Para pak ditësh vizitova Londrën, pas 28 viteve, nga vizita e parë. Aso kohe i viheshin themelet BE-së, këso kohe, ajo po bëhej gati për fillimin e shpërbërjes. Dhe ky fillim shpërbërjeje lidhet me rezultatin e referendumit, të mbajtur më 23 qershor, në bazë të së cilit Britania del nga BE.
Se a përfitoi Britania me lëshimin e anies që nuk mund të arrijë në destinacion (të mos them, anies që mbytet), apo e përligji exit të ri nga vet Britania, të atyre që Britaninë e konsiderojnë anije pa destinacion, do të tregojë koha. Por, në cilëndo variant Brexiti hapë një derë, e cila mbyllet pas, dhe s’le mundësi kthimi mbrapa. Por, njëkohësisht hap derë edhe për “brexite” të tjera. Sado që ëndrra për Evropën e bashkuar tingëllon bukur, Brexiti tregoi se shoqëritë e pjekura, nuk janë të gatshme të fusin “gjarprin në gji” për t’ia bërë dikujt këtë ëndërr realitet. Kurse integrimet para përmbushjes së standardeve, e jo e kundërta, gjithnjë e më tepër po i shtynë evropianët të mendojnë se a mos janë duke punuar në favor të dëmit të vet, se a mos janë duke futur “gjarprin në gji”. Këtë sot e hetuan anglezët, e nesër dikush tjetër. Kështu, Brexiti, në kohën kur shtete të tjera janë në pritje të integrimeve, hap dilema të shumta, jo vetëm për atë se pse vërtet iku Britania, por edhe për fatin e atyre që presin pas derës së BE-së, tashmë të cunguar!
Një dilemë tjetër është nëse forcat që proklamuan brexitin, ishin pleqtë konservativë të cilët, për Britaninë kërkojnë famën e shekujve të kaluar, apo shpëtimtarët e të rinjve të pa përvoje, nga shoqëria e keqe, e të cilët, për shkak të idealizmit rinorë votuan për qëndrim në atë shoqëri, por mbetën në pakicë.
Hyrja në BE e shoqërive të korruptuara, e shteteve pa institucione që sigurojnë të drejtën e ligjit, qeveri që nuk sigurojnë të drejtat elementare, ku arrestohen njerëzit vetëm se mbajnë flamurin e kombit të vet, paraqet shoqëri të keqe për ata që këto çështje i kanë zgjedhur me kohe. Prandaj Brexiti fiton në kuptim nëse kihet para sysh se ndikimi i Britanisë ishte tepër i vogël për të penguar integrimin e shteteve të tilla, siç është fjala bie edhe Mali i Zi. Këtu pajtohem me ata 52% që votuan pro.
Lidhur me këtë shpesh e kam thënë se të kërkosh arritjen e standardeve para integrimeve nuk do të thotë se je kundër integrimeve, por tentativë e krijimit të një shoqërie të shëndoshë e me vlera perëndimore, në mënyrë që në bazë të vlerave t’i takosh asaj shoqëri. Me këtë, natyrisht se integrime në BE dhe NATO nuk bihen në pyetje, por pas arritjes se standardeve. E jo anasjelltas, integrimi atëherë plotësimi i standardeve. Sepse shoqëritë pa standarde të arritura e infektojnë një shoqëri të shëndoshë. Kurrë nuk ndodhë që mollët e shëndosha t’i shërojnë të kalburat, por gjithherë ndodhë e kundërta. Një e kalbur i prishë të shëndoshat.
I pyetur nga një ambasadore e shtetit mik, se a mos jam kundër NATO, meqenëse isha shprehur kundër integrimit të Malit të Zi në NATO, u përgjigja se një shqiptar nuk mund të jetë kundër NATO, por po kundër integrimit të Malit të Zi të këtillë, sepse e konsideroj Malin e Zi si të papjekur për një shoqëri elitare. Ja edhe dëshmi për këtë, sa të doni.
Para pak ditësh tifozët shqiptarë, në kthim nga Evropa, ku qendruan në mbështetje të Kombëtarës në Kampionatin Europian në fudboll, u dënuan nga “drejtësia malazeze” për shkak se mbanin flamurin kombëtar; javë më parë, Akademia malazeze e shkencave na fyen në mënyrë të paskrupullt dhe, kjo fyerje mbrohet nga intelektualë elitarë malazezë, me fyerje të reja; muaj me parë digjet flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës, në mes të Podgoricës; dy vite më parë deportohen nxënësit shqiptarë sepse shpalosën flamurin e vet në Budva, sa për t’u fotografuar; pastaj, problemi rreth decentralizimit të pushtetit lokal dhe statusit të Komunës së Malësisë; uzurpimi i pronave përmes “Të mirave detare”, “Plantazhave”, “Parqeve Nacionale” dhe formave të tjera, etj. Pra pyetja është, se a mund të ndodhin këto në një shtet anëtare të NATO-s apo BE-së? Natyrisht se jo! Prandaj, shtetet me demokraci te dëshmuar, siç është edhe Britania, s’kanë çka kërkojnë në shoqëri me shtete të këtilla. Kështu, ata që e hetojnë së në anie po futen “të strokurit”, të cilët nuk pranuan të marrin “ilaçet” dhe të shërohen para se të hyjnë, ikin nga anie para se atyre t’u hapet dera!
Po e ilustroj këtë edhe me një shembull tejet të thjeshtë. Po të ishit ju ma familjen tuaj, në një pishinë me ujë të pastër dhe shihni se aty po vijnë persona të ndotur, me sëmurje lëkure, me dregëza, të cilët rezistojnë të bëjnë një dush, apo të dezinfektohen para se të hyjnë në pishinë, e për shkak të, gjoja mos cenimit të të drejtave, dikush ua mundëson hyrjen në pishinë ashtu siç janë, çfarë mund të bëni ju, përpos të dilni nga pishina.
Dhe në fund, ajo që neve si shqiptarë duhet te na shqetësojë më së tepërmi; përkrahja e pa-rezervë që kësaj qeveri i vje nga përfaqësuesit shqiptarë të këtushëm dhe nga të dy qeveritë shqiptare. Kombet me dinjitet dinë kur është mjaft dhe ky mjaft erdhi nga Britania. A thua dikush nga ne do të di t’i thonë mjaft kësaj qeveri; MJAFT me shkelje, me korrupsion, me hile, me grabitje të pasurisë e të votës, me dhunë e keqtrajtime… Mjaft nëse duam në Evropë…përndryshe, “Brexit-a” do të ketë prap, prandaj mbetjet e BE-së nuk do të na hyjnë në punë, sepse në pishinën e thatë nuk mund të notohet.
Në Tuz, më 26. 06. 2016
Nikollë Camaj