Tuz-Malësi (28/04/2016) – Shoqata e vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, në bashkëpunim me Shoqatën atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, edhe këtë vit si vite më radhë po vazhdon me organizimin e manifestimit kulturo-artistik “Zëri i Vëllazërisë”.
Manifestimi i gjashtëmbëdhjetë i Zërit të Vëllazërisë, aktivitet ky i cili bashkon shoqatat nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Tuzi-Malësia kësaj radhë u zhvillua edhe në Tuz.
Manifestimi filloi në Shkodër për të vazhduar në Tuz, të ënjtën (28.04.2016) në Qendrën Kulturo-Informative “Malësia”. Manifestimi vazhdon të premten në Istog, për të përfunduar të shtunën në Pejë.
Moderator i programit ishte Fadil Grabovci i cili foli dhe falënderoi Malësinë, për kontributin dhe mikpritjen e Malësorëve gjatë luftës në Kosovë.
Në emrin e nikoqirit foli Palë Dreshaj, kurse të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Shoqatës atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, Ndua Sanaj.
Ne emër të Shoqatës së vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, ka folur sekretari gjeneral i kësaj shoqate Frasher Rracaj, i cili me disa fjalë ka përshkruar veprimtarinë dhe mikpritjen e malësorëve si dhe mbresat nga bashkëpunimet që ka pasur dhe ka me malësorët këtu.
Në këtë koncert folklorik ishin vallet dhe këngët që na vinin plot freski nga këngëtarët dhe ansamblet folklorike nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia, të cilët u bënë bashkë në një mbrëmje të madhe festimi.
Para publikut u shfaqën Ansambli eblemik “Rugova”, Shoqata “Dedë Gjo Luli”, Ansambli “Shqiponja”, grupi nga Drenica dhe këngëtarët nga Shkodra Kristian Zalli, Zef Marku dhe Pëllumb Vrinca.
Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe me seli në Pejë, mbanë emrin e humanistit, tashmë të ndjerit Martin Dreshaj, në nderë dhe respekt për kontributin e tij ndaj vëllezërve tonë të cilët ishin strehuar në Malësi gjatë luftës së 1998-99 në Kosovë. /MALESIA.ORG/