Sot, Parlamenti i Shqipërisë do të duhet të marrë vendimin për ratifikimin e Protokollit të Marrëveshjes për Anëtarësimin e vendit fqinjë, Shteti i Qytetarëve të Malit të Zi, në Nato. Është një vendim që Shqipëria zyrtare duhet të marrë, për një vend me një pozicion të veçantë karshi botës shqiptare: në atë shtet banojnë 60000 shqiptarë etnikë, të shkëputur nga historia e trazuar 1878-1921, prej trungut të shtetit shqiptar; është rasti i një vendi që sot, në një mënyrë të stërholluar, ka copëtuar përfaqësinë politike shqiptare në Podgoricë, ka eklipsuar krijimin e Komunës së Malësisë në Tuz; një vend ku akademikët e tij fyejnë, me paratë publike, një pjesë të bashkëqytetarëve të tyre të nacionalitetit shqiptar, përmes ca zërave me përmbajtje false; një vend që nuk regjistron lehtësisht në regjistrat civilë kombëtarë të shtetit, fëmijët emigrantëve të nacionalitetit shqiptarë dhe me shtetësi malazeze; një vend, që në rastin e shtetasve të nacionalitetit shqiptar, nuk njeh qartësisht të drejtën e pronës, individuale dhe komunitare. Por, nga ana tjetër, Mali i Zi edhe rasti i një vendi të dalë nga ish Jugosllavia, që ka mbajtur një qendrim të posaçem pozitiv ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj dhe ka raporte shumë të mira me Tiranën zyrtare, një kryeqendër kjo tradicionalisht e pandjeshme për shqiptarët e Malësisë, Ulqinit, Tivarit, Plavës, etj.
Në qoftë së më duhet të ndërtoj një tezë përkufizuese se çfarë përfaqësojnë sot territoret shqiptare në Mal të Zi (duhet të kujtoj posaçërisht situatën në Plavë, Guci dhe Rozhajë), nisur nga Hoti, Gruda, Trieshi Koja, Ljarja, Shestani, Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, me duhet të them që, këto territore dhe popullsia shqiptare që banon atje, ndodhet: 1.në pikëpamje të burimeve humane, në një proces shpopullimi, që rritet në intensitet, nga Ulqini drejt Trieshit e Kojës; një proces krijimi zbrazëtirash pronësore, abandonim të objekteve themelore të identitetit nacional dhe religjioz, që përcaktojnë qartësisht autoktoninë; është një bashkësi me burime të kualifikuara intelektuale gjithnjë e më të munguara, kapacitete politike totalisht të përçara dhe të decimuara, deri edhe të kthyera në shtojca servile të politikës centrale malazeze, politikë që kontrollon plotësisht çdo prirje për përfaqësim të njimendtë europian të popullsisë së kësaj krahine, duke arritur deri në eliminimin e plotë, së fundmi, të nxjerrjes së një kandidati shqiptar si kryetar i bashkisë së Tuzit. 2.Në pikëpamje të organizimit territorial, hapësira e lartëpërmendur është e ndarë në mënyrë asimetrike, në komuna me statuse të ndryshme juridike brenda organizmit territorial të Republikës së Malit të Z. 3.Në pikëpamje të pozicionit aktual politik dhe të të drejtave formale dhe elementare, hapësira ka pësuar një përmirësim falë procesit integrues europian, të Republikës së Malit të Zi, Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. 4.Në pikëpamje të përfaqësimit politik, shqiptarët janë të përçarë në shumë parti politike, me liderë të vjetër, që janë, ose bishta të politikës dhe interesave jo shqiptare dhe jo europiane, ose mbetje, në proces terminal të vdekjes politike. Ata shquhen për një ligjërim dhe komunikim patetik të rremë nacionalist, që fshehin para popullit, një padije të thellë, një mungesë të plotë vizioni për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në një Ballkan Europian pa kufij dhe barriera. Ata nuk kanë arritur dot të bëhen drejtues të popullit, nuk kanë arritur të jenë as teknicienë të zakonshëm skrupulozë, që punojnë për zhvillim permes shfrytëzimit të fondeve që qeveria e Malit të Zi jep në ndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit, nuk kanë asnjë skuader projektesh zhvillimore të gatshme, nuk kanë ndërtuar asnjë planifikim për mbrojtjen juridike të pronësisë së shqiptarëve në hapësirën e rrezikuar të Malësisë, Shestanit, Ljarjes, Krajes, Tivarit, nuk kanë ndërtuar asnjë departament për mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe religjioze shqiptare në këtë hapësirë. Çdo mbrojtje e derisotme është arritur falë ndërhyrjeve individuale të njerëzve vullnetmirë, brezit të ri më të emancipuar politikisht dhe kulturalisht, dhe diaspores në SHBA. Kjo situatë shpjegon sot guximin e akademikëve malazezë për t’i dhënë edhe një goditje të falsifikuar dhe fyese autoktonisë dhe identitetit nacional shqiptar në Shtetin e Qytetarëve të Malit të Zi, dhe posaçërisht në Malësi.
Cilat janë nevojat korigjuese? Korrigjime do të më duhet t’i ndaj në dy plane: 1. Korigjimi brenda shqiptar 2. Korigjimi i qendrimit të qasjes së politikës centrale malaziase ndaj hapësirës territoriale dhe humane që bashkon nga jugu në veri, Republikën e Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë
1.Përsa i përket korigjimit të politikës shqiptare: Ka ardhur koha e ripërtëritjes të gjithë udhëheqësisë politike shqiptarë në Mal të Zi. Shqiptarët në Mal të Zi kanë nevojë për parti politike që në programin e vet kanë kontributin në procesin serioz europianizues dhe integrues të popullit shqiptar në Republiken e Malit të Zi, kontributin në procesin demokratizues, procesin reformator juridik të këtij shteti, procesin e zhvillimit të burimeve njërezore, procesin e ndaljes së kolonizimit dhe dekulturizimit të Malësisë, Shestanit, Ljarjes, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës, procesin e mbrojtjes së pronës, procesin e regjistrimit të çdo shqiptari të diaspores në regjistrat e gjendjes civile të këtij shtetit, një parti politike që përbëhet nga departamentet me titullimet që thashë më sipër: Kur them parti politike nuk nënkuptoj eleminimin e pluralizmit, por nënkuptoj një udhëheqësi politike pluraliste, të konferederuar që bën një pakt për mbrojtjen e interesave shqiptare dhe angazhohet për unitet dhe kundër përçarjes. Një parti, urë bashkuese mes shqiptarëve dhe qeverisë qendrore të Malit të Zi, që vendos në efiçencë shërbimin komunal të komunave shqiptare dhe mbron komunitetin shqiptar. Qytetarët shqiptarë në Mal të Zi ndodhen para nevojës urgjente për të ngritur në standarte të pranueshme europiane, statusin e përfaqësimit të bashkëkombasve. Përfaqësimi më i kualifikuar në aspektin politik dhe arsimor, jo vetëm do t’i shërbejë më mirë ecjes përkrah rrjedhave integruese rajonale, por do të shpëtojë popullin tonë në këtë pjesë të Ballkanit, nga shpërbërja, shpërngulja dhe përhapja.
Shqiptarët në Malin e Zi janë para emergjencës komunitare për t’u ngritur në statusin e faktorit që merr pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve të së ardhmes së vet. Përforcimi i sistemit arsimor në gjuhën shqipe në Malësi, Anë të Malit, Ulqin, Tivar, Plavë, Guci, Rozhajë dhe Shestan, mbrojtja e të drejtave të pronësisë, mbeten prioritete me rëndësi vendimtare për mbijetesën identitare; ndalja me urgjencë e procesit të kolonizimit të Malësisë, ndalja e zaptimit të pronës dhe mbrojtja e hapësirës së pjesëmarrjes në drejtimin e administratës, sistemit arsimor, organeve të punëve të brendshme dhe rendit publik në hapësiren shqiptare, janë po ashtu vendimtare. Shqiptarët e Malit te Zi kanë një grupim intelektual të rëndësishëm, që po të angazhohet në përfaqësim, mund të sjellë një strategji të re në shkollimin efikas të shqiptarëve, një ndihmesë të rëndësishme në ristrukturimin administrativ dhe asaj çfarë dëshirohet nga të gjithë, ngritja e Komunës së Malësisë, në të gjithë hapësirën gjeografike të Malësisë së mirëfilltë, duke përfshirë edhe Kojen dhe Trieshin, dhe njohjen e njimendtë të statusit të popullit shtetformues. Krijimi i Bashkisë së Malësisë do të ndikojë në respektimin më të madh të të drejtave arsimore dhe kulturore të popullatës së kësaj ane, do të ndikojë në respektimin e të drejtave historike të pronësisë dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes popullatës shqiptare dhe asaj malazeze në shtetin e Malit të Zi.
- Korigjimi i qendrimit të qasjes së politikës centrale malaziase: Asnjë proces integrues në Europë nuk mund të kryhet pa respektuar të drejtat e punësimit, të drejtat civile, të drejtat arsimore, dhe kulturore të Hotit, Trieshit, Kojës, Grudës dhe Malësisë. Është momenti që politika qendrore malazeze ta transformojë njimendësisht lirinë e parë formale, në një liri funksionale, zhvillimore, të vërtetë. Si shpjegohet që të jesh shqiptar në Malin e Zi , do të thotë të jesh i papunë?! Autoritet e Podgoricës duhet të kuptojnë që shqiptarët nuk mund të mbahen të kontrolluar përmes hijeve të mekateve të djeshme të disa individeve të tyre, as përmes metodave të institucioneve që i përkasin botës së vjetër komuniste shqiptare dhe jugosllave. Çdo kamuflim i metodave të vjetra të kontrollit të lirisë sot tashmë është i pavlefshëm. Një vend aspirant për të qenë anëtar i BE, një vend që pret nga Shqipëria votën për anëtarësimin në NATO, nuk duhet të ketë frikë nga një nukël pro europianist dhe pro amerikan i shqiptarëve në tërësi. Aq më tepër që edhe Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë në të njejtën rrugë dhe marrëdheniet në mes dy vendeve janë në ditët më të mira të mundshme.
Cilat janë opsionet që kanë përpara deputetët e Parlamentit shqiptar sot, me 23 qershor 2016, që edhe të sillen si jo ballkanike, por edhe të kërkojnë një sjellje reciproke respekti ndaj kolegëve të tyre në Podgorice dhe ndaj Shtetit të Malit të Zi, për shtetasit malazezë të nacionalitetit shqiptar?
Opsioni i parë më i drejtëpërdrejtë i parlamentarëve shqiptarë, do të duhet të jetë angazhimi për ratifikimin e protokollit në një moment të dytë dhe shtyrja e përkoheshme e ratifikimit, derisa qeveria shqiptare, përmes ministrisë së saj të punëve të jashtme, të ndërmarrë bisedime mirëkuptimi me autoritetet gjegjëse malazeze, në lidhje me një tërësi çështjesh: reformimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe në territoret e banuara nga popullsia shqiptare në vendet e lartpërmendura; njohjen e të drejtës së plotë të pronësisë së individëve shqiptarë dhe komuniteteve respektive, bazuar në dokumentet kadastralë të shekullit XIX dhe XX, në këto hapësira; mbrojtjen e monumenteve historike dhe religjioze në Shas, Shestan( Kisha e Rumisë) , Ljarje, Malësi, Krajë (Kisha Katolike shqiptare e Shen Mrise), Kllezen, e gjetkë; heqjen nga qarkullimi i zërave fyes për shqiptarët, në fjalorin e akademisë malazeze; krijimi i kushteve ligjore për reformimin administrativ dhe njohjen e të drejtës së Malësisë shqiptare, për të pasur njësinë e vet bashkiake të veçantë, me qender në Tuz; njohjen e të drejtave të regjistrimit të shqiptarëve të emigracionit dhe pasardhësve të tyre në Gjendjen Civile të Shtetit; ndaljen e kolonizimit të trevave shqiptare. Mjaft më më heshtje të Tiranës zyrtare, ndërkohë që Malësia, Kraja, Shestani, Plava, Gucia vuan, ndersa Rozhaja po jep frymën e fundit.
Opsioni i dytë është ai formali, që të lë faqen e zeze mbas, atë të harresës së detyrës së mbrojtjes së popullit tand: heshtja dhe ratifikimi pa asnjë fjalë.
Zgjidhni dhe merrni të nderuar deputetë dhe qeveritarë të Tiranës së shekullit XXI.
Romeo Gurakuqi
Drejtor i Shkollës Doktorale
Universiteti Europian i Tiranës