Letër e hapur e Nikollë Camaj, drejtuar Akademisë së Shkencave të Malit të Zi

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 100

“Për shqiptarët mendoni njëjtë si SANU” (Akademia serbe), ka shkruar Camaj dhe e publikon Portali “Analitika” i datës 24. 05. 2016.

Kohë më parë ASHMZ (CANU) ka publikuar vëllimin e parë të Fjalorit të gjuhës popullore dhe letrare malazeze, dhe duke qenë se çdo fjalor fillon me shkronjën A, ne shqiptarët nuk patëm nevojë të presim tepër gjatë për të zbuluar se çfarë “din”, ose më mirë të them, çfarë mendon për ne CANU, dhe të gjitha gjasat janë se mendon njëjtë si SANU!

Në fakt, ditë më parë, profesoresha Jelena Susanj, nëpërmjet gazetës “Pobjeda” dhe Portalit “Analitika” shpalli në publik një shpjegim jo-qëllimmirë dhe një interpretim grotesk të emërtimit shqiptarët dhe shqiptarizimi, e që gjinden në fjalorin e përmendur. Pas reagimit të profesoreshës Shushanj, pasuan edhe reagime të tjera, të arsyeshme dhe të domosdoshme. Pritej që CANU të kërkonte falje dhe të paralajmëronte korrigjimin, por në vend të kësaj vjen rekomandimi i ri: “lexoni më me vëmendje”. Por vetëm pas një leximi të kujdesshëm mund të shihen qartë, falsifikimet dhe pohimet qëllimkëqija, si dhe objektivat e shkrimit të tillë. Dhe mu pas leximit me të vëmendshëm, presim reagimin e atyre që do të duhej të mbronin multietnicitetin e Malit të Zi, sepse Mali i Zi, së paku sipas Kushtetutës, është shtet qytetar dhe multietnik, e jo shtet një-nacional. Por, pohimet nga fjalori i CANU, thonë të kundërtën, dhe atë me një trajtim joshkencore dhe paushall të çështjeve që lidhen me emrin e shqiptarëve.

Qëndrimi hegjemonik mbi origjinën e malësorëve, si të “albanizuar”-shqiptarizuar (nga i cilit komb?!), thellësisht është prepotent e rigid, me qëllim të keq dhe shkencërisht i pa bazuar. Në këtë publikim të Akademisë shkruan se: “…edhe pse malësorët janë të albanizuar, të folurit e tyre është shumë ndryshe nga gjuha standarde shqipe”. Ky pohim i pabazë, jo vetëm se paraqet të pavërtetat më të thjeshta, por edhe ofendim për intelektin e njeriut të zakonshëm! Të plasohet një qëndrim i tillë shkencërisht i pabazuar, për të interpretuar më tutje termin “albanizim”, nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si një tendencë për asimilim të mëtejshme të malësorëve, përkatësisht shqiptarëve, por jo përmes shqiptarizimit por “CANU-izimit “. Zotërinj, malësorët janë shqiptarë, njëjtë si të gjithë shqiptarët e tjerë, të cilët flasin shqip, dialektin gegë, por shkruajnë njëjtë me ata të Elbasanit dhe Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Preshevës dhe kështu me radhë. Sipas logjikës së CANU, del se ata që nuk e flasin gjuhën standarde malazeze, nuk janë malazezë. Ose italianët jugorë, nuk janë italianë!? “Malësorët e albanizuar!”, është një pohim që dëshmon marri ose qëllime të liga, pasi që shekujt pas nesh e vërtetojnë të kundërtën! Këtë mund ta gjeni në shkrimet e Milan Shuflaj, i cili nuk është shqiptar, e i cili edhe emrin Mali i Zi e nxjerrë nga shqipja Malci. Pohimin se populli “arbanas” ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të hapësirës së sotme të Malit të Zi e gjejmë edhe në analet e Pop Duklaninit, që po ashtu nuk mbahet për shqiptar. Pastaj edhe Car Dushani i sheh këto zona si pjesë të Arberise (shih “Historia e Malit të Zi II-2”, Titograd, 1970, f.138). Në dokumentet zyrtare të Republikës së Raguzës (Dubrovnikut) nga viti 1443, Podgorica është pjesë e Arberisë. Prandaj, pyetja e të gjithë pyetjeve është: ku shkuan ata Arbanas? Pasi që, sipas interpretit të CANU, fitojmë teorinë e të Albanizimit të Arbanasëve, lind pyetja se çfarë ka ndodhur me ata arabanas që nuk janë albanizuar?! Unë mendoj se kjo e dëshmon drejtimin e asimilimit, i cili asesi nuk mund të jetë albanizim! Duhet të kihet parasysh se kur ky qëndrim vjen nga një adresë siç është Akademia e Shkencave, dhe e pranojnë masat, ajo bëhet e rrezikshme. Prandaj, ne presim korrigjimin dhe kërkim faljeje nga CANU, por edhe nga ata politikanë që e kanë gojën plotë bashkëjetesë e harmoni, dhe plot gojën DPS-demokraci, të ngritën dhe të mbrojnë dinjitetin dhe të drejtën në barazi, dhe të dënojnë shkarravinat e tilla.

Edhe gjatë emërimit të Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU), ishte e qartë se një emërtim i këtillë nuk paraqet asgjë tjetër vetëm një gabim shkronje e SANU, pasi ajo mbetet në të njëjtën kornizë ideologjike dhe ka të njëjtin qëndrim ndaj çdo gjëje që nuk i përket mbiemrit, me S apo me C. Akademia nuk mund të quhet Malazeze, dhe të mos jetë hegjemoniste, pasi që dihet se malazezët, sipas kombësisë, nuk janë shumicë në Mal të Zi. Por, as emërtimi ndryshe, themi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Malit të Zi, nuk do të garantonte evitimin e një diçkaje të këtillë, pasi që, siç duket, ndryshimi i vetëdijes dhe ndërgjegjësimi në raport me shqiptarët po zgjatë më tepër se sa thonë disa, apo se e dëshirojnë disa të tjerë. Deri sa mendjet e ndritura mendojnë dhe shkruajnë kështu, distanca etnike, për të cilën flasin të gjitha anketat e deritashme, nuk do të zhduken. Në shtetin e Malit të Zi, multietnik, me një tendencë për t’u bërë evropian, një stigmë e këtillë akademike për një komb, është thjesht e papranueshme dhe nuk i shërben askujt tjetër, përveç asaj që dëshmon se as shteti i ri i Malit të Zi nuk është larguar shumë nga mënyra e të menduarit të Garashaninit, Erdelanoviqit, Pashiqit e të Memorandumit të tare, në lidhje me shqiptarët. Në fund të shtojë edhe këtë, se CANU megjithatë për një gjë ka të drejtë; se shqiptarët vërtet jetojnë në Shqipëri, por kanë “harruar” të thonë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat e tjera etnike, të lashta, në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Greqi dhe Mal të Zi , si dhe në pothuaj të njëjtin numër, në zonat e tjera jashtë trevave etnike. Po ashtu duhet theksuar se me këtë e kanë se dallimi në mes CANU dhe SANU është reduktuar në një gabim tipografik.

Nikollë Camaj: Festat që ndajnë!

Mali i Zi dje festoi 10 vjetorin e pavarësisë. Shteti, i cili në të gjitha akte njihet si shteti i malazezve, e pastaj i të tjerëve, përqindjen malazezo-etnike e ka nën 50%, por kjo nuk i pengon që , kur është në pyetje heraldika, nën këtë më pak se 50%, t’i fus edhe ata që nuk ndihen dhe nuk janë malazezë.

Këtë Mali i Zi e dëshmoi edhe gjatë festimit të këtij përvjetori, me ç’rast nëpër qytetet shqiptare në Mal të Zi nuk u valëvit asnjë flamur shqiptar. Edhe pse sipas ligjit në fuqi, flamuri i pakicës, karshi flamurit shtetëror, valëvitet edhe gjatë festave shtetërore të Malit të Zi, në ato vise ku pakica përmban shumicën, kjo nuk u realizua në praktikë.

Por, siç u pa, në skenë, aty ku duhet të qitet pluhur syve, u panë pika muzikore shqipe dhe shoqata nga trevat etnike shqiptare. Pa flamur, natyrisht!

Në manifestimin në Tuz, në publikë fëmijët e shkollave fillore ishin rreshtuar, tamam si në kohën e Titos. Po ashtu, në publik, si në Tuz, Podgoricë edhe Cetinë u panë edhe ata që, me të drejtë ngritën zërin për fyerjen që na bëri Akademia malazeze e shkencave, e edhe sish që do të duhej ta kishin ngritur zërin. Por, të parët e paskan pas ngritur, si duket, sa për t’i hyr dikujt në qef, si edhe të dytën që kanë heshtur, për ty hyrë në qejf dikujt tjetër.

Meqenëse Akademia veç zbaton politikën që e dirigjon udhëheqësia malazeze, atë të asimilimit, aty nuk e kishin vendin liderët politikë shqiptarë nga Mali i Zi, e besa as ata nga rajoni, pasi që qëndrimi shoven i Akademisë duhej të shfrytëzohej për t’i dhënë një mesazh Gjukanoviqit dhe Akademisë serbe, ops, malazeze, se malësorët nuk janë të albanizuar, por janë shqiptarë den-baba-den, në trojet e veta etnike, dhe se deri sa të mendojnë kështu, ne, së paku nuk mund të festojmë së bashku. Prandaj, pa qëllim që të zhvlerësoj atë që të tjerët e kanë thënë, shkruar apo bërë, mendoj se bojkoti i manifestimit do të ishte mesazh më i qëlluar, se të gjitha reagimet e veprimet publike të deritashme, lidhur me shkarravinat e akademikëve malazezë.

Shqiptarët, dhanë kontributin maksimal në kthimin e shtetësisë së Malit të Zi. Por, si na u kthye. E mënyrë se si na u kthye (Fluturimi i shqiponjë, fshirja nga regjistri i zgjedhësve që jetojnë jasht shtetit, e që kishin ardhur për të votuar në referendum për pavarësi, grabitja e pronave, komuna e Tuzit etj.), së paku jep arsye që të mos festojmë me ta. Prandaj, ne disave as që na kishe rënë ndër mend të festonim, edhe pse idenë e republikave sovrane të Malit të Zi e të Kosovës e propagandonim atëherë kur këta zotërinjtë që po ia “marrin mazën”, e kundërshtonin me forcën e Akademisë dhe të ushtrisë. Sot ata po vazhdojnë kundra nesh, por vetëm me forcën të akademisë, forcë kjo që e kapërcen atë të ushtrisë! Dhe disa po u thonë mashalla!

Nikollë Camaj