Heshtja që bën zhurmë

Arjeta FERLUSHKAJMbi romanin “Fshati i heshtjes“ të Mark Lucgjonaj

Romani “Fshati i heshtjes” është vepra e parë në prozë e shkruar nga autori Mark Lucgjonaj. Ai e ka nisur krijimtarinë letrare si pjesa më e madhe e shkrimtarëve: me zhanrin e poezisë, konkretisht me vëllimin “Zhurma e mendimeve”.

Historia e rrëfyer në këtë roman na përcillet përmes dhjetë (10) kapitujve, e paraprirë nga një prolog. Nga të dhënat paratekstuale (shënimi i autorit në fund të librit) na rezulton se rrëfimi është përfunduar në janar të vitit që lamë pas. Duhet thënë se autori ka manovruar shumë me kohën e rrëfimit. Ndërsa për kohën e historisë, nuk kemi thuajse asnjë të dhënë kohore, përveç rastit kur përmenden sulmet e Natos në Bosnje Hercegovinë. E njëjta gjë ndodh edhe me vendin e ngjarjeve, ku jep shumë pak indicie (liqeni i Labeatit/ Shkodrës) dhe vetëm sa nënkuptohet që kemi të bëjmë me Malësinë.

Ne i kemi bërë tekstit një lexim jo semantik por semiotik, që do të thotë: ne na intereson të dimë jo vetëm çfarë ndodh por më shumë duam të dimë se si rrëfehet ajo që ndodh. Dhe, rrjedhimisht na lind pyetja: pse autori ka parapëlqyer të rrëfejë në këtë mënyrë?

Lucgjonaj luan me vëmendjen e lexuesit, ai e di se çfarë e mban të mbërthyer lexuesin mbas tekstit: pikërisht pezulli dhe kaosi. Lënia pezull e ngjarjeve, ndjesive, rrugëtimeve, fateve, pra fragmentarizimi i rrëfimit por edhe i jetës së personazheve, i krijon lexuesit ndjenjën e përshtjellimit si dhe dëshirën e domosdoshmërinë për t’iu rikthyer faqeve të librit, herë pas here.

Këtë strategji tekstuale autori e ka ndërtuar duke përdorur anakronitë e rrëfimit, të cilat janë: analepsa (kthimi mbrapa në kohë) dhe prolepsa (evokimi paraprak i ngjarjeve). Në roman ne ndeshim vazhdimisht alternimin e këtyre dy lëvizjeve narrative. Kjo nuk ka thjesht një funksion formal por pikërisht kjo lojë me kohën ka të bëjë me përceptimin e realitetit që rrëfehet në roman. Duket sikur nuk kemi një bosht tematik, sikur kemi një zbehje të subjektit (në fakt nuk ka një intrigë të mirëfilltë) dhe më së shumti luhet me kujtesën, ku kthimet mbrapa në kohë janë të papërcaktuara. Ndodh edhe diçka e “çuditshme”: tek lexon tekstin, të krijohet përshtypja se nuk rrëfen vetëm një narrator i vetës së tretë (narratori i gjithëdijshëm) por na del edhe një narrator i vetës së parë; pra ndryshimi i vazhdueshëm i perspektivave të rrëfimit, ku protagonisti herë del dëshmitar i të tashmes së vet (e jo vetëm) dhe herë i të kaluarës së tij. Përmendim këtu gjendjen para dhe pas humbjes tragjike që pëson Ludvigu sepse pikërisht ky çast bëhet kufiri ndarës mes dy realiteteve në jetën e protagonistit: lumturia (pasja e Ilonës) dhe disfata (humbja e Ilonës). E gjitha kjo bëhet për të na treguar se ky realitet fiksional është në një transformim të vazhdueshëm, si vetë jeta e protagonistit. Ndërsa realitetit jashtë fiksionit, duket se ia kërkon një transformim të tillë pikërisht tani. Këtu hyn në lojë funksioni i rastësisë. Ardhja e Ludvigut në “Fshatin e heshtjes“ na jepet si rastësi, por që në fakt është një lëvizje e mirëmenduar e romancierit. Ajo që vërtet mund të konsiderohet rastësi e befasi për ne si lexues është afrimi i protagonistit me Jerinën dhe rruga që marrin ata të dy, të shoqëruar me muzikën e Beethoven-it. Futja e rastit brenda tekstit letrar i jep një dinamizëm të veçantë rrëfimit dhe lë mbresa tek lexuesi.

Në kompleks, vepra është e ndërtuar përmes një unaze kompozicionale. Që do të thotë, romani nis e thuajse mbaron me të njëjtën skenë: vdekja aksidentale e Ilonës. Siç pohon studiuesja F. Dado, në rastet kur përdoret kjo unazë kompozicionale (brenda së cilës zhvillohen ngjarje, konflikte, veprojnë personazhe drejt një kahje të caktuar) efekti emocional është më i theksuar. Mjafton të përmendim skenën e aksidentit dhe njoftimin që i bën policia Ludvigut për humbjen e bashkëshortes. Kjo skenë, e ritreguar para plakut, mbart doza të tjera përjetimi tek lexuesi dhe ka funksionin e reflektimit.

Një tjetër pyetje që na lind gjatë leximit të veprës është: çfarë marrëveshje ka vendosur ky tekst me lexuesin?

Autori është treguar i kujdesshëm në përzgjedhje gjatë hartimit të tekstit letrar. Ai ka bërë protagonist një personazh me mbiemrin Nopça, i cili është mjaft i njohur për zonën e Malësisë. Këtij protagonisti i vë afër plakun me emrin Pal Bue Shpata, që e shoqëron në çdo lëvizje e vendimarrje për sa kohë qëndron në “Fshatin e heshtjes“; e vendos në bujtinën e Kras Jungut, duke i krijuar rehatinë që i nevojitet. Nuk janë të rastësishme këto përzgjedhje autoriale, por janë kode të cilat Lucgjonaj i konsideron të mirënjohura ndaj dhe mendojmë se teksti e ka të harmonizuar mirë proçesin e komunikimit me lexuesin e vet. Prania e një të huaji në fshat, nuk ka qëllim të përcjellë konceptin e refuzimit të tjetrit, përkundrazi, e shohim si një tendencë për identifikimin e vetvetes, njohjen më mirë të vetëdijes sonë. Ne këtu gjejmë universalen në skenën e një province të humbur, që, siç thotë Ludvigu “nuk figuron as në hartë“:

Studiues, edhe këtej si tek ju e kudo tjetër, guri, uji, dheu e qielli janë njëlloj, mirëpo vetëm mendimet, ndjenjat dhe qëllimet na bëjnë të ndryshëm”.

Prania e austriakut në fshat, i cili po gjurmon vlerat e ruajtura të traditës nga këto zona, përveçse është një homazh ndaj të kaluarës së lavdishme malësore, është në të njëjtën kohë edhe ftesë për të aspiruar horizonte të reja. Sepse, individi gjithnjë duhet të ngrejë zërin në përmirësim të vetvetes e të komunitetit. Prandaj edhe autori ka zgjedhur papërcaktueshmërinë kohore dhe hapësinore ngase të tilla mesazhe janë universale, jo vetëm për provincat.

Si përfundim, shkrimtari Mark Lucgjonaj ka ditur që të bëjë zhurmë përmes “Fshatit të heshtjes“, sepse na ka sjellur një protagonist që në dukje nuk trazon por që “çon pluhur“ në rrugëtimin e secilit prej nesh. Gjithashtu, përmes një rrëfimi në dukje linear, në fakt kemi të bëjmë me një rend kaotik zërash. E gjitha kjo, synon të përcjellë mesazhin e zgjimit, shkundjes, tejkalimit të vetvetes në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Doktorante Arjeta FERLUSHKAJ

TUZ, shkurt 2016