Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, më 23 prill 2016, në QKI “Malësia”, u mbajt aktivitet me temë ”Libri, udhërrëfyes në jetë”, nën organizimin e QKI Malësia në Tuz, Bibliotekës Kombëtare ”Radosav Ljumovic” Podgoricë dhe OJQ Instituti për Zhvillimin e Kulturës në Tuz.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi z, Ernal Filo, si dhe përfaqësues të partive politike shqiptare dhe mysafir të tjerë nga Shqipëria dhe Ulqini.
Moderatorja dhe njëra nga organizatoret e këtij aktiviteti, Liridona Sinishtaj, duke i përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit, ndër të tjerat tha se, “me këtë aktivitet, në këtë datë simbolike, kana vendosur që librin t’a sjellin më afër secilit nga ne, si reflektim për rolin dhe praninë e tij mes pasionit dhe profesionit. Ajo që është më e rëndësishmja është se kjo datë dhe ky aktivitet paraqet një ftesë për lexim, përmes temës bosht ‘’Libri, udhërrëfyes në jetë’’ ‘’Libri, është miku më i mirë, me këtë frazë na kanë ftuar në botën e tij, e ne duke u rritur kemi kuptuar së libri është ndër ata miqtë e rrallë, që di kur të flasë dhe të heshtë, të marrë dhe të japë, ai na mundëson udhëtimin e vazhdueshëm të mendjes dhe shpirtit. Ai duhet mbajtur pranë, lexuar e kujtuar, e sidomos sot në Ditën Botërorë të tij të shpallur që nga viti 1995 nga UNESCO”, theksoi Sinishtaj.
Në emrin e qendrës së kulturës dhe bibliotekës foli producentja Farah Laleviq.
Për rëndësinë e librit kanë folur, Arjeta Ferlushkaj, doktorante e letërsisë, punonjëse e Bibliotekës Universitarë në Shkodër, Dorian Koçi, doktorant i historisë, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Eljon Doçe, doktor në shkencat letrare pedagog në Universitetin e Tiranës dhe ligjërues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në katedren e Beogradit, Haxhi Shabani, doktorant i gjuhës shqipe, shkrimtar, studiues dhe gazetar nga Ulqini.
Në kuadër të këtij aktivitetit, me të njëjtën tematikë në korridorin e QKI Malësia ishin të paraqitura ekspozita e punimeve të autorit të ri nga Malësia Nusret Gjokaj. /MALESIA.ORG/