Anton Lulgjuraj: Zgjedhjet pa zgjidhje

anton-lulgjurajPo afron ora e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi. Po përpiqem të shkruaj një deklaratë duke përmbledhë të gjithë këtë proces kushtetues, brenda demokracisë hibride të Malit të Zi. Duhet të jemi të vetëdijshëm se kush jemi ne që votojmë dhe çfarë kërkojmë?! Kënd duhet të votojmë dhe a kemi arsye të votojmë? Kush është i votuari në vendin tonë dhe çfarë përfaqëson votuesi? A ka liri votuesi apo është nën presionin për ekzistencë që do të thotë: “ose votën ose përjashtimin nga zhvillimi shoqëror”? Dëgjoni, nëse unë qëndroj i heshtur përpara një realiteti që e dij se duhet të flas, atëherë unë nuk jam unë! Unë jam krenar që refuzova të jem pjesë e indiferencës dhe moskokçarjes në një shoqëri e cila është e mbytur në apati. Të qëndrosh do të thotë të vijosh konfirmimin e ekzistencës tënde.

Në vendin tonë kanë ndodhur shumë skenare politike të cilat në një mënyrë apo në një tjetër kanë ndikuar në degradimin e plotë të vendit tonë dhe të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Kur flasim për parimet, kemi parasysh faktin që e dijmë se kush jemi dhe se çfarë kërkojmë. Me parime tregojmë dinjitetin personal dhe kolektiv në çfarë do organizimi. Tregojmë vendosmërinë dhe idealin shoqëror. E kundërta na poshtëron në dimensionet më të ulta të personalitetit njerëzor, ku i hapim rrugë mashtrimit, arrogancës, shitblerjes politike, pa aftësisë, krenarisë bosh, dominimit të interesit personal, vetëmohimit dhe shkatërrimit të shoqërisë.
Shpesh kam qenë i drejtpërdrejtë. Mënyra direkte e të shprehurit personifikon zërin që thërret nga shkretia. Zëri i tillë është zë i së vërtetës. Duket sikur ka mbetur vetëm, por tregon qëndresën për të cilën fola më lartë. Politikanët shqiptar në Mal të Zi interesin e përgjithshëm e kanë kthyer në interes personal. Ata më as nuk mendojnë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Të gjithë vrapojnë të bëhen vullnetar komitë të Gjukanoviqit. Rreshtimi në parti është i detyrueshëm nga kryesia që e ka mbytur frymën demokratike brenda çdo partie shqiptare në Mal të Zi dhe jo vetëm. Ata që kanë bërë krime, na udhëheqin sot. Janë kthyer në një të ashtuquajtur “Perandoria e veseve”. Ata kanë në dorë emërimet. Kanë në dorë interesat. Kanë në dorë buxhetin. Kanë në dorë institucionet. Ikin në pozicione të ndryshme dhe emërojnë zavendësat e vetë. Këta të fundit nuk zavendësojnë paraardhësin, thjeshtë janë të emëruar në detyrë nga ai. Paraardhësi jep urdhërat, të emëruarit thjeshtë i zbatojnë. Ky është standardi ynë për fat të keq. Nuk korruptohen sepse i mbron paraardhësi dhe në këtë mënyrë këta kthehen në lodra politike që mundohen të maskojnë kriminelët. Prandaj, nuk jemi në Evropë. Prandaj jemi vulë e zezë në mes të Evropës sepse kemi udhëheqës që janë të paaftë ta bëjnë punën të cilën e kanë marrë përsipër. Nëse të votosh sot në Mal të Zi, do të thotë që ti po përforcon një pushtet që sa vite mbahet me dhunë, atëherë unë nuk votoj. Çfarë të them më tepër, kur në shtator të vitit 2012, unë paralajmërova në Top Channel se partitë e ashtuquajtura shqiptare në Mal të Zi janë flluska të Gjukanoviqit që vetëm i shërbejnë interesave të tij personale dhe politike e që janë në koalicion me të, ky fakt tani më është vërtetuar në Ulqin dhe në Malësi. Ku është liria e qytetarit që kërcënohet me largim nga puna nëse nuk voton partinë në pushtet ose anëtarët e tjerë të koalicionit qeverisës?

Nëse të votosh sot në Mal të Zi, do të thotë që të ia zgjasësh mandatin DPS – së e cila gati tre dekada mban pushtetin, unë nuk votoj. Nëse të votosh sot në Mal të Zi, do të thotë të përkrahësh koalicionin e Forcës me UDSH dhe ASH – në, unë nuk votoj. Sepse janë pikërisht këto parti që po mbajnë Gjukanoviqin në pushtet, kurse Ulqini dhe Malësia po degradohen çdo ditë. Koalicioni tjetër përbëhet nga PD, IQ, Perspektiva dhe LD e kryetarit që është shndërruar në diktator që më shumë se për të ndarë buxhetin e partisë dhe postet që u janë përcaktuar, ne nga ata nuk presim asgjë tjetër. Pra, nëse të votosh sot në Mal të Zi, do të thotë të përkahësh injorantët, të paaftët dhe të eturit për pushtet e karrige, unë nuk votoj. Ka ish – kryetar të Komunës së Ulqinit që janë dënuar me vendim gjykate për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe që sot janë kthyer përsëri në politikë. Nëse të votosh do të thotë të mbrosh krimin, unë nuk votoj.
Pa asnjë platformë. Pa asnjë program elektoral. Pa asnjë vizion. Thjeshtë me premtime të rrejshme dhe me siguri personale që vijnë nga hierarkia e pushtetit qëndror, partitë shqiptare tani më janë pozicionuar si kope kafshësh që presin se kujt do i bjerë “copa më e madhe”. Nëse të votosh në Mal të Zi, do të thotë të mbrojmë politikanët mashtrues të gati tre dekadave, unë nuk votoj. Gjithashtu kemi edhe vetësakrifikimet që vijnë nga LD me degët e saj. Padituria dhe inatçia të sjellin në këtë situatë. Unë do besoja se ka një ideal nëse do shikoja një tentativë për të bashkuar forcat e pavarura, ose për të shpalosur një platformë politike, por këto mungojnë. Mungesa e tyre sjellë pesimizëm tek unë dhe tek secili që ka dy fije mend në kokë. Ju do thoni që edhe unë në vitin 2012 dola vetëm si kandidat për deputet. Është e vërtetë. Por, ka dallim themelor dalja jonë para 4 vitësh dhe e këtyre sot. Dallimi është parimor. Ne refuzuam haptas koalicionin me Gjukanoviqin. U betuam që nuk do i zhgënjejmë votuasit tanë. Afruam platformën e parë politike të shqiptarëve në Mal të Zi pas 22 viteve të pluralizmit politik. Nxorëm, në skenë djem dhe vajza të reja, që nuk kishin preçedent penal dhe nuk kishin qenë ndonjëherë në pozitë që të dëmtonin në ndonjë aspekt pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Atëherë propaganda e shërbimit informativ të pushtetit nëpërmjet këtyre partive shqiptare që sot kërkojnë votën tonë, hodhën baltë mbi mua dhe mbi bashkëpunëtorët e mi. Sikur unë isha përgjegjësi kryesor për situatën e shqiptarëve në 22 vjet pluralizëm. Nëse të votosh në Mal të Zi, do të thotë të votosh karrieristët që duan vetëm pushtet dhe para, unë refuzoj të votoj. Çdo gjë që e kemi thënë për ta, tani është vërtetuar dhe faktuar.

Duke e ditur që në Malësi nuk kanë vota, ata vrapojnë dhe ikin në Ulqin për të përfituar një copëz pushteti. Harrojnë Malësinë, e nëse do fitonin, atëherë do thonin se përfaqësojmë Malësinë. Por, kjo nuk është e vërtetë. Ata nuk përfaqësojnë askënd. Ata thjeshtë janë shërbëtorët e Gjukanoviqit pa dallim. Si mund të tregojmë publikisht që këta nuk mendojnë fare për Malësi? Shumë thjeshtë: këta nuk pranojnë të jenë të parët ose të dytët në Malësi, por pranojnë të jenë të tretët ose të katërtët në Ulqin. Kur politikës i mungon morali, ajo rrezikon të kthehet në lojë, por edhe loja duhet të ketë ca rregulla. Nëse loja politike nuk ka asnjë rregull, atëherë tregon që politikanët që e përbëjnë këtë lloj loje nuk kanë as moral e as karakter njerëzor, rrjedhimisht kanë humbur dinjitetin. Humbja e dinjitetit njerëzor është asgjësim i vetëvetes. Asgjësimi i vetëvetes nënkupton shndërrimin në lodër politike. E atëherë çfarë mund të predikojë një asgjësues i vetëvetes? Që nëse duhet të futesh në politikë duhet të jesh si ai? Që nëse do të merresh me politikë duhet të jesh mashtrues, i pa aftë, injorant, arrogant, përdhunues, shpifs, pa moral, pa vlera, pa karakter??? Çfarë kërkon anti – njeriu nga njeriu? Nëse të votosh në Mal të Zi, do të thotë të përfaqësosh këtë lloj politikani, atëherë unë nuk votoj. Por, kjo nuk do të thotë se tërhiqem nga beteja pa kompromis për të rrëzuar diktatorin më të fundit në Evropë së bashku me të gjithë satelitët e tij. Unë jam i bindur që Ulqini dhe Malësia, Plava e Gucia, Tivari e Rozhaja nuk do i mbrojnë ata që nuk mund të mbrohen, por këto qytete janë të detyruara të mbrohen nga këta. Shoqëritë nuk ndërtohen me një rrugë ose me një urë, por me modele. Shoqëritë nuk ngriten mbi vese, por mbi virtyte. Për këtë arsye 1000 vjet, 2000 vjet, 3000 vjet në historinë e njerëzimit janë krijuar fetë dhe ligjet. Përse? Për të mbrojtur shenjtorët nga djajtë dhe për të mbrojtur të mirët nga të këqinjtë. Ky është fundament i çdo njeriu që beson tek vlerat dhe dinjiteti njerëzor. Kush i kultivon këto, ai do jetë shndërruar bashkë me ne në fortesë për të ndaluar këtë të keqe që i kërcënohet shoqërisë sonë nga pseudopolitikanët tanë.

Msc. Anton Lulgjuraj
21.09.2016