Funksionari i Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj ka reguar me rastin e arrestimit dhe mbajtjes së Luie Dushaj, për shkak të një batute facebook-u.
Nikollë Camaj
Me arrestimin dhe mbajtjen e Luit Dushaj, si rast tejet shqetësues për lirinë e shprehjes së mendimit dhe si dëshmi e standardeve të dyfishta të pushtetit malazias, njoftova ambasadat e shteteve mike dhe atë të shtetit amë, si dhe ministrin e punëve të brendshme të Malit të Zi.
Në të njëjtën kohë, me këtë shkelje flagrante, u njoftua edhe opinioni i gjerë malazias, ndërkombëtar dhe shqiptar, përmes një kumtese që mund ta lexoni në vijim:
Arrestimi i Luit Dushaj, për shkak të një batute facebook-u, paraqet dëshmi se PDS dëshiron që, edhe para këtyre zgjedhjeve, t’u fus frikën qytetarëve, frikën nga mendimi i lirë, frikën nga zgjedhja e lirë. Personi në fjalë ka publikuar një “lajm mortor” kolektiv, mbi vdekjen politike të atyre që punojnë kundër interesave të popullit të vet dhe kundër asaj që me vite e kanë premtuar ata vet, dhe në ato premtime ata i kanë fituar zgjedhjet. Pra, në “lajm” nuk ka kërcënime direkt dhe as shpifje, prandaj arrestimi nuk ka asnjë lidhje me të drejtën as me drejtësinë, por vetëm me plotësimin e dëshirave të “të vdekurve” dhe me vorbullat e njerëzve të vegjël.
Prandaj, mbajtja në paraburgim, e autorit të “lajmit”, nuk u shkon në favor as atyre, as shtetit e pushtetit, e mendoj, as PDS-së. Sidomos, nëse kishte para sysh fakti se çdo ditë mund të lexoni mesazhe të ngjashme, madje edhe më morbide, por nuk e di nëse dikush është arrestuar për shkak të tyre. Disa herë jam kërcënuar edhe unë personalisht, madje edhe me prerje në fyt të krejt familjes, natyrisht nëpër forume e portale, por asnjë herë nuk më ka shkuar ndërmend të reagoj, sepse nuk jam ndier as i kërcënuar as i fyer, por si duket zotërinjtë në fjalë ndihen, (me përjashtim të njërit nga ata), prandaj edhe kanë kërkuar mbrojtje nga shteti. Ndjenja e fajësisë, natyrisht se i shtynë njerëzit që të kërkojnë mbrojtje, e cila atyre assesi nuk u nevojitej.
Prandaj ftoj kryeministrin, ministrin e policisë dhe organet gjyqësore që të heqin dorë nga kjo ndjekje ndjellakeqe dhe të marrin të gjitha masat që Lui Dushaj, urgjentisht të lirohet nga arresti, kurse zotërinjtë Gegaj e Shkrela i ftoj që të tërheqin aktpadinë, sepse as nuk janë të kërcënuar, e as të fyer e të denigruar. Në atë mënyrë do t’i kontribuonin më tepër ruajtjes së famës së vet, të shtetit e të partisë së tyre.
Përndryshe, Lidhja demokratike, në bashkëpunim edhe me subjektet e tjera, do të kërkojë dhe realizojë forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë.