Akuza dhe kundër akuza nga koalicionet shqiptare

img_4063Rivalët politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të grupimeve politike shqiptare “Të vendosur” (Forca-UDSH-ASH) dhe “Me një qëllim” (PD-IQ-LDMZ-Perspektiva) nëpërmjet deklaratave për shtyp kanë akuzuar ashpër njëra-tjetrën për keqpërdorim e manipulim.

Në shënjestër të këtyre akuzave janë ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka dhe kryetari aktual Nazif Cungu.

“Përpjekja e krijimit të “aferës me shtyllat” paraqet shenjë të qartë se kryetari për momentin i Forcës është në panik. Kjo edhe është e logjikshme kur dihet se bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e kanë përjashtuar në mënyrë brutale nga lista zgjedhore, edhe pse ai ka paralajmëruar se do të jetë bartës i listës”, thuhet në reagimin e Koalicionit shqiptar “Me një qëllim” (PD-IQ-LDMZ-Perspektiva).

Prandaj me këto “bomba tymuese”, Cungu i mënjanuar përpiqet të tërheqë vëmendjen. Kjo është tipike për personin që është mësuar të jetojë nga mashtrimet, insinuatat dhe gënjeshtrat, personi të cilin ne për të parën herë e kemi sjellë në krye të komunës së Ulqinit”, thuhet mes tjerash në reagimin nga shërbimi për informim i Koalicionit shqiptar “Me një qëllim”.

Shkurt pas këtij reagimi ka ardhur kundër-reagimi i Forcës së re Demokratike, partia kryesuese e koalicionit tjetër shqiptar “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH).

Ndonëse, shpresuam që politika të reflektonte dhe të distancohej nga ky veprim, (i kolegut të saj), ndodhi e kundërta. Por, thonë që i mbyturi të mbyt, e mesa duket aferat korruptive të Fatmir Gjekës po mbysin dhe vet koalicionin e “aferave” që në embrion të tij. Që ky koalicion ka një qëllim, kjo dihet, dhe qëllimi tij i vetëm është hapja e gropave për qytetarët e vendit.

E kuptueshme që i’u duket çudi, që kryetari i Partisë vendos mos të jetë në krye të listës, pasi ata janë mësuar të shohin partinë si pronë private që shërben për të vjedhur shtetin dhe qytetarët. Forca faktikisht me këtë dëshmon se është një organizatë e mirefilltë politike ku kuadrove më të mirë i’u jepet mundësia të garojnë, e jo një kompani fitimprurëse në shërbim të kryetarit sikurse është rasti i PD-së”, shkruan në reagimin e Forcës.

“Por për të shmangur çështjen e korrupsionit në sy të publikut merren me listen tonë. Fakt është se dokumentacioni i përcjell për mediat nga Komuna e Ulqinit, është i shkruar me të zezë mbi të bardhë, me firm e me vulë, se ish-kryetari Gjeka, ka abuzuar me pushtetin për qëllime votash dhe aferash korruptive”, thuhet mes tjerash në reagimin e Forcës. /MALESIA.ORG/