Ka të dhëna që në disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe, mësimi zhvillohet nga mësimdhënës të cilët nuk kanë njohje të gjuhës shqipe, thuhet në një letër të Këshillit Kombëtarë Shqiptar në Mal të Zi, drejtuar Ministrit të Arsimit të Malit të Zi Predrag Boskovic-it.
Ata sqarojnë se me Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave mësimi duhet të zhvillohet tërësisht në gjuhën e popujve pakicë.
“Mirëpo, ne kemi të dhëna se në disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi mësimi zhvillohet nga mësimdhënës të cilët nuk kanë njohje aktive të gjuhës shqipe, gjë që është në kundërshtim me këtë Ligj dhe me të drejtën e shkollimit aktiv në gjuhën e vet amtare. Kjo sidomos paraqet problem tek mësimi i gjuhës zyrtare dhe i gjuhëve të huaja, ngase nxënësi detyrohet për ta mësuar gjuhën e huaj përmes gjuhës tjetër, që për të është jo-amtare”, shkruan në letrën e KKSH-së.
Me iniciativë të Komisionit për Arsim dhe Përdorim Zyrtar të Gjuhës shqipe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe me përkrahje të Kryetarit të KKSH-së, z. Genci Nimanbegu, në mbledhjen e mbajtur në Ulqin, të shtunën, më 13 shkurt 2016, KKSH procesuoi kërkesën për zbatimin e Nenit 13, paragrafit 4, të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, me çka garantohet që “Mësimi të zhvillohet tërësisht në gjuhën e popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera minoritare”. /MALESIA.ORG/
Në vazhdim mund të lexoni letrën e plotë:
_______________________________________________________
MINISTRISË SË ARSIMIT TË MALIT TË ZI
PODGORICË
Ministrit Predrag Boshkoviq
Lënda: Kërkesë për marrjen e të dhënave mbi numrin e mësimdhënësve në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, të cilët nuk kanë njohje aktive të gjuhës shqipe
I nderuar z.ministër,
Shkollimi në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet e edukimit dhe arsimimit, është njëra nga të drejtat më elementare dhe të garantuara në të gjitha shoqëritë demokratike, drejt të cilave synon edhe Mali i Zi.
Me Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave (neni 13, paragrafi 4) sanksionohet që “ Mësimi të zhvillohet tërësisht në gjuhën e popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera minoritare”. Mirëpo, ne kemi të dhëna se në disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi mësimi zhvillohet nga mësimdhënës të cilët nuk kanë njohje aktive të gjuhës shqipe, gjë që është në kundërshtim me këtë Ligj dhe me të drejtën e shkollimit aktiv në gjuhën e vet amtare. Kjo sidomos paraqet problem tek mësimi i gjuhës zyrtare dhe i gjuhëve të huaja, ngase nxënësi detyrohet për ta mësuar gjuhën e huaj përmes gjuhës tjetër, që për të është joamtare.
Duhet të ju përkujtojmë se me nenin 101, paragrafi 3, të Ligjit të përgjithshëm mbi arsimimin dhe edukimin sanksionohet që “Mësimdhënësit në institucionet apo në paralelen e veçantë të institucionit ku mësimi zhvillohet në gjuhën e pakicës,krahas kushteve të parashikuara me ligj, duhet të kenë njohje aktive të gjuhës dhe shkrimit të kësaj pakice si dhe të gjuhës malazeze”.Po ashtu, me nenin 78 paragrafi 1 të Ligjit mbi shkollimin dhe arsimimin parashikohet që “Mësimin në shkollë mund ta zhvillojnë mësimdhënësit të cilët e kanë gjuhë amtare gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi apo mësimdhënësit që kanë kryer “Fakultetin përkatës për shkollimin e mësimdhënësve në gjuhë në të cilën zhvillohet mësimi”.
Së këndejmi kërkojmë nga ju që të na informoni lidhur me numrin e mësimdhënësve (listën e mësimdhënësve sipas shkollave) në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, të cilët nuk kanë njohje aktive të gjuhës shqipe.
Duke shpresuar se do ta zgjidhni pozitivisht kërkesën tonë, ju falenderoj paraprakisht !
Me respekt,
Kryetari
Genci Nimanbegu