Së paku 84 të vrarë në Nicë të Francës

sulmi terror niceNjë sulmues ka vrarë së paku 84 persona dhe ka lënduar shumë persona të tjerë duke i dhënë një kamioni në drejtim të turmës së njerëzve që ishin duke e festuar Ditën e Bastilles në qytetin bregdetar të Nicës.

Autoritetet franceze thonë se e kanë vrarë sulmuesin i cili i ka dhënë kamionit për rreth 2 kilometra duke goditur masën e njerëzve që largoheshin pasi i kanë përcjellë fishekzjarrët e ndezura për nder të ditës shtetërore.

Autori i sulmit gjithashtu ka shtënë në drejtim të masës, ka thënë kryetari i qytetit, Christian Estrosi duke shtuar se brenda në kamion janë gjetur armatim dhe granata.

Disa prej viktimave raportohet se kanë vdekur si pasojë e plagëve me armë zjarri.

“Kjo është tragjedia më e madhe në histori të qytetit tonë. Mbi 70 njerëz kanë vdekur” ka shkruar menjëherë pas sulmit, Estrosi në “Tëitter”.

“Është skenë horrori”, ka thënë deputeti i zonës, Eric Ciotti për “France Info”.

Zyrtarët kanë thënë se numri i të vrarëve është rritur në 84 viktima ndërsa qindra të tjerë janë të lënduar. Edhe disa orë pas sulmit, dhjetëra trupa të pajetë kanë mbetur në rrugë të mbuluar me çarçafe të bardhë.

Zyra e Prokurorit të Parisit e ka nisur një hetim me dyshimin për vepër terrorizmi në lidhje me sulmin. Nuk ka pasur shenja të ndonjë sulmi tjetër, ndonëse banorët e Nicës janë këshilluar që të mbesin brenda shtëpive.

Deri më tash asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Shoferi nuk është identifikuar publikisht, por policia raportohet se ka gjetur dokumentat e identifikimit në kamion të cilat i përkasin një nënshtettasi francez 31 vjeçar me origjinë nga Tunizia i cili dyshohet se është autori i sulmit.

Reuters e citon një burim policor duke thënë se i dyshuari më parë ka shkaktuar probleme në raport me policinë, por ai nuk ka qenë i njohur për shërbimet e inteligjencës.

Presidenti francez, Francois Hollande ka thënë se sulmi qartë është vepër “terrorizmi”, i treti i tillë në këtë shtet brenda 18 muajsh.

“Franca është e tmerruar nga ajo që ka ndodhur, kjo gjë e shëmtuar që është bërë duke e shfrytëzuar një kamion me qëllimin e vrasjes së dhjetëra njerëzve”, ka thënë ai gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionet franceze në orët e para të mëngjesit më 15 korrik.

Franca “do të jetë gjithmonë më e fuqishme se sa fanatikët që duan ta sulmojnë, ju premtoj”, ka thënë Hollande.

“Asgjë nuk do ta në bëj të dorëzohemi në luftën tonë kundër terrorizmit. Ne do fuqizojmë veprimet tonë në Irak dhe Siri. Ne do të vazhdojmë të sulmojnë ata që na sulmojnë në tokën tonë”, ka thënë ai duke iu referuar grupit militant, Shteti Islamik.

Ai ka thënë se do e mbaj një mbledhje të sigurisë me kabinetin e tij gjatë të premtës.

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka dënuar atë që “duket të jetë sulm i tmerrshëm terrorist” dhe ka shtuar se ne “ne qëndrojmë në solidaritet dhe partneritet me Francën, aleatin tonë më të vjetër”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes një komunikate e ka dënuar “sulmin barbar dhe qyqar terrorist” të cilin e ka quajtur “kriminal dhe të pajustifikueshëm”.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk ka thënë se Evropa “qëndron së bashku me familjet e viktimave, popullin francez dhe qeverinë në luftën kundër dhunës dhe urrejtjes”.

Kancelarja gjermane, Angela Merke, duke folur në margjinat e samitit me liderët e Azisë dhe Evropës në Mongoli, ka thënë se “Gjermania qëndron në anën e Francës në luftën kundër terrorizmit, së bashku me shumë, shumë të tjerë”.

Zëdhënësi i kryeministres së re britanike, Theresa May e ka quajtur sulmin në Nicë si “të tmerrshëm” dhe ka shtuar se “ne jemi të shokuar dhe të shqetësuar”.

Kryeministri kinez, Li Keqiang ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka thënë se “ne dënojmë terrorizmin në të gjitha format”.

Edhe Sekretari i ri Britanik për punë të jashtme, Boris Johnson, ka thënë se është i “shokuar dhe i mërzitur” nga humbja e jetëve në Francë.

Ngjarja ndodh tetë muaj pas sulmeve terroriste në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta. Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi militant Shteti Islamik.

Franca kishte mobilizuar forca shtesë për Ditën e Shtetit. Rreth 11,500 pjesëtarë të sigurisë kanë qenë në Paris për paradën tradicionale të ushtrisë.