Fshati Rranxa e Qafës më ditë pa rrymë elektrike – Banorët protestojnë (foto)

img_4157Banorët e fshatit Rranxa e Qafës protestuan dje për shkak të ndaljes së rrymës elektrike. Ata pohuan se janë tre ditë pa rrymë elektrike dhe se situata të tilla janë shumë të shpeshta. Vetëm në dhjetë ditët e fundit pesë mbrëmje ishin pa rrymë deri në mëngjes.

Ata dje nuk lejuan punonjësit e Korporatës Elektrike të Malit të Zi të hyjnë në pronat e tyre për të sanuar prishjet, sepse siç pohojnë ata, kërkojnë zgjidhje afatgjate.

Në bisedime me shefin e shpërndarjes së rrymës elektrike për zonën e Malësisë, banorët kërkuan nga korporata elektrike të plotësojnë kërkesat e tyre të cilat po rrinë të parealizuara që 20 vjet.

Ata sqaruan se shtyllat dhe telat elektrikë janë në gjendje të mjerueshme, të cilat jo se nuk plotësojnë kushtet minimale, por çdo ditë rrezikojnë jetët e banorëve, sepse rrjeti kalon nëpër livadhet e madje edhe nëpër oborret e tyre.
Shtyllat janë të kalbura dhe lëkunden, ndërsa telat aty këtu janë të lidhura me konop, që rrezikojnë të rrëzohen në çdo moment, ndërsa ne kemi fëmijët të cilët nuk janë të sigurt as pranë shtëpisë, dhe kjo situatë nuk është nga dje, por me vite të tëra”, tha njëri nga banorët.

Më mirë të jemi pa rrymë sesa të rrezikojmë jetët e fëmijëve”, tha një banor tjetër.

Ata pohojnë se disa herë e kanë paraqitur edhe me shkrim problemin por kanë fituar veç premtime, ndërsa kësaj herë, siç shprehën ata, do të jenë të vendosur derisa ky problem nuk zgjidhet një herë e mirë. /MALESIA.ORG/


img_4197 img_4198 img_4199 img_4200 img_4201