Nxënës nga Tuzi-Malësia, në vizitë tek Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani

nxenesit - presidenca 01Një grup nxënësish dhe arsimtarësh nga shkollat shqipe nga Ulqini, Tuzi-Malësia, Plava, Gucia dhe Rozhaja, me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishanit, ishin dje në vizitë në Presidencën shqiptare.

Presidenti Nishani, gjatë takimit vlerësoi punën dhe sakrificat e shqiptarëve për të ruajtur dhe mbajtur të pandryshuar identitetin tonë kombëtar dhe kulturor që nga gjuha, zakonet dhe traditat e mira.

Duke i uruar vëllazërisht mirëseardhjen në Institucionin më të lartë të vendit, Kreu i Shtetit u shpreh: “Unë ju uroj mirëseardhjen! Është një kënaqësi e madhe për mua që ju përgjigjët ftesës sime dhe kaluat një fundjavë në Shqipëri! Ishte një dëshirë e imja dhe e Institucionit të Presidentit që nxënës nga viset shqiptare të vendeve fqinje të kishin mundësi të vinin këtu dhe të bisedonim. E di që ju keni mundësi të vini edhe individualisht, edhe me familjet tuaja, por dëshira ishte që t’ju mirëprisnim si Institucion dhe në mënyrë zyrtare, kështu që unë ju falënderoj që e pranuat ftesën në radhë të parë, dhe shpresoj dhe uroj që t’ia keni kaluar mirë këto ditë!”, tha Presidenti Nishani.

Përfaqësuesit e mësuesve dhe nxënësve falënderuan gjatë bashkëbisedimit vëllazëror Kreun e Shtetit dhe theksuan se takime të tilla veçse forcojnë urat e bashkëpunimit dhe çelin një kohë të re të takimeve me bashkëkombësit.

Nxënësit dhe arsimtarët ishin në një vizitë disa ditësh në Shqipëri, me çrast vizituan Shkodrën, Beratin, Vlorën, Tiranën dhe Krujën.

Iniciativa si kjo e Presidentit Nishani, kontribuojnë në afrimin e të rinjve tonë me shtetin amë dhe janë tregues i përkujdesjes së shtetit për bashkatdhetarët jashtë kufijve politik. Andaj, veprimet të tilla duhet përshëndetur, me shpresë që aktivitete të tilla do të bëhen edhe më shumë në të ardhmen. /MALESIA.ORG/

nxenesit - presidenca 01 nxenesit - presidenca 02 nxenesit - presidenca 03 nxenesit - presidenca 04 nxenesit - presidenca 05