Më 31.08.2016, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi z. Genci Nimanbegu, në hapësirat e KKSH-së në Ulqin, priti ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi SH.T.Z. Skënder Durmishin. Vlenë të theksohet që në vendosjen e marrëdhënien bilaterale midis dy shteteve, z. Durmishi është ambasadori i parë i Republikës së Kosovës i akredituar në Mal të Zi dhe ky ishte takimi i parë zyrtar ndërmjet ambasadorit dhe kryetarit të KKSH-së.
Kryetari i KKSH-së e njoftoi ambasadorin për punën dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe për gjendjen dhe situatën e shqiptarëve në Mal të Zi, më pas z. Durmishi theksoi që Ambasadën duhet ta shohim si një partnere në realizimin e projekteve tona në lidhje me kulturë, arsim dhe posaçërisht ekonomi.
Në deklaratën e dhënë për media, z. Durmishi theksoi se një ndër kushtet për integrimin euroatlantik është edhe bashkëpunimi rajonal dhe bilateral.
“Mendoj se midis dy vendeve tona kemi një shembull të shkëlqyeshëm të këtij bashkëpunimi.” Ai gjithashtu vlerësoi lart rolin dhe angazhimin e shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët kanë shërbyer si urë e komunikimeve midis dy vendeve dhe kanë qenë faktorë të rëndësishëm në shtetbërjen e Malit të Zi. Ai theksoi se, tashmë të dy vendet kanë projekte të përbashkëta të bashkëpunimit cilësorë në infrastrukturë dhe në fusha të tjera.
Në fjalën e vet, kryetari i KKSH-së z. Nimanbegu e vlerësoi si shumë pozitive ngritjen e bashkëpunimit të dy shteteve në nivel të ambasadorëve. Sa i takon çeshtjeve të shqiptarëve në Mal të Zi, kryetari Nimanbegu tha: “Kosova i kupton shumë mirë problemet dhe nevojat tona, ata na kanë ndihmuar në të kaluarën dhe ka çeshtje të cilat do të ringriten pranë ambasadës, por do të cilësoja që edhe bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në infrastrukturë do të jenë në interes të përgjithshëm si ai i ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë” në veçanti do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të zonës veriore të Malit të Zi, “gjegjësisht të Rozhajës, Plavës e Gucisë dhe do ndihmojnë që banorët e këtyre treva të mos migrojnë”.
Shërbimi për informim i KKSH-së