Tuz-Malësi (14/05/2016) – SHKA “Rapsha”, në bashkëpunim me QKI “Malësia”, organizuan program kulturo-artistik me moton “Së bashku ta ruajmë folklorin në Malësi”.
Në sallën e QKI “Malësia” në Tuz, e mbushur deri në vendin e fundit, shoqatat kulturo artistike nga Malësia shfaqën një program të pasur folklorik.
Përpos qytetarëve nga Malësia, të pranishëm ishin edhe mysafirë nga Shqipëria.
I pranishëm ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, z.Sytki Ndrecaj.
Para publikut u shfaqën SHKA “Rapsha”, Ansambli “Shqiponja”, SHKA “Besa” dhe SHKA “Dedë Gjo Luli”, ku me valle dhe këngë burimore argëtuan të pranishmit.
Se publiku mbeti më se i kënaqur e dëshmuan edhe duartrokitjet e njëpasnjëshme.
Organizimi ishte në nivel, duke nisur nga moderatorja e programit e deri tek shfaqja e të gjitha grupeve.
“Së bashku ta ruajmë folklorin në Malësi”, moto e qëlluar, andaj rrimë më shpresë që shoqatat tona kulturo-artistike do të vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen dhe kultivimin e folklorit tonë autokton. /MALESIA.ORG/
