Dorëzohet edhe një iniciativë që Tuzi-Malësia të fitojë statusin e Komunës

Tuzi-MalësiaDeputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj me mbështetjen dhe nënshkrimin e deputetit të Forcës, Genci Nimanbegu, e ka dorëzuar procedurën pranë Parlamentit për ndryshimet e Ligjit për organizim territorial të Malit të Zi, e cila e definon që Malësia / Tuzi të bëhet komuna e 24-të në Mal të Zi.

Arsyet për dorëzimin e iniciativës, siç thuhet, është respektimi i Kushtetutës së Malit të Zi dhe e drejta për vetëqeverisje lokale.

“Një arsye tjetër është fakti se të gjitha projektet që janë miratuar nga Kuvendi në lidhje me statusin e Malësisë, kanë treguar se nuk janë zgjidhje serioze,” tha Gjeloshaj.

Ai rikujtoi se vitin e kaluar, Parlamenti miratoi ndryshimet në disa ligje, me çka Malësia ka fituar statusin e komunës në kuadër të Kryeqytetit.

“Se edhe ky vendim i Kuvendit ishte edhe një tjetër mashtrim, të cilin deputetët shqiptarë nuk e kanë përkrahur në Parlament, tregon fakti se asnjë institucion për zbatimin e këtyre ligjeve nuk i ka zbatuar këto ligje. “, tha Gjeloshaj.

Ai thekson se Kryeqyteti ishte dashur që deri më 15 prill të ndryshojë statutin, në mënyrë që kompetencat aktuale të i transferojë Malësisë, duke shtuar se janë gati tre muaj që është tejkaluar ky afat.

“Deri më 15 korrik, edhe Komuna urbane ishte dashur që të i kishte miratuar ndryshimet në statut, por pa ndryshimin e statutin të Kryeqytetit, nuk është e mundur, kjo është shkatërrim total i sistemit dhe mosrespektim i ligjeve të miratuara,” tha Gjeloshaj.

Ai thekson se situata me Presidentin Filip Vujanovic është edhe më e çuditshme, i cili refuzon të respektoj ligjet e miratuara nga Parlamenti, duke shtuar se ai vetë i ka nënshkruar dhe i ka shpallur, por nuk i ka shpallur zgjedhjet në kuadër të Kryeqytetit.

Gjeloshaj është shprehur se ai pret që Parlamenti të miratojë propozimin që kanë dorëzuar, dhe më në fund pas 27 vjetësh t’i vuhet fund kësaj çështje. /MALESIA.ORG/