që  sportin  të mos e shohë si  diçka  të   dorës  së  dytë  në  zgjedhjet  e  tij. Aq më tepër që sporti  stimulon shendetin fizik dhe mendor.

Kuvendi:

A mendon  se dikush  mund  te  jete  inspiruar  prej  teje , pasionit  e  arritjeve  tuaja.

The Eagle:

Ashtu siç besoj se, Atdheu i secilit fillon tek vetvetja , familja, oborri yt ashtu dhe yllësia e secilit ndriçon fillimisht shpirtin e tij, shtëpinë e tij, të afërmit e tij !  I pari njëri që ka  marrë zemër, e shembull prej meje është  vellai im , Ermal  Hadribeajn,  i cili  sot  është  kampion  në  Shqipëri. Në  mos  e  kam  inspiruar   dikë  tjetër për  t’u  marrë  direkt  me  këtë  sport,  jam  i  bindur  se  shumë  shqiptar  të  paktën  e  kalojnë  ndonjëherë TV-në   edhe  tek  kanali  ku  transmetohet  MMA.  Përveçëse   është    kënaqësi  e  veçantë  për  mua,  nëse  dikush   e  ka  patur  ëndërr  të  merret me  MMA  por  për  rrethana të  caktuara,    e  ka  ndërprerë, unë  tashmë  e  vazhdoj  edhe ëndërrën  e tij. Dhe,   vemendja  e  këtyre  njerëzve, ndaj  meje    është  gati  gati  dashuri nga  ato  më  të  pastërtat  e  me  të  sinqertat. Dhe  në  fund  të  fundit,  qellimi final  i  çdo  artisti  e   sportisti, është,  të  mund  të  inspirojë dikë. Pse  jo  dhe  breza  të  tërë.

Kuvendi:

Me  çfarë  argëtohet Adrian Hadribaj  gjatë  kohës së  lirë.

The  Eagle.

Nëse shpesh   them  se  jeta  është  një  ndeshje që  duhet  ta  luajmë  përditë  e  përditë  ta  fitojmë. Nëse   jam  i  bindur  se  secili prej  nesh  është  një  fighter,   kjo  nuk   do  të  thotë  aspak  se   jeta  nuk  është  edhe  një  shans  e  mundësi për  t’u  argëtuar.  Kështu  që  për  mua,  ndeshjet,  stërvitja janë  po  kaq  argëtuese.  Pra ,  argëtohem  me MMA, dhe  sigurisht  që  pëlqej  e  bëj  plot  gjëra  të  tjera.  Më  pëlqen  jashtë  mase  të   udhëtoj. Dhe  udhëtoj   sa  herë  që  më  jepet  rasti dhe mundësia. Më  pëlqen  të   shoqërohem  me  njerëz  të  moshave  e rracave  të  ndryshme. Tek  secili  njëri  që  takoj  mësoj  diçka  të  jashtezakonshme.  Prej  se,  ndoshta për  mua  të   gjithë  njerëzit  janë  të  jashtëzakonshëm. Edhe  tek  njeriu më  i “keq” ekziston  patjetër   diçka  shumë  e  mirë.  Po  të  kisha më shumë  kohë   do  të  merresha  më  seriziosht  me  artin  e  koreografisë.  Ndoshta  ndonjë   dite  prej  ditësh   mund  të  marr paralelisht klasa aktrimi dhe  klasa  koreografie.

Kuvendi:

A  do  të  doje  të   thuash  diçka  që   nuk iu  kemi pyetur?.

The  Eagle:

Nuk  e  di. Ndoshta   do  të  kisha  shtuar  se,  njeriu    mund  t’i  bëjë  të   gjitha, nëse arrin të bëjë atë më të vështirën. Të  zgjedhe dhe të   vendosë  se    cilën  prej të  gjithave  mund  të  bëjë  më  mirë  e  të  mos  heq  dorë  pa  e  bërë  deri  në  fund!

Kuvendi:

Meqë  jemi  ende  në  fillim  të  vitit,  dhe  në  prag  të  ndeshjes  tuaj te  radhes,  “Kuvendi”    iu  uron  fitoren  e  radhës,  dhe  një  vit plot  me  fitore  e  suksese të reja!

The Eagle.

Faleminderit  për  ftesën,  për  urimet,  për  vëmendjen  tuaj  si  “Kuvend”  jo  vetem  ndaj  meje ,  si  pjesë  e  këtij  komuniteti,  por  edhe  ndaj  MMA.  Shfrytëzoj  rastin  të  uroj  të  gjithë  lexuesit  ,   të  gjithë  shqiptarët pa  përjashtim,  një  vit të  mbarë!  Dhe,    shfrytëzoj  rastin të falenderoj  të  gjithë  sponseret  e  mi,  të gjithë fansat, miqtë dhe  të  njohurit.