Tuz, Malësi (01.06.2016) – Me rastin e 1 Qershorit Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe Festës së Abetares në QKI “Malësia”, në Tuz u mbajt manifestim argëtues për fëmijët.
Aktiviteti u zhvillua nën organizimin e Aktivit të klasave të dyta të Shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz dhe paraleleve të shpërndara në Sukruq, Vuksanlekaj dhe Milesh, nën udhëheqjen e mësuesve: Luigj Dukaj, Leze Gojçaj, Shtjefën Gjonaj, Afrodita Gojçaj, Samira Gjokaj dhe edukatores Kristina Dedvukaj.
Shtëpia e Kulturës “Malësia” ishte e dekoruar shumë bukur dhe e mbushur përplot me fëmijë të cilët me padurim prisnin fillimin e manifestimit, ndërsa fëmijët e udhëhiqnin programin dhe ishin po ata të cilët e bënin programin me pikat e përgatitura nga vet ata.
Ishte një manifestim i mrekullueshëm, ku e gjithë vëmendja u kushtohej fëmijëve, duke filluar nga kënga, recitimi, gjëzezëza e lojëra të tjera.
Kjo datë e rëndësishme në Tuz shënohet që disa vite me radhë, por për here të dytë në nivel të të gjithë paraleleve duke përfshirë edhe paralelet e shpërndara.
Ky manifestim u mbështet financiarisht nga udhëheqësia e shkollës, QKI “Malësia”, prindërit dhe nga mësimdhënësit e aktivit të klasave të dyta. /MALESIA.ORG/