Rruga Guci – Vermoshë – Tuz, Shqipëria pranë përfundimit të rrugës, Mali i Zi ende nuk ka mbyllë as tenderin!
Sot në fshatin kufitar Grabom, në luginën e lumit Cem, u mbajt “Karvani i miqësisë 2016”, i cili simbolilikisht ka për qëllim promovimin e kalimit të lirë të kufirit dhe njëkohësisht, të nxisë hapjen e sa më parshme të pikë kalimit të përbashkët kufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Organizimi i këtij takimi ka filluar nga viti 2008, pasi që tashmë një kohë të gjatë është paralajmëruar ndërtimi i rrugës Guci – Vermoshë – Tamare – Dinoshë – drejtë Tuzit dhe Podgoricës.
Në takimin e sotëm, ishin të pranishëm përfaqësues të komunave të Gucisë, Plavës, pastaj të Tamarës, të bashkisë Malësia e Madhe nga Shqipëria, si dhe të KU të Tuzit.
Në fillim të këtij takimi, të pranishmit i përshëndeti kryetari i KU të Tuzit, Abedin Axhoviq, i cili nismën e filluar para tetë viteve, e vlerësoi tepër të dobishme në të mirë të dy shteteve fqinje, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Ndërkaq, nënkryetari i Bashkisë Malësia e Madhe, nga Republika e Shqipërisë, Sytki Ndrecaj, duke përshëndetur këtë aktivitet aq të nevojshëm për banorët e të dy vendeve sidomos nga brezi kufitar, apeloi në përshpejtimin e punës në realizimin e këtij projekti, në veçanti nga pala malazeze, pasi që Shqipëria është duke punuar me ritme të shpejta në ndërtimin e këtij aksi rrugor.